Albspirit

Media/News/Publishing

Ngjarja në uzinën e Gramshit, test brishtësie dhe situatë alerti për Sigurinë Kombëtare

Dr. Ardian Elezi

 

 

Ngjarja e rëndë në uzinën mekanike të Gramshit si një test në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë dhe si antar i NATO-s nga sulmi i agjentëve “të tipit bloger” tregon brishtësin e institucioneve tona të sigurisë dhe sfidave me të cilat ballafaqohen. Një episod i tillë mjafton për t’u shqetësuar se sa të ekspozuar jemi nga këto rrisqe, si dhe për ngritur situatën e alertit për gjendjen faktike ku ndodhet dhe ballafaqohemi në këtë drejtim, me mungesë kapacitesh dhe burimesh njerëzore dhe infrastrukturë logjistike, përmirësime të sistemeve të kontrollit, monitorimit dhe mbrojtjes, përmirësimit të tyre. Institucionet shtetërore dhe ato të sigurisë që mbahen dhe paguhen me taksat tona duhet t’i ofrojnë ombrellën dhe të mirën publike të sigurisë shtetasve të tyre që të jetojnë në paqe dhe ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë. Kërkohet dhe një ndërgjegjësim, edukim dhe pjesëmarrje të komunitetit për çështje dhe aspekte të sigurisë kombëtare. Banorët e asaj zone të Gramshit kishin 3 ditë që kishin pikasur dhe bërë me dije për prezencën e agjentëve “blogerëve, fotoreporterëve” në zonë, por që zëri nuk ishte dëgjuar, për të shmangur dhe ngjarjen a episodin e ndodhur në uzinë.

Dokumentat e Strategjisë së Madhe dhe Sigurisë Kombëtare duhet të rishihen dhe ridimensionohen dhe miratohen. Këshilli i Sigurisë Kombetare, nën drejtimin e Presidentit të Republikes duhet mbledhur dhe të analizojë gjithë situatën e sigurisë në vend, kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të sigurisë sonë, që vijnë nga krimi i organizuar, korrupsioni, situata e pakontrolluar ndaj bandave që kanë krijuar një ambjent favorizues dhe inkurajues për agjenturat dhe shërbimet e huaja që vijnë nga vendet jo mike të kamufluara si turistë, vizitorë nën emra dhe shtetësi edhe të vendeve të ndryshme, përfshire dhe perëndimore. Dokumentat e Sigurisë dhe Strategjisë Kombëtare duhen riparë dhe përshtatur me sfidat e reja të dinamikave dhe zhvillimeve teknologjike, ndërkohë që edhe afati i kësaj Strategjia Kombëtare  ka disa vjet që ka përfunduar dhe nuk është riparë e miratuar.

Kjo është një situatë alerti për organet e sigurisë në vend, sidomos në këtë kohë trazirash politike vendore dhe atyre të dinamikave dhe skenarëve të  rajonit të Ballkanit e veçanërisht e gjepolitikave dhe skenarëve të luftës Rusi-Ukrainë, me indikacionet e tyre gjithandej.

I urojmë shërim të shpejtë dhe shëndet dy ushtarakëve trima në mbrojtje dhe përmbushje të detyrës së tyre ushtarake, duke qenë afër tyre në këtë moment.

Please follow and like us: