Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Prifti: Homazh për mjeshtrat rehovarë të gurit!

Unë nuk di të vjershëroj, nuk di as të këndoj, siç kënduat ju, mjeshtrat e gurit, me daltën e çekanin, siç duruat ju, kur gdhendnit lule, pëllumba, data, lule e gjethe, kur sillnit aromën e Gramozit, fuqinë e ajrit dhe të jetës, që ai mal i bekuar ju dhuronte juve dhe fëmijëve tuaj. Ju ishit duarartë, ishit mjeshtra të vërtetë të gurit, drurit dhe jetës që ndërtonit. Ju ishit zemra dhe shpirti i njerëzve, shija artistike e tyre, tregonit dëshirat e tyre, ishit ata që po ndërtonit monumentin tuaj të gurtë, që po linit një kujtim të paharruar, që po tregonit dashurinë tuaj për njerëzit, për të bukurën, për jetën.
Ju keni mbetur në kujtesën e njerëzve, sepse punuat për ata. Ju i dhatë kuptim jetës njerëzore edhe pse ishit në shumë vështirësi. Ju ishit trima, sepse niseshit në kurbet me një torbë që kishte brenda një copë bukë, çekanin dhe daltën. Ato i merrnit pas kudo, sepse jo vetëm ndërtonit, por sepse ju u zbukuronit jetën të afërmve tuaj edhe të tjerëve, sepse ju e donit jetën e të gjithëve, donit lirinë dhe dashurinë e të gjithëve.
Ju ishit një botë e tërë, një oqean plot me jetë dhe ide, sepse ishit artistë, sepse ishit “ustallarë”. Ju mbetët në kujtesën e njerëzve, sepse latë gjurmë të thella, latë veprën tuaj shumë të bukur, me shumë jetë, me shumë optimizëm. Ju ishit truri dhe shpirti i fshatit, sepse ishit brezi, që u tregoi brezave se si duhet jetuar e punuar, ju treguat se si duhet dashuruar…
Ju treguat se çfarë ishte edukata dhe kultura e punës, treguat se çfarë duhet të bënte rinia për vete dhe për të tjerët, për jetën e atyre që vinin pas. Ju ishit shëmbulli më i mirë se si duhet punuar, jetuar e dashuruar.Këtë e bëtë me punë, me dashuri për artin, për jetën për Perëndinë. Ju keni gdhendur kryqe, keni gdhendur ëngjëj, keni gdhendur Krishtin e Shën Marinë, keni gdhendur parajsën mbi e nën tokë.
Shëtis i malluar nëpër sokakët e Rehovës dhe kujtoj me radhë çdo usta. Herë e nis nga kreu i fshatit, herë nga një portë diku në mes të tij dhe i parafytyroj ata që kanë gdhendur qemerët e portës së usta Koles. Ajo portë ka disa gdhëndje: një degë ulliri, një gjarpër, një portokalle, një luan edhe një figurë njeriu. Më tej një portë tjetër me qemerë me kapitele të gdhendur për merak dhe brenda oborrit lule e trëndafila. Në një sokak të shkurtër është porta e usta Petros, e ustait që dinte të punonte vetëm me mermer, por edhe të gdhëndte mjeshtërisht Ai e kishte bërë gurin të fliste edhe për historinë e jetës së tij në Stamboll, kur punonte për monumentin e Ataturkut. E pas këtij sokaku ngrihet një prej ndërtimeve më të bukura të Rehovës, Kisha e Shën Kollit, gurët e së cilës janë gdhendur nga të gjithë mjeshtrat rehovarë duke filluar që nga viti 1820, 1910, 1927. Aty do të shikosh një kryq në gur të gdhendur si pergamenë nga usta Jorgji dhe më tej te “skoloja” do të gjesh gdhendje të usta Naum Priftit, stërgjyshit, do të shikosh një ëngjëll, një thëllëzë në fluturim, arabeska, lule, një datë që i ka mbetur vetëm numuri i fundit “3”. Dikur ishte data e ndërtimit të “Skolosë” 1883.
A mund të harrohet me dhjetra e dhjetra ustallarë në kohë e vite para dhe pas një shekulli? Kurrë! Ata kanë lënë vepra, kanë shkruar testamentin e tyre, duke treguar dashuri, art dhe shumë zgjuarësi. Emrin e kujt të përmend më parë. të Naum Priftit, të Kostë Priftit, të Kozma Panes etj ? Do të përpiqem të jap sa më shumë ermra nga ata që mbaj mend unë, apo që tregojnë miq e shokët e mij. Janë mbi gjashtëdhjetë.Po e nis me radhë: Naum Prifti, Kostë Prifti, Thoma K.Prifti, Jorgji Prifti, Nikolla A. Prifti, Spiro N. Prifti, Qiric Qorri, Guri Koti, Kole Jorgji, Kole Kuqe, Jorgji Kuqe, Petraq Kuqe, Ligor Joti, Ligor Gjoshe, Sotir Joti. Simo Joti. Kozma Joti, Nikolla Joti, Pando Joti, Lazi Joti, Petro Dedo, Josif Dedo, Jorgji Gjoshe, Vasil G. Zisi, Lazi Zisi, Qiric Telo, Simo Telo, Ilia Telo, Gaqi Telo, Thoma Lilo, Kristo Lilo, Jorgji Kole, Gaqi Naçi, Ligor Naçi, Vangjel Xheka, Kole Jorgji, Jorgji Cakuli, Stefan Cakuli, Petro Kalino, Thimi Boxhufi, Rrapi Tase, Miti Birbo, Mina Birbo, Vangjel Birbo, Xhoxhi Koti, Josif Koti, Naum Milo, Nikolla Milo, Mina Theodhosi, Gaqi Theodhosi, Ligor Theodhosi, Guri S. Prifti, Jani Aristi Prifti, Vasil Konine, Mikail Thomollari, Llambro Konine, Kristo Konine, Vasil Note, Kristo Note…
Ju kërkoj falje të gjitha atyreve që nuk u kam përmendur emrin. Janë mbledhur disa breza mjeshtrish dhe çdo brez ka lënë gjurmët e veta nëpër portat dhe sokakët e fshatit, duke krijuar një botë të tërë të përjetëshme prej guri të gdhendur. Ata të gjithë meritojnë të përjetësohen nga brezi i sotëm, i cili mburret me veprën e paraardhësve! Ne, pasardhësit e tyre kemi të drejtën të mburremi për veprën e të parëve tanë, por, duhet t’i ruajmë dhe t’i mirëmbajmë veprat e tyre artistike në gur, duhet t’i përjetësojmë emrat e tyre!
Please follow and like us: