Shqipëria digjet, OST krihet: tender për trajtim kozmetik
Skerdi Drenova, Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit e ka lëshuar dorën me paratë e shqiptarëve, dhe ka hapur tender me vlerë 130 mijë euro për pamjen e jashtme të punonjësve të tij. Drejtori siç duket ka menduar për pamjen e jashtme të punonjësve të tij dhe i do perfektë në dukje, ndaj ka financuar trajtime kozmetike me paratë e shqiptarëve.
Në pikën 36 të tenderit specifikohet “Trajtim kozmetik që nënkupton çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendje shëndetësore”.
Edhe pse e zeza në të bardhë, ku kriteri e specifikon saktë se ndërhyrja duhet të kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo për të shëruar një gjendje shëndetësore, OST e quan lajmin një spekulim dhe sqaron se procedura 130 mijë euro është për aksidentet dhe dëmtimet e punonjësve në punë dhe jo për kozmetikë estetike. OST bën me dije se ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë mbi 130 mijë euro, me objekt sigurimin e jetës dhe shëndetit për punonjësit e mirëmbajtjes së linjave dhe punonjëseve femra. Po sipas OST, kontrata parashikon që punonjësit e saj, të cilët janë të mbuluar nga sigurimi shëndetësor, pra shërbimi në spitalet publike, në rast nevoje ta përfitojnë këtë shërbim edhe në spitalet private.
Në përkufizimin global të trajtimeve kozmetike përfshihen ndërhyrjet e fillerave të buzëve ose ndryshe fryrja e tyre, rinoplastika që do të thotë rimodelimi i hundës, lifting e fytyrës (ngritja e lëkurës) për t’u dukur më rinore apo edhe botoksi për fshehjen e rrudhave.
E kush nuk do e donte një shef të tillë si Skerdi Drenova, për këtë kujdes të shtuar ndaj pamjes së punonjësve të tij që po ashtu paguhen nga taksat e qytetarëve.