Agim Dëshnica: LUMNOI NË PYJE, HUMBI NËPËR YJE 85-VJETORI I DIJETARIT
Skënder Dëshnica, 1937-1998
Në përkujtim të inxhinierit dijetar, Skënder Dëshnica, me rastin 85-vjetorit te lindjes.
Në ditët me vapë të gushtit shumë vetë kujtojnë shqetësimet dhe përpjekjet e inxhinierëve të përkushtuar atdhetar për mjedisin e gjelbëruar. Por, vapa u kujton atyre edhe 6 gushtin e vitit 1998, kur dielli prush si rrallë ndonjëherë përvëlonte gjithçka. Atë ditë papritur në oborrin e Spitalit të Tiranës, larg vëmendjes së mjekëve, u shua nga një pushim i beftë zemre, njeriu i mirë i luleve dhe i pyjeve, inxhinieri Skënder Dëshnica. Largimi i tij nga jeta ndodhi para kohe, pasi ai ishte endur si zog i lirë, i dashuruar me natyrën shqiptare, në pyje e parqe, në Pukë, Peshkopi, Mirditë, Lurë, Elbasan, Korçë, Bozdovec, Vithkuq, Vlorë, Llogara, Tiranë, Dajt, etj.
Duke u kthyer prapa në kohë, disa ndodhi hedhin dritë mbi jetën e Skënder Dëshnicës si nxënës, si student dhe inxhinier.
Në vitin e gjyqeve vrastare 1948, një djalë në moshë njëmbëdhjetë vjeç, me kasketë në kokë, i veshur me rroba të vjetra, por të pastra, e me këpucë si të Lulit të vocërr, ulur buzë trotuarit, diku afër sheshit “Skënderbej”, lexonte gazetën “Bashkimi” për një gjyq, ku përmendej emri i atit të vet, patriotit demokrat Xhevdet Dëshnica. Ishte dënuar me burg ai, me akuzën si bashkëpunëtor i opozitës demokratike, pasi qe torturuar në mënyrë shtazarake, i varur krahësh, tetë muaj me radhë në qeli. Siç dukej, pesha e fatit të familjes së mbetur në mes të udhës pa asnjë të ardhur, kishte rënduar edhe mbi djalin njomëzak. Nënës së tij ia kishin hequr triskën e Frontit dhe familjen ia patën larguar dhunshëm nga Pallati i Aviacionit nr.10 pranë Fushës së Agait, tek ngrihet sot Stadiumi “Selman Stërmasi”, e ia kishin çuar në ish-hotelin pothuaj të pabanueshëm, ku kryqëzohen rruga e Fortuzit me atë Mine Peza.
Në ato çaste një reporter hungarez kaloi atypari dhe e fotografoi lexuesin fëmijë të përkulur mbi gazetë. Pas një viti, u hap në sallën përbri Teatrit Popullor, një ekspozitë ëhungareze me pamje edhe nga Shqipëria e re “e begatshme” me artikuj ushqimorë, në një kohë kur dyqanet ishin pa mallra të atilla, ose krejt të zbrazët. Në ballë apo në hyrje të ekspozitës varej një portret i madh, tek dukej një djalë i vogël me kasketë, i veshur me rrobe të vjetra, por të pastra, e me këpucët si të Lulit të vocërr, ulur në trotuar, duke lexuar gazetën “Bashkimi”. Nën portret lexohej në dy gjuhë: “Edhe brezi i ri, i lumtur ndjek me vëmendje përparimet e Shqipërisë së Re…”. Djali ishte nxënësi Skënder Dëshnica, i cili e kishte lënë shkollën për t’u larguar nga Tirana në Berat, pranë njerëzve të afërt.
Nxënës në Tiranë, student në Brashovë të Rumanisë
Skënder Dëshnica, pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare me ndihmën e miqve, do të pranohej vetëm në Shkollën e mesme bujqësore në Kamzë dhe në konviktin e saj. E megjithëse më 1957 e kreu atë për silvikulturë me përfundime të shkëlqyera, ai jo vetëm që nuk u dërgua me studime jashtë shtetit, por edhe u caktua me punë shtetit në Ndërmarrjen Pyjore të Pukës, tek u end jashtë qytetit në mbrojtje të pyjeve nga dëmtuesit e nga zjarret. Në shtator të atij viti, ndoshta për shkak të njëfarë tërheqjeje të diktaturës ndaj patriotëve të vjetër, befas shkoi në familjen e vet një njoftim i vonuar e i pabesueshëm, që Skënder Dëshnica duhej të bëhej gati për t’u nisur menjëherë për studime të larta në Rumani! U deshën disa ditë që ai të kapej me telefon, sepse kishte humbur në pyje me sëpatë në dorë, duke u prirë punëtorëve për shuarjen e zjarreve, që ishin përhapur në disa zona. Së fundi, me një avion rumun të rastit, i ngritur në qiell nga aeroporti i vjetër i Tiranës, tok me aviatorët fluturuan vetëm dy pasagjerë, të dy studentë, një prej të cilëve ishte Skënder Dëshnica. Në përfundim të studimeve, ai u diplomua inxhinier për pyje e parqe, pasi mbrojti me sukses projektin për Parkun e Dajtit.
Kthimi në Atdhe
Pas kryerjes së studimeve të larta më 1962, i kthyer në atdhe me veprimtarinë e tij projektuese e praktike, ky njeri i mirë, lumturohej larg qyteteve në gjirin e natyrës shqiptare, i ngazëllyer nga ndjenja e lirisë, tok me kolegët e vet në ekspeditat disamujore për mbarështimin e pyjeve, duke e kaluar natën nën çadër, thellë në pyjet e Pukës, të Mirditës, të Peshkopisë, etj. Trishtohej, kur me urdhër nga lart hapeshin të ashtuquajturat toka të reja, që zhvishnin malet, duke sjellë erozione të frikshme e zymtim të asaj natyre aq të bukur të vendit tonë. Zemërohej, kur me prerjen e drurëve, përveç ndërmarrjeve industriale shfarosëse të sharrave, merreshin edhe ndërmarrjet e ndërtimit, madjé edhe nëpër zona piktoreske si Lura. Djaloshi i lindur në një familje me tradita patriotike s’mund të ndihej ndryshe nga prindët e vet. Së fundi, Skënder Dëshnica, pas një shërbimi të frytshëm në rrethe, kthehet në Tiranë dhe punon si drejtues teknik pranë Ndërmarrjes Ndërtim – Gjelbërim. Atje, ai qe një nga hartuesit dhe zbatuesit e projektit për gjelbërimin me drurë halorë të brigjeve të Lanës, siç është edhe sot, pasi më në fund prerja e plepave të rrezikshëm që ndotnin ajrin e bulevardin nuk u pengua më nga lart. Skënderi u përpoq me këmbëngulje edhe për pasurimin e Parkut të Madh me pishat e shëndetshme. Mbrojti mjediset e gjelbëruara nga kërkesat e gabuara të urbanistëve për rrallimin e drurëve edhe në Parkun Rinia. Ndërsa priteshin plepat e kalbur në Pallatin e Zogut mbi kodër, të quajtur ndryshe Pallati i Brigatave, bllokmenë të paaftë, ndërhynin në programet e inxhinierëve, si Skënder Dëshnica, për ndërprerjen e punës. Por, ai nuk dinte të tërhiqej. Këmbëngulte për t’u arritur gjithmonë çfarë ishte e dobishme,duke u sjellë me urtësi e i dashur me bashkëpunëtorët, specialistë të gjelbërimit, Shpesh mbante në punë, në laboratore e zyra, edhe intelektualë të përndjekur.
Çdo banor i kryeqytetit mban mend se Tirana, qysh nga vitet e paraluftës, ka qenë një nga qytetet më të bleruara të Ballkanit. Nga fotot e rralla të viteve 20-40, bien në sy kurorat e gjera të gështenjave në oborrin e ish Centralit elektrik, në hyrje të Rrugës së Durrësit, ato prapa Bashkisë që u shemb për Muzeun Kombëtar dhe selvitë pas Bankës Kombëtare. Në Rrugën e Kavajës, krahas pemëve gjelbëronin breza të gjatë me ligustra. Në zonën e Rrugës së Elbasanit shtrihej parku me drurë gjithëfarësh i ish-selisë së Mbretit Zog, ku sot është Akademia e Shkencave dhe pak më tej, afër Kuvendit, parku me shatërvan dhe Namazgjaja. Mbi Urën e Tabakëve dhe Urën e Terzive, lartësoheshin lisa të dendur. Qindra shtëpi tiranase, apo vila private, kishin kopshte me drurë frutorë, si mani, caraca e hurma dhe oborre me lulishte të pasura. Në maj qyteti mbulohej pothuaj i tëri nga një blerim i këndshëm. Në Bulevardin me emrin Zog I, i përuruar në vitin 1930, deri në ndertesën e Maternitetit, zgjateshin kuadratet e krasitura me ligustra plot hije që nuk i rrëzojnë gjethet as në dimër. Ky varg i blertë u mirëmbajt dhe u ripërtëri nën kujdesin e inxhinier Skënder Dëshnicës, si vazhdues i traditës së herëshme. Madjé, gjatë krasitjeve të domosdoshme, në gazetën “Zëri i Popullit” u botua një shkrim i mefshtë kundër kësaj pune me vlerë. Pas shumë viteve, nga Bashkia e E.Ramës në vend të ligustrave u mbollën shëmtueshëm pemë frutore. Edhe rreshtat e pishave në qendër dhe gjatë unazës, të mbjella sipas projektit e kujdesit të inxhinier Skënder Dëshnicës, u rrafshuan pa mëshirë. Skënderi u kujdes edhe për pishat e buta të njëtrajtshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, vepër e inxhinierit të shquar Vasil Shqau, të sjella nga fshati Rrilë i Kavajës, të cilat tani janë çrregulluar, harlisur e kanë marrë përpjetë. Po ashtu, Parku Rinia i krijuar nga nxënësit e shkollës bujqësore Kamëz qysh më 1947, u mirëmbajt prej tij. Me ardhjen në krye të Bashkisë të E. Ramës, ky park u reklamua me bujë, pasi u rralluan drurët e vendet për pushuesit dhe mori pamjen e një mjedisi pothuaj privat për Bar – Kafen Tajvan. Kush do të veprojë më tej për ripërtëritjen e tyre?
Për mbrojtjen e zgjerimin e gjelbërimit të Tiranës një ndihmë të çmuar kanë dhënë Skënder Dëshnica, Vasil Shqau, inxhinierët e agronomët si Hasan Metuli, Orhan Sakiqi, Tomson Nishani, Azis Marku, Abdyl Harizi, Teuta Preza, Mustafa Zekthi e shumë të tjerë.
Bashkëkohësit për Skënder Dëshnicën
Dr. Orhan Sakiqi kujton se si Skënder Dëshnica, luftonte me gjithë shpirt për gjelbërimin e kryeqytetit kundër maniakëve të sëpatës, për prerje drurësh monument në qendër të Tiranës. Në shkrimin “Dy selvitë dhe shoku im Skënder Dëshnica” ai kujton: “Nga Skënderi mësova ta dua pemën, ta dua drurin, sepse ai ishte i apasionuar pas tij. Pranë ndërtesës së projektuar nga Kolevica duhet të kalonin disa linja kabllore elektrotelefonike dhe për këtë u vendos menjëherë prerja e selvive. Skënderi kundërshtoi me vendosmëri. Zgjidhja u gjet, duke e kaluar një pjesë të kabllove në krahun tjetër. Skënderi pati guximin të thoshte në mbledhjen e komitetit, se për të prerë dy pisha simbol në Napoli, ishte bërë referendum popullor. E kush guxonte të thoshte në atë kohë gjëra të tilla! Selvitë shpëtuan, por kalimi pranë tyre i kabllove duhet t’u ketë shkaktuar tharjen. Këto pemë janë shumë jetëgjata dhe tharja nuk ka tjetër arsye. Edhe ashtu të thata ato duhet të qëndrojnë dhe të mirëmbahen me shumë lloje mënyrash. Ato hyjnë në simbolet e çdo vendi, po ashtu edhe të Tiranës. Skënderi kundërshtoi edhe prerjen e disa gështenjave mbas bashkisë, kur u ndërtua Muzeu Kombëtar, por zëri i tij nuk u dëgjua. Kush i mban mend ato gështenja, e di se përbënin një ishull të gjelbër, ndaj në kopshtin mbas Muzeut mund të ishin sot e kësaj dite. “Një pemë do dhjetëra vite që të rritet, – thoshte Skënder Dëshnica, – kurse një godinë bëhet për pak kohë”.
Nga libri “Njerëzit e mirë të luleve”, të agronomit Tomson Nishani, për Skënder Dëshnicën citojmë shkurt: “Studioz, punëtor, i gatshëm për të ndihmuar këdo, i ndershëm dhe gjithmonë i komunikueshëm me të tjerët. Ai me të drejtë kuptoi se vetëm tek fidanishtet ishin më të shumta hallkat e një pune të suksesshme në mbarëvajtjen e gjelbërimit të Tiranës, si dhe të rrethinave të saj. U mor me fidanishtet e florës dekorative, të cilat ishin të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit. Këto fidanishte i pasuroi me lloje bimësh të reja të sjella nga jashtë Tirane. Kualifikoi grupe punëtorësh si mjeshtra, siguroi për këto qendra prodhimi, mjete pune, zyra, pajisje teknike, mjete të lehta transporti, bazë materiale, literaturë tekniko-shkencore, organizoi seminare etj. Ngriti një laborator studim-eksperimentimi, etj.”
Në librin dokumentar “Rumani-Studentët Shqiptarë” botim i vitit 2009, me autor Eqrem Becin dhe Zhani Cancon, jepen disa fakte: “Skënder Dëshnica, inxhinier pyjesh, specialist gjelbërimi e projektues. Lindi në Katerini të Greqisë më 17 prill 1937.
Arsimimi: kreu Teknikumin Bujqësor në Tiranë në vitin 1957, tek u diplomua ndihmës-inxhinier pyjesh. Më pas shkoi për studimet e larta në Institutin Politeknik të Brashovës në Rumani, ku fitoi specialitetin e inxhinierit të pyjeve, me temën “Parqe pyjore”, (1957-1962). Gjatë periudhës që ka punuar në Drejtorinë e Pyjeve në Peshkopi, përveç hartimit të projekteve pjesore të pyllëzimeve dhe të sistemimeve pyjore bëri edhe studime për mbarështimin pyjor në disa zona të Burrelit, Kukësit, Peshkopisë, Dibrës, etj. Më vonë punoi për rreth 14 vjet në Ndërmarrjen e Ndërtim – Gjelbërimit të Tiranës si kryetar për gjelbërimin e kryeqytetit. Dhe më 1992 – 1998 si inxhinier projektues gjelbërimi pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike.
Aktiviteti kryesor dhe më i gjatë i Skënder Dëshnicës është specialist në fushën e gjelbërimit. Kështu, gjatë periudhës 13-14 vjeçare për gjelbërimin e Tiranës ai organizoi në tërësi poblemet e gjelbërimit në kryeqytet dhe hartoi projekte zbatimi për një numër parqesh e lulishtesh, edhe në rrethe të tjerë, si në Durrës, Berat, Vlorë, Skrapar…
Kreu mjaft studime në këtë fushë, nga të cilët përmendim: “Studim dentrologjik i Parkut të Madh – Tiranë”, “Studim i Kopshtit Zoologjik – Tiranë”, “Studim për desiptimin e florës spontane me vlera dekorative në rrethin e Tiranës”, “Studim për rikonstruksionin e gjelbërimit të Lanës”, Studim në shetitoren bregdetare dhe në plazhin e Durrësit”, “Projekt gjelbërimi në Varrezat e Dëshmorëve, pranë Universitetit, për qendrat spitalore në Tiranë, në disa shkolla, si në Akademinë Ushtarake, në Institutin e Lartë Bujqësor, në Qytetin Studenti, etj., si edhe “Studimin e planit perspektiv të gjelbërimit të Tiranës (1980-1990)”.
Në Intitutin e Studimeve e Projektimeve Urbanistike (1990-1998) ka marrë pjesë në grupe pune për hartimin e planeve rregullues në Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, në studimin e gjelbërimit për disa zona bregdetare, për rajonin Tiranë-Durrës-Elbasan, për vijën bregdetare turistike të Shqipërisë, për disa parqe kombëtare, etj.
Ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Pyjeve për problemet e gjelbërimit, po ashtu në Shkollën Komunale për teknikë të mesëm gjelbërimi. Ka qenë udhëheqës projekt-diplomash për gjelbërimin në Fakultetin e Pyjeve, etj.
Ka qenë bashkëpunëtor në RTV për problemet e gjelbërimit, ka shkruar në revista e gazeta për to.
Ka marrë pjesë në oponenca, kumtesa në konferenca kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në vendin tonë dhe në Rumani për problemet e ruajtjes dhe të mbrojtjes së mjedisit, duke qenë edhe anëtar i disa shoqatave të kësaj fushe”.
Skënder Dëshnicës në kohë të reja
Skënder Dëshnica, bir i një atdhetari demokrat, qoftë si student apo si inxhinier i përkushtuar në punën e vet fisnike në shërbim të Shqipërisë, ëndërronte për një jetë më të mirë, me liri e demokraci. Ndryshimet e mëdha në kampin socialist i ndoqi me shpresë për shembjen e diktaturës komuniste në vendin e vet. Pas vitit 1990, krahas punës krijuese në Instituitin S. P.Urbanistike, mori pjesë edhe në shoqata mjedisore me bindje të djathta. Vepra e inxhinier Skënder Dëshnicës, sado e dëmtuar në vitet e fundit, nga paksimi i parqeve, prishja e fidanishteve, për shkak të betonimeve pa plan, është e gjallë edhe sot. Projektet e dokumentet teknike në arkiva dhe në bibliotekën e tij vetiake, tashmë vlejnë për ekipin e specialistëve, që merren me hartimin e planit rregullues të Tiranës.Por mjerisht, ndryshe nga projektet e inxhierit dijetar Skënder Dëshnicës. në këto kohë shthurjesh të kryebashkiakut Erion Veliaj Tirana e gjelbëruar,ka marrë ngjyrën gri të betonimeve dhe të pluhurit Në qëndër të kryeqytetit blerimi është shfarosur,kurse në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pishat buta që dikur krasiteshin aq bukur tani janë harlisure kanëmarrë përpjetë qiellitn. Fitorja e demokracisë dhe largimi ngaBashkia e Tiranës e Erion Veliajt, do të shpëtojë jo vetëm Tiranën nga betonimet rrënimtare, por edhe projektet shpëtimtare të gjeberimit të Tiranës, vepra të inxhinierit dijetar të paharruar Skënder Dëshnica.
OH, KY ZOG I BARDHË!
– në kujtim të tim vëllai –
Rrapi hijerëndë mbi Dajt, pse u dridhërua?
Petku malësor me tis nate pse u errësua?
Ç’është ky ankthpishash, bredhash të blertë?
E pse bilbili më s’këndon mbi degë nën fletë?
Ujëra lotësh nga burimet derdhen në humnera!
Palë – palë majave – re e mjegullim!
Vrenjtur në lirishtë, era meket në trishtim!
Lulet, stoli alpesh, nëpër parqe rritur,
etja, zheg i gushtit, fort i ka zhuritur!
Shelgu degëlëshuar, heshtas qan mbi ujë,
rreth e qark liqenit – prishje, gurë e zhurë.
psherëtijnë gjethet, frashëri e ahu,
fjalë të blerta thonë fjalë drurësh thon
Iku zogu i pyllit
lart mbi re u ngjit,
tej në kaltërsi, ikën e merr frymë.
gjithë peng në shpirt
dhe me mall ndër sy.
O ky zog i bardhë, o ky shtërg i rrallë,
në çfarë bukurish, vallë, do të ndalë
Iku, biri yt, Tirana,Tirana jonë!
Larg një zë me mall jehon:
Lumnoi nëpër pyje,
humbi nëpër yje!
———-
Gusht 2022