Milazim Krasniqi: ÇFARË BISEDIMESH ME SERBINË I DUHEN KOSOVËS?
(…)
Kosova ka nevojë për marrëveshje që i jep fund konfliktit të ngrirë
Përtej këtyre dy qasjeve të skajshme dhe jorealiste të politikanëve të vendit tonë, është e qartë se Kosova ka shumë nevojë për dialog e bisedime me Serbinë, në mënyrë që çështjet e hapura, që janë si gur në qafë për shtetin tonë, të zgjidhen me marrëveshje. Parimi themelor në kontestet e mbetura ndërmjet shteteve që kanë qenë në luftë, është që shteti fitimtar, të ofrojë nisma për zgjidhjen e kontesteve të mbetura dhe arritjen e
marrëveshjes paqësore. Nëse Kosova ka fituar nga lufta me Serbinë, (nga një krahinë autonome është bërë shtet), atëherë Kosova ka nevojë më shumë se sa Serbia që të mbyll kontestet dhe që të çlirohet nga barra e gjendjes së luftës, të cilën e ka me Serbinë aktualisht. Fatkeqësisht, gjendja e luftës ndërmjet Kosovës e Serbisë është vetëm e ngrirë, por jo e hequr. (Pra, konflikti i ngrirë është ndërmjet Kosovës e Serbisë e jo ndërmjet Kosovës dhe serbëve në veriun e saj.) Marrëveshja e Kumanovës e obligon Serbinë në raport me NATO-n, por jo në raport me institucionet e Kosovës. Kosova nuk e ka zgjidhur konfliktin me Serbinë në vitin 1999, sikundër pohojnë disa politikanë ndër ne, siç nuk e ka të zgjidhur atë konflikt as në vitin 2012. Kosova që nga viti 1999 është nën mbrojtjen e NATO-s, por kjo formalisht është e përkohshme. Prandaj Kosova ka nevojë për një marrëveshje të veten me Serbinë, e cila do t’i jepte fund kontestit territorial dhe konfliktit potencial.
Më së miri do të kishte qenë po qe se dialogu do të zhvillohej në kuadër të diplomacisë së fshehtë, (pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.) Por, kjo nuk ka qenë e mundur që të imponohet nga një shtet i brishtë si Kosova, i cili efektivisht është nën mbikëqyrje civile dhe ushtarake. Prandaj as Serbia nuk ka pasur ndonjë interes të zhvillojë negociata të fshehta me një shtet që nuk është plotësisht sovran dhe nuk është i aftë të zbatojë marrëveshjet eventuale, si produkt i diplomacisë së fshehtë. Fatkeqësisht, kjo gjendje e Kosovës është edhe sot e do të jetë edhe pas 10 shtatorit, që do të thotë se motivimi për negociata të qeta, larg presionit të opinionit, nuk i konvenon Serbisë. Përkundrazi, Serbisë i konvenon që të bëhet sa më shumë hallakamë politike, sa më shumë zhurme mediale, sa më shumë ç’orientim i opinionit publik në Kosovë, sepse të gjitha këto së bashku e dobësojnë kohezionin politik e shoqëror dhe e dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës. Meqë për bisedimet e ardhshme me Serbinë ka muaj që është duke u zhvilluar hallakamë politike, zhurmë mediale dhe ç’orientim i opinionit, është e qartë se e gjitha i konvenon pozicionit negociator të Serbisë. Në Serbi tema e bisedimeve të ardhshme është margjinale, brenda një jave a përmendet një herë a nuk përmendet fare nga partitë e nga mediet. Sigurisht që institucionet e Serbisë (Kuvendi, qeveria e presidenti) e bëjnë punën e vet përgatitore, duke e përgatitur platformën koncensuale, por ata nuk janë në presionin e opozitës e as të medieve. Rrjedhimisht, edhe qytetarët e Serbisë janë më të qetë e më kontribues për pozicionimin sa më të fortë të qeverisë së tyre në bisedimet e ardhshme me qeverinë e Prishtinës. Kjo në dukje të parë është paradoksale: qeveria e shtetit humbës është më komode, ndërsa fitimtari është në siklet, në depresion pothuajse kolektiv. Kjo gjendje kushtëzohet nga papjekuria që e karakterizon politikën në Kosovë, ku dominimi i reagimit emocional, zbulimi i paditurisë dhe optimizmi pa mbulesë, i jep shpresë humbësit se mund të rikuperojë humbjen e para trembëdhjetë viteve. Pra, Serbia e dëshiron dialogun, me shpresë se do t’i shfrytëzojë dobësitë e shoqërisë dhe të qeverisë sonë, e jo pse ka adute të forta në duar. Të gjithë në Serbi e dinë se Kosova është bërë shtet i pavarur me intervenimin e NATO-s e nën sponsorizimin e SHBA-ve dhe se kjo pavarësi nuk mund të zhbëhet përderi sa është e njohur nga shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca e Gjermania. Është e qartë se gjeopolitika e Perëndimit ndaj Ballkanit e ka sjellë intervenimin e NATO-s dhe se mbetja e Kosovës nën ombrellën e saj mbrojtëse (bashkë me Shqipërinë që tashme është anëtare e NATO-s, po edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e me Kroacinë) është e pakthyeshme. Megjithatë, Serbia luan lojën e vet, gjasme nuk i ka të mirënjohura këto fakte dhe shpreson se në të ardhmen mund të ketë ndryshime të raportit të forcave ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Projektet serioze të shtetndërtimit (edhe me pretendimet e veta imperiale a koloniale) nuk janë sezonale, po të qëndrueshme dhe presin kohë të përshtatshme për finalizim ose për revansh. Edhe nga ky aspekt, pra i favoreve të tashme gjeopolitike, Kosova më shumë ka arsye të ngutet që të arrrijë marrëveshje të negociuara e të qëndrueshme me Serbinë, se sa Serbia. Por, edhe në planin praktik, Kosova ka arsye më të mëdha që të kërkojë dialogun dhe arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, ngase është nën presionin ngulfatës të Serbisë, e cila ka kontroll mbi një pjesë të territorit të Kosovës, me të cilin sa herë dëshiron e lëkundë stabilitetin e shtetit tonë. Kosova nuk ka kapacitetet e nevojshme për ta ndryshuar vetë këtë gjendje, (raporti i forcave është në favor të Serbisë), po as mandatin e mirëfilltë shtetëror nuk e ka, meqë KFOR-i është autoriteti kryesor për sigurinë në kufijtë e Kosovës (intereveninmi do të shkaktonte konflikt ndëretnik dhe involvim të Serbisë në konfliktin brenda Kosovës.) Prandaj, Kosovës i duhet dialogu, i duhen bisedimet e ndërmjetësuara, në mënyrë që disi ta lehtësojë edhe presionin e orkestruar nga serbët lokalë të veriut dhe nga shteti serb.
Çfarë kornize duhet të kenë bisedimet e ardhshme?
Por, Kosovës nuk i duhen çfarëdo bisedimesh. Korniza tematike e bisedimeve duhet të fiksohet qartë dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë i pushtetit të popullit në vendin tonë. Formati mund të jetë bisedime politike për çështjet e hapura ndërmjet Kosovës e Serbisë, por që si kufi nistor e kanë vendimin e Gjykatës së Hagës për pavarësinë e Kosovës dhe rezolutën e Asamblesë së Përgjitshshme të OKB-së që e pasoi atë vendim. Vendimi i Gjykatës vetetiu përfshinë brenda vetes edhe rezolutën 1244, meqë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me atë rezolutë. Nëse temat shkojnë përtej vendimit të Gjykatës, kurrë nuk mund të krijohet një kornizë e pranueshme e tyre. Ndërsa, brenda kësaj kornize (pra vendimit të Gjykatës sipas të cilit pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare), mund të bisedohet edhe për serbët e veriut edhe për çfarëdo teme tjetër. Kur kufijtë janë të garantuar, duke respektuar kornizën e krijuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës, kjo nënkupton se involvimi i Serbisë nuk mund të jetë në çështje që janë të brendshme. Rrjedhimisht, problemet e serbëve të veriut do të adresoheshin ne një dialog të veçantë të tyre me qeverinë e Kosovës, me çka edhe qeveria e Serbisë do të mund t’i lante duart e të mos dukej e turpëruar në sytë e qytetarëve të vet.
27 gusht 2012.
Please follow and like us: