Albspirit

Media/News/Publishing

Revolucionari i shkencës: Kush ishte Galileo Galilei

Në cilësinë e ”babait” themelues në fushën e fizikës dhe astronomisë, Galileo Galilei është i njohur për kontribute të panumërta në shkencë. Mendimtari italian, përdori një qasje metodike matematikore për studimin e Universit, dhe frymëzoi metodën shkencore moderne, që mbetet ende sot baza e kërkimit shkencor edhe 380 vjet pas vdekjes së tij.

Risitë e tij në fushën e lëvizjes dhe gravitetit, janë po aq të jashtëzakonshme, dhe kanë hedhur themelet për fizikën e sotme, duke e bërë atë një nga shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Por të gjitha këto kontribute janë eklipsuar nga vëzhgimet e tij astronomike, të cilat zbuluar për herë të parë njollat në Diell, krateret në Hënë dhe yjet në të gjithë Rrugën e Qumështit, për të mos përmendur zbulimin e tij monumental se si kozmosi rrotullohet rreth Diellit.

“Unë zbulova në qiell shumë gjëra, të cilat nuk ishin parë para epokës sonë”- shkroi Galileo në vitin 1615. Në fakt, ai e ndryshoi mënyrën se si njerëzit e perceptonin botën. Ja cilat janë disa nga faktet më intriguese për jetën dhe karrierën e tij, që mund të mos i keni ditur.

Emri dhe mbiemri tingëllojnë enkas të ngjashëm

Ai lindi në Toskanë të Italisë në vitin 1564, një kohë kur prindërit u vinin shpesh djemve të tyre emra personalë, të frymëzuar nga identifikuesit e tyre tradicionalë të familjes. Në fakt, paraardhësit e Galileos në fakt përdorën termat “Galileo” dhe “Galilei” në mënyrë të ndërsjellë si mbiemër gjatë gjithë viteve.

Edhe pse tingëllon e çuditshme, njerëzit në këtë kohë i perceptonin si mjaft fleksibël rregullat e vendosjes së emrave. Shumica e italianëve në atë kohë, duke përfshirë Galileon, e prezantonin veten me një emër të vetëm, të cilin herë pas here e plotësonin me profesionin, qytetin e origjinës, emrin e babait ose mbiemrin tradicional të familjes.

Ishte një përfaqësues i vërtetë i Rilindjes

Gjatë moshës madhore, Galileo punoi si astronom, fizikant, filozof, shpikës dhe matematikan. Ai i tregoi disa nga këto aftësi që fëmijë, madhe edhe në disa fusha artistike. Kështu mësoi gjithçka rreth muzikës nga babai i tij, Vinçenzo Galilei, që punonte si muzikant dhe kompozitor oborri. Po ashtu ai mori seriozisht në konsideratë karrierën e piktorit. Në fakt, më vonë Galileo iu bashkua Akademisë së Arteve të Vizatimit në Firence, dhe do të vazhdonte të këshillonte piktorët më të mirë të kohës.

Shkencëtari u largua nga universiteti

Për shkak të inteligjencës së tij të jashtëzakonshme, Galileo u dërgua të studionte në Universitetin e Pizës në moshën 16-vjeçare. Atje, i riu u regjistrua fillimisht si student i mjekësisë, por u magjeps gjithnjë e më shumë nga matematika.

Por në vitin 1585, braktisi studimet për shkak të vështirësive financiare. Ai vazhdoi të studionte matematikën në mënyrë të pavarur dhe si mësues deri në vitin 1589, kur ai u kthye triumfalisht në atë universitet, këtë herë si një profesor me kohë të plotë i matematikës.

Ai ishte i njohur si një eksperimentet e tij praktike

Leksionet e Galileos për matematikën, mekanikën dhe astronominë tërhoqën shumë vëmendje. Në fakt, një nga studentët e Galileos, Vinçenzo Viviani, tregoi më vonë se turma të mëdha njerëzish ndiqnin eksperimentet e tij nëpërmjet hedhjes së sendeve të ndryshe nga kulla e famshme e Pizës.

Ai vërtetoi se shpejtësia e rënies së tyre, ishte e pavarur nga pesha e tyre. Por më vonë nisi të debatonte me studiuesit e tjerë, të cilët u ofenduan për shkak se profesori po minonte vetë teoritë, që dikur kishte mësuar në shkollë. Në vitin 1592, kontrata e Galileos në Universitetin e Pizës skadoi, dhe studiuesi shkoi në Universitetin e Padovës, ku punoi nga viti 1592 deri në vitin 1610.

Nuk u martua asnjëherë, por krijoi një familje

Gjatë gjithë Epokës së Rilindjes, studiuesit dhe akademikët martoheshin rrallë. Edhe Galileo nuk bëri përjashtim. Gjithsesi ai ishte i lidhur me Marina Gamban, me të cilën pati 3 fëmijë:Virxhinia, Livian dhe dhe Vinçenzon. Dy vajzat u bënë murgesha në manastirin e Shën Mateos në Arçetri, ndërsa djali pati një karrierë si muzikant.

Ishte një shpikës pjellor

Galileo vlerësohet për disa shpikje të rëndësishme, përfshirë termoskopin (një pararendës i termometrit të sotëm që tregon luhatjet e temperaturës), por dhe busullave ushtarake. Ndërkohë shpiku edhe makinën llogarritëse që u përdor për shumëzim dhe pjesëtim, dhe për gjetjen e rrënjëve katrore dhe në kub. Galileo i shiti këto shpikje për të plotësuar pagën e tij si profesor.

Përmirësoi shumë teleskopin

Në vitin 1609, Galileo mësoi për një shpikje në Holandë, që i bënte objektet e largëta të dukeshin shumë më afër. Studiuesi nisi menjëherë të krijonte diçka të ngjashme. Edhe pse ai nuk ishte i pari që modeloi teleskopin, astronomi e përmirësoi atë për t’i zmadhuar objektet 20-30 herë.

Vëzhgimet e Galileos zbuluan se shumë më tepër yje ishin shpërndarë nëpër qiell sesa pranohej më parë; se sipërfaqja e Hënës ishte e thepisur dhe e mbuluar me kratere; dhe se Dielli përmbante disa njolla të errëta. Këto zbulime sugjeruan për herë të parë se bota qiellore ishte larg nga të qenit e përsosur.

Po ashtu Galileo ishte i pari që vëzhgoi një unazë e çuditshme që rrethon Saturnin, 4 hëna satelitore lëvizin rreth Jupiterit, dhe që Venusi kalon nëpër faza që pasqyrojnë atë të Hënës Këto vëzhgime ishin shumë të domosdoshme për të shkatërruar teorinë e atëhershme mbizotëruese, që pretendonte se universi ishte i përqendruar rreth Tokës.

U përplas ashpër me Kishën (por jo me vetë katolicizmin)

Mbështetja e tij gjithnjë e më e hapur për “Heliocentrizmin” (Dielli ndodhet në qendër të sistemit), pati disa pasoja serioze. Në atë kohë, Kisha Katolike donte të mbronte modelin tradicional të kozmosit. Ndaj në vitin 1616, ajo e denoncoi Heliocentrizmin si “marrëzi dhe absurditet”, pasi dukej se binte në kundërshtim me disa pasazhe të Biblës.

Për këtë arsye, Galileo e shmangu këtë temë publikisht deri në vitin 1632, kur ai botoi “Dialogu” në lidhje me dy sistemet kryesore botërore, dhe ku mbështeste Heliocentrizmin. Galileo u gjykua menjëherë nga Vatikani, dhe u dënua me arrest shtëpie për një kohë të pacaktuar. Gjithsesi studiuesi mbeti një besimtar i devotshëm në jetën e tij personale. Ai u rrit si katolik, dhe madje mendoi në një moment të niste karrierën si klerik.

Ai u verbua (por jo nga Dielli)

Galileo vazhdoi të punonte dhe të shkruante gjatë kohës që ishte në arrest në shtëpinë e tij pranë Firences. Pikërisht gjatë kësaj kohe, nisi të turbullohej dhe shikimi i tij. Në vitin 1638, astronomi u verbua plotësisht. Ndonëse në atë kohë mendohej se verbëria e tij vinte nga shikimi i Diellit me sytë të lirë, kjo gjendje ishte shkaktuar ndoshta nga katarakti dhe glaukoma. / Discover Magazine – Bota.al

Please follow and like us: