Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: “TË GJITHA DASHURITË” E ANA TISIT

 

 

Ana Tisi u njoh para disa muajve, ndoshta bëhet gati një vit, me dy përmbledhjet e saj poetike, me të njëjtin titull “Te gjitha dashuritë”, me ndarjen në vëllimi i parē dhe vëllimi i dytë. Botuar nga Klubi i Poezisë, një botim cilësor, me kopertinë të kuruar bukur dhe tërheqëse për syrin e lexuesit.

Pa kaluar kohë ajo vjen përsëri në optikën e lexuesit, por kësaj radhe ajo i referohet lexuesit të vogël, me një botim mjaft të vlefshëm, titulluar “Përrallat e Ana Tisit”, një libër i kuruar dhe me ilustrime të bukura, që depërtojnë e ndezin fantazinë femijërore.

Ana Tisi po integrohet në hartën e madhe gjithëshqiptare të letrave dhe me vullnet e këmbëngulje, po ngul në tokën magjike të artit, flamurin e saj të bardhë. Me të tjerë libra që për momentin janë në proces e dorëshkrim, ajo po punon dita- ditës, e po u jep konturet e fizionominë letrare, por mbi të gjitha origjinalitetin poetik. Së shpejti, libra të tjerë do të ketë për lexuesin, që mbajnë firmën e Ana Tisit.

Po ku qëndron forca dhe veçantia e poezisë së Ana Tisit? Pasi ke hyrë në brendësinë e të dy vëllimeve të saj do krijosh bindjen e plotë, se e gjithë poezia e saj karakterizohet nga forca e dashurisë. Nga dashuria për njeriun e thjeshtë, gjer te një dashuri sublime ndaj Zotit, duke hapur përpara lexuesit botë të panjohura, që ajo nëpërmjet përjetimeve apo fantazisë, i shtjellon më së miri, për të paraqitur shumëdimensionalitetin e jetës, apo të disa jetëve paralele brenda njeriut. Ajo shpalos botën e saj të brendshme, që shpërthen si një katarakt përmes vetëdijes dhe pavetëdijes dhe atje ku këto dy shqisa takohen, njeriu zbërthen më shumë nga enigma e pafundme e botës, qartësohet gjithnjë e më shumë me rolin që kemi në jetë dhe misionin njerëzor në vazhdimësinë e jetës, kësaj dhurate të çmuar qē na është dhënë dhe shpesh s’ia dimë vlerën.

Magjia e fjalës” dashuri” nëpër vargjet e Ana Tisit ështē e pakufijshme. Ajo rrok qiejt e kaltëruar, apo të mbushur me të errtën e natës, por edhe qiejt e fshehur brenda mendjes, ato hapësira që jo gjithkush i ndjen e i prek dhe jo çdokush ka mundësinë të fluturojë i lirë e i shpenguar brenda tyre. Ana Tisi është një poete që rri midis jetës dhe vdekjes, midis së mirës dhe së keqes, midis shenjtërimit dhe profanizmit dhe me lutjet dhe parashikimet e saj poetike, lufton për të sjellë dritën dhe të vërtetën, lufton të keqen për të shëruar shpirtin, i mbyll portën me shul ndyrësisë, për tē lënë hapësirë vetëm për qashtërimin. Si një lajmëtare që endet mbi krahë engjëjsh parathotë me fjalët e saj dhe poezinë ardhmërinë e njerëzimit, dëshiron që kjo botë të bëhet më e bukur dhe më e mirë, për t’i sherbyer paqes dhe respektit për të gjjtha gjallesat që e banojnë.

Ja si shkruan ajo diku nëpër faqet e librave të saj:

“Dashuria ndonjëherë është një pikë vesë në barin e lëndinës, por nese i jep asaj përkushtimin e duhur ajo bëhet një burim që nuk shterron kurrë”.

Pra, siç shohim, në kontekstin universal, fjala dashuri ështē një term që përmbledh gjithçka. Dashuria përfshin jo vetëm njeriun, por edhe rrahjet e zemrës për një pikë vesë, shqetësimi që edhe një bimë të mbledhë uje e të shumojë rrënjët e saj, dëshira që edhe një flutur të ngarendë e patrembur në një qiell të pastër, e pa mbetje toksike. Nga dashuria, që është një ligj universal dhe i përjetshëm në vazhdimësinë e jetës, marrim sublimitetin dhe rëndësine e ekzistencës tonë mbi tokë.

Ja përsëri, thënie të autores, që s’ mund t’i lēmē jashtë këtij shkrimi, për vlerat që përçojnë.

“Rreze mirësie!

Qofsh i bekuar e paç një ditë rrezatuese me mirësi!

-Pse po uron kaq bukur, – i thotë ai.

-Po, sepse kështu e ndiej.

-E ke vënë re që kur flet, apo bën dicka të mirë, të denjë tjetrit, apo dhe një urim, edhe vetë ndihesh më mirë.

– Po.

-Atëhere pse të mos i japim urime të këndshme të gjithë, njëri-tjetrit?

– Po mirë do ishte por…

E di, njerëzit janë të vështirë…

-Por le ta filojmë me veten tonë.

Me shoqërinë tonë, ata me tjerët e kështu me radhë.

Të shpërndash rreze mirësie është e hijshme e ku ka më bukur se të kënaqësh zemrat.

– E ke vënë re që kur bëjmë diçka të keqe, apo mendojmë apo bëjmë dicka të gabuar fillojmë e gjykojmë veten!

Pa dale, jam i/e drejtë?

Mos po i hyj në hak?

Dhe të bren ndërgjegja në shpirt.

– Pooo.

-Epo une s’dua ta kem shpirtin tim me brerje ndërgjegjeje.

Ndaj më mirë preferoj të sillem mirë, këndshëm, më kënaq shpirtin kjo gjë.

Ke të drejtë,- i thotë ai,- Në fund fare nuk e mban njeri këtë botë, të gjithë ikim.

Pse të mos punojmë për paqen? E qeshura, gëzimi, hareja, të zgjat jetën!

Ose dhe në mos e bëftë këtë, të ndihmon të jetosh në paqe sa të jesh..

Njerëzit shpesh kur janë të mërzitur, nuk e shohin dritên.

Por shohin errësirën e mërzisë, ajo ta bën edhe më të zezë situatën .

T’i shohim gjërat me pozitivitet”!

Ja kredoja njerëzore e një poeteje të mbushur në shpirt me mirësi, ku paqja flet gjuhën e shpirtit, ku dëshira për të jetuar në harmoni mbizotëron çdo dëshirë tjetër. Ajo e di se bota është e mbushur plot kontradikta e ligësi, që njerëzit po bëhen gjithnjë e më të mbyllur në vetvete e të vështirë, që paraja u ka helmuar zemrën një pjese të madhe të njerëzve, por ajo shpreson, shpreson gjithnje, se duke përqafuar dashurinë, njerëzit do të bëhen më të arsyeshëm, më tolerantë dhe më të denjë për të ndarë fatin e përbashkët të të jetuarit e për t’i shërbyer më së miri vullnetit të zotit.

Dashuria në vargjet e Ana Tisit është një ndjenjë më shumë se ndjenjë, është një vullnet hyjnor që duhet ruajtur e paprekur. Bota e saj idilike na kthen në magjinë e Edenit ku njerëzit rronin si në parajsë dhe mëkati nuk ishte shfaqur ende. Ku Eva dhe të gjitha Evat ishin sinonim i bukurisë dhe pjellorisë, ku Adami dhe të gjithë Adamët, ishin ai njeriu që Zoti djersiti dhe e krijoi me aq dashuri duke i dhuruar shembëllimin e tij.

Në shpirtin e saj ajo ndjehet një lule e vogël dhe e bukur, një lule shprese që kalon përmes ngricës dhe errësirës, një lule që me gjithë kanosjet dhe vuajtjet do triumfojë dhe do i hedhë rrënjët e saj në shtratin e bekimit dhe të vërtetës. Ja disa prej vargjeve të mrekullueshme që ndeshim në njërin prej dy vëllimeve:

“Në mes të dëborës mbiu lulja më e bukur

Në mes të ngricës së acartë

Në mes të errësirës dhe dritës

Midis agimit dhe perëndimit të flaktë

Ish lule e shpresës dhe e dritës

Kish zgjedhur të ecte në rrugë të shenjtë

Por s’e dinte ajo

Se rruga me ferra ishte shtruar për të

Ecte këmbëzbathur në ferra e dëborë

Ia lagën buzën dhe shpirtin

Lotët që gjithmonë e ndiqnin atë

Se lot dëshpërimi nxori  lulja e gjorë

Paçka se diku edhe lot gëzimi

Ishte lulja e vogël me shpirtin si borë

Që ecte mes errësirës dhe zgjimit”.

Ana Tisi, nëpër faqet e librave “Të gjitha dashuritë”, nuk harron të shkruajë edhe mbi dashurinë midis një femre dhe mashkulli. Herë-herë me vargje të ëmbla që të kujtojnë vargjet lasgushiane, e ngadonjëherë në varg të lirë, sepse gjuha e shpirtit nuk mund të mbyllet në skema e korniza, ajo e gjen vetë rrugën e shprehisë e të lirisë drejt letrës. Edhe kjo lloj dashurie për autoren është e shenjtë, e mbushur me befasi e ngazëllim, me ndjesi e magji të pafundme. Ja disa vargje që i shkëputa nga faqet e librit:

…Në flokët e hënës shkrova emrin tënd

Bojën e mora nga qielli blu

Me oshtimat e malit e thirra  emrin tënd

E dëgjova në dallgët e detit blu

 

Ecja nëpër natë ashtu kuturu

Ecja zhuritur në brenga e ndjenja

Ecja e etur dhe e drobitur gjithashtu…

Përmes krahasimesh dhe metaforash ajo shprehet kaq bukur për dashurinë. Një dashurie që i shkruhet emri në flokët e hënës, me bojë të marrë nga qielli blu. Dhe ja një tjetër poezi që vjen si një përligjie e dashurisē.

“E vogla ime, e bukura ime

Për ty thur ëndrra të bukura, thur poezi

Ashtu si gërshetat thur,

Të ledhatoj flokët…

Përkund djepin

Ballin të puth

O, e bukur

E djeshmja ime

E pamundur

E tashmja në mendime

Ëndja e shpirtit,

Qetësia ime …”, etj..

Kur të shfletoni “Te gjitha dashuritë”, vargjet do t’ju mbijnë nëpër duar si lule të bukura shprese. Sepse poeti është si një pasqyrë që thith e përçon dritën e gjithësisë. Një e tillë është dhe Ana Tisi. Po e mbyll shkrimin për të duke ju lënë me vargjet e një poezie që e shpreh më së miri këtë që sapo thashë:

Mbi varre unë eca dhe mbi gjemba s’e pata të lehtë

Se thonë e vështirë qenka jeta, s’ka jetë pa të metë

Të metat bashkë me ne u lindën dhe me ne jetuan

Se vese të shumta na tunduan, drejt ferrit na çuan

T’i marrim këto vese të këqija, t’i lidhim fort me zinxhirë

T’i tërheqim zvarrë, t’i djegim, t’i heqim nga vetja, të jemi të lirë.

Please follow and like us: