Albspirit

Media/News/Publishing

Vdiq si Esenini dikur, në hotel… midis Dubait!

Vdiq si Esenini dikur, në hotel… midis Dubait!
(sguraziu – ap, maj 22)

(…ulni mburojat, dorëzohuni, veçorinë tuaj biologjike dhe teknologjike do ta përvetësojmë, kultura juaj do t’përshtatet dhe adaptohet në shërbimin tonë, rezistenca është e kotë…)

…pse jo 7-8 ditë në hotelin më të lartë në botë – thoshte reklama e Internetit dhe siç dihet reklamat janë skajshmërisht “këmbëngulëse”, persistente… si mizat e mërzitshme, deri në çmendi-bezdisjen, aq sa na çojnë madje në vrasjen e paramenduar, na kthejnë në “mizorë”, tjetër që s’i zëmë dot, do i vrisnim… ama pa “plan”, s’është s’e do kemi ndonjë strategji, thjesht nëse t’ia qëllonim pikës, aty për aty…

…hm, “hoteli më lartë” i botës, kjo reklama si për inat më “provokonte”, s’më shqitej, dhomë “deluxe” me pamje nga Burj Khalifa – thoshte, dmth. rishtas “lartësi” mëvete, ata emiratët nonstop krenohen për arkitekturat e për hotelet luksoze të Dubait, jo vetëm ky hoteli që na qenka më i larti i botës, por ka me vite mburren se Khalifa është ndërtesa më e lartë në botë, herë tjetër na thonë vila më e lartë, xhamia më e lartë, hoteli më i lartë, minarja më e lartë, pallati më i lartë, koteci më i lartë… ne ngelim gojëhapur, mahnitemi që kemi vajtur dëm, as idenë s’e kishim se u takuakan të gjitha rekordet e lartësisë – larg keqkuptimeve, natyrisht që kanë të drejtë në të drejtën e tyre, u lumtë për lartësinë, për krenarinë, për zotësinë etj etj…

…fjalën e kishim tek “mizat” që pa mëshirë, pa asnjë grimë respekti për qeniet me intelekt (të përtej-xhamit), e ndotin hapësirën tonë, politikat e sotme reklamatike të magnatëve virtual vërtet i kalojnë kufijtë e marrëzisë e të pangopësisë, thuase insistojnë t’na e shpalosin “natyrën” komplet të njeriut si specie, vallë si është e mundur t’jenë kaq të paturpshëm, vallë vërtet pandehin se paskan të drejtë t’na e ndotin hapësirën (tonë virtuale), vallë kush ua jep të drejtën për ndotjen e dhunshme dhe të paskajshme, mos vallë edhe në “cyberspace” patjetër duhet të vlejë analogjia xhungleske, thjesht e kopjojnë drejtësinë e “ligjeve luaneske” të prerive në Serengeti…

…për t’patur qasje në një video 10-sekondshe, bie fjala Youtube tashmë fillimisht na detyron t’i “shohim” jo 1 por 2 reklama, secila 10 sek, sa herë t’i teket Youtube ia bën “freezing” videos dhe i torturon me miliona njerëz, secilën sekondë, secilën minutë… 24/7 torturë psiko-kulturore, me sa mbaj mend dikur ishte 1 reklamë, dhe atë 5 sek, tani siç u teket “pronarëve” të Internetit, çdosecilën ditë i ndryshojnë tekat sipas qejfit, na i imponojnë të gjitha kushte e konditat…

…ne heshtim, as gëk as mëk, qëkur Interneti s’është më i vizitorëve, sipas tyre tashmë vizitorët na qenkan të “Internetit”, dmth. tashmë ne “jemi” të tyre, sepse na kanë në dorë, ia paskemi shitur shpirtin djallit të pashpirt, s’kemi shpëtim, “just obey… resistance is futile, rezistenca është e kotë, ulni mburojat, dorëzohuni, veçorinë tuaj biologjike dhe teknologjike do ta përvetësojmë, kultura juaj do t’përshtatet dhe adaptohet në shërbimin tonë, rezistenca është e kotë” (we are borg : )

…me këmbëngulësinë marramendëse të reklamave moderne, s’ka si i reziston njeriu tundimit, fare lehtë mund të vendos të shkoj dhe pikë, ja… pothuaj s’kam tutje as hezitim as mëdyshje, ama thjesht sa ta gjejë dhe ndokend për “shoqëri”, pasi vetëm, fillikat mërzitet njeriu, sado luksoze na qofshin hotelet, sado joshëse suitat e pishinat, dihet se luksoziteti është vrastar po aq sa dhe vetmia, s’ia vlen të vdiset nga monotonia, do çuditeshin njerëzia, “lamtumirë, vdiq si Jesenini dikur, në hotel… midis Dubait” – do thoshin:)

Please follow and like us: