Niko Kacalidha: ERA HEDH NË GJI TË VJESHTËS FJALËT E GËSHTENJAVE
(Dy poetëve arbëreshë, De Radës dhe Serembes)
Era hedh në gji të vjeshtës fjalët e gështenjave.
Poetët në breg të detit thonë se mbetën pa atdhe.
Nata e lagur nën ullinjtë, flokët e De Radës lag.
Unë nuk bëj vetëm lirika, – thotë poeti, atje larg.
Mos harro, bir Serembe, që t’u thuash brezave,
se prej kohësh nën ullinj s’na zë gjumi për atdhe.
Hëna si fytyrë liriku mbi shtëpitë e fshatrave,
u thotë mbrëmjeve në ëndërr: ej, si flini pa atdhe?
Era hedh në vesë të vjeshtës degë malli dhe ullinj.
Bëjnë lirika atje ndër brigje dhe i nisin në shtëpi.
Please follow and like us: