Josep Borrell: Sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi!
Ju faleminderit për durimin. E dini si janë këto takime, e di kur fillojnë por nuk e di kurrë se kur mbarojnë.
Sot, prita këtu në Bruksel presidentin Aleksandar Vuçiq nga Serbia dhe kryeministrin Albin Kurti nga Kosova. Ky ishte takimi i tretë i nivelit të lartë i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Së bashku me Përfaqësuesin Special [të BE-së] Miroslav Lajçak, të cilin dua ta falënderoj [për] punën e mirë, e thirrëm këtë takim sepse po përballemi me zhvillime shumë negative në terren dhe me tensione në rritje në veri të Kosovës.
Dhe kjo ndodh në një kohë kur jemi në një moment kritik për [rajonin] dhe Evropën. Po e shohim rikthimin e luftës në kontinentin tonë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Po përballemi me një moment dramatik dhe shumë të rrezikshëm për kontinentin tonë. Dhe ky nuk është një moment për rritjen e tensioneve – është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura prej kohësh.
Siç u thashë të dy liderëve, ky ishte një takim në modalitetin e menaxhimit të krizës. Ishte një takim për menaxhimin e krizës, nuk ishte takim i zakonshëm. Dhe qëllimi i këtij takimi ishte që të qetësohet situata në terren.
Mendoj se si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti e kuptuan se nuk ka alternativë ndaj dialogut [të lehtësuar nga BE-ja] për ta zgjidhur këtë problem.
Dhe unë do ta kem këtë shumë lart në agjendën time, me mbështetjen e posaçme të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron të shohë tensione të reja në periudhën e ardhshme dhe palët do të jenë plotësisht përgjegjëse për çfarëdo përshkallëzimi në terren.
Sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të diskutojmë, duhet të kërkojmë zgjidhje. Procesi do të vazhdojë.
Ka qenë një ditë e gjatë takimesh dhe mendoj se rezultati më i rëndësishëm është të themi se jemi pajtuar që duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një mënyrë që është inteligjente dhe e përgjegjshme politikisht, në kërkim të një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe reciprokisht të pranueshme në një situatë që po krijon pasiguri dhe jostabilitet në radhë të parë për qytetarët e rajonit, por edhe për Evropën në tërësi.