Mendja “Cumlaude” – Doktor-plagjiatori Balla i shet mend Shqipërisë!
Mendja “Cumlaude” – Doktor-plagjiatori Balla i shet mend Shqipërisë!
S. Guraziu – Ars Poetica, Gusht 2022 – Koment
(…është absurd t’mos mund të operosh kriminalisht dhe njëkohësisht t’mos jesh kriminel – do duhej t’kesh liri “operacionale” të plotë për të operuar jokriminalisht si kriminel, përndryshe s’je i lirë… )
***
Një video e “freskët” shqiptare (thashë e freskët, “taze” e sotme, sepse ende s’e kishin parë as 500 veta, e News24) fillonte me “nisma e Partisë Socialiste për ndryshimin e Ligjit te Dekriminalizimit, nuk përfshin përfshirjen e ndalimit të hyrjes së politikanëve në Parlament, të shpallur “nongrata” nga ShBA, apo partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë – fakti u konfirmua nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Sa bukur ia filloi pastaj të sqaronte Taulanti, desh u mrekullova. Siduket, elasticiteti politik në Shqipëri i sfidon dhe vetë “ligjet fizike” të elasticitetit universal, i sfidon të gjitha formulat e elastikave. Se politika shqiptare është kryekëput kriminogjene, sipas meje ky fakt pothuaj qe “dëshmuar” me 1 ide të vetme gjeniale. Politikanët e atjeshëm e patën zbuluar idenë që “kriminelët mund dhe të de-kriminalizohen”. Dtth. dje kriminel, sot engjëll. Padyshim ide unike kjo, jashtëzakonisht e avancuar.
Qëkur gjithçka është çështje “ligjesh”, automatikisht gjithçka është çështje kornizash ku luhet loja. Psh. basketbollistët s’dalin “jashtë” fushës së vet dhe të zhvendosen (tutje me lojën) në stadiumin e futbollit. Absurd. E nisin ndeshjen aty ku u takon, me rregullat speciale shpikur për ta, dhe aty e mbarojnë. Aty-këtu ekspertët e basketbollit mund ta shpikin ndonjë rregull, pse jo. Edhe ata të futbollit, e kështu me radhë.
Gjithsesi, duhet shpikur ligjet, disa ligje janë ligje që duhet shpikur vetë. S’mund t’i përzihesh luanit, ashtu-kështu “i di Meta punt’ e veta” – thotë një thënie e kosovarëve. Nëse s’do shpiknin ligje të favorshme për vete, atëherë për kend tjetër. Sepse është absurd t’mos mund të operosh kriminalisht dhe njëkohësisht t’mos jesh kriminel (në fakt ndoshta është “paradoks” i veçantë shqiptar). Kriminelët duhet ta kenë lirinë për të qenë kriminelë, qoftë në të kaluarën qoftë në të tashmën. Duhet t’kesh liri “operacionale” të plotë për të operuar jokriminalisht si kriminel. Përndryshe mos prit efikasitet. Andaj sipas tyre, ja pse krimi dhe kriminelët duhet ta kenë veglën ligjore për “dekriminalizim”…
Tekefundit askush s’lind kriminel, fakti më bazik i pakontestueshëm, të gjitha foshnjet e kësaj bote engjëj. Neni 30, i “Ligjit Dekriminalizues” thotë: “kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë të ekstradimit”.
Ide gjeniale… pothuaj e njëjta politikë si ajo e LAPD (e policisë së Los Angeles – dhe e krejt Amerikës). Logjika e ligjit atje me gjasë na thotë se gjithë popullsia e Los Angeles është e pafajshme, andaj po t’i tekej policisë mund ta arrestojë gjithë Los Angeles-in, qofshin dhe 30 milionë. Apo dhe krejt Amerikën, qofshin 300 milionë. Por ja që s’është nevoja, do ishte shpenzim i madh operacional. Ja pse policia i arreston aty-këtu vetëm ata më të pafajshmit. Nëse gjejnë fakte e prova se na qenkan të “fajshëm”, bukur, i fusin në burg, nëse jo… asgje, hasta la vista baby.
Model i përkryer, pse t’mos përdoret dhe në politikë, qëkur partitë (andaj lart, sa më lart, kah maja e piramidës) janë diç si “klane, si klanokratura” të organizuara. Ose tekefundit, një shembull akoma më “brutal”, edhe mafiozët e kanë kodin e vet për ta mbrojtur tërësinë, duke mbrojtur njëri-tjetrin. Asnjë mafioz s’e hap gojën, as gëk kur e zënë, torturoje, çnjerëzoje, shkulja thonjtë, dhëmbët, bëji ç’të duash, kot. Vetë zënien e tij, rënien në dorë, ndoshta kodi e ka para-formuluar t’jetë diç si sakrificë për kapo-n, për kolektivin. Shih pra, siduket dhe vetë mafiozet i shpikin ligjet e veta. Përndryshe mafiozët do kapeshin përditë…
Mrekullia vetë, dikur e plaçkitëm Bankën Kombëtare… e çfarë pastaj, ata të Perëndimit të Egër i plaçkisnin bankat çdo ditë, madje ashtu hipur… mbi shalë. Kushdo që t’kenë qenë kriminelët, me Lul-an e me Fullan, tashmë kanë shansin të dekriminalizohen. Sepse ç’faj na paskan verdhushkat e metelikët! Të gjitha paratë e pista të së kaluarës, të së tashmës dhe ato të së ardhmës janë aq të pafajshme. Paratë si para s’e kanë idenë e krimi-logjikës, as të pafajësisë, madje s’dinë gjë as për “vlerën” e vet, e pikërisht ato na duhen. Faji ashtu-kështu u takonte kriminelëve, dihet kjo, dikur na ishte dikur, tashmë të dekriminalizuar. Ndoshta për herë të parë në histori, s’përjashtohet mundësia që ta arrijmë pafajësinë absolute. Dhe e gjithë kjo mrekulli, imagjino… falë 1 ligji të vetëm gjenial.
S’është larg në kohë, s’i ka as 2-3 vite (anise tema e plagjiaturave, pastaj e shitje-blerjeve, e diplomave universitare qe blihen e shiten, ka 30 vite që është kancerogjeni prezent ndër shqiptarët, disa gjëra ishin dhe janë të qarta “Kristal” – tjetër që s’bëjnë dhe aq shumë bujë, nganjëherë as “kolektivisht” nuk u konvenon, individualisht hiç se hiç), në v. 2019 “InsideStory” (Tiranë) u thoshte shqiptarëve “njihuni me deputetët dhe me diplomat e tyre plagjiatura”. Dmth. e kishte fjalën për mençuritë e tyre origjinale, të vjedhura mençurisht nëpër tekstet akademike të Evropës a të botës.
Dhe shih tani sa bukur e formulon ky “neni i dekriminalizimit”, i pafajshëm ngelet gjithkush (përderisa nuk i është provuar fajësia). E edhe kreu i grupit parlamentar socialist, z. Balla, prandaj videoja e tij është aq bindëse. Pikërisht ai duhet t’u shet mend shqiptarëve për “dekriminalizimet”, s’ka si më bukur.
Plagjiatura e tij e bënte skandalin edhe më të rëndë për faktin se ishte Kryetar i Grupit Negociator të Kuvendit në Parlamentin Europian – e pati shprehur dhimbjen “InsideStory”. Sepse afërmendsh, ky është një pozicion kyç, dhe mrekullia vetë, Shqipëria përfaqsohej në BE, pikërisht me zotësinë e plagjiatorit. Mbase ende s’dinë gjë ata të BE, sapo ta marrin vesh ato bukuroshet e Brukselit do thonë “wooow… ejani ju ballo-doktorantët sa më parë futuni nën jorganin tonë, zotësi të tilla s’kemi si i mohojmë”.
“InsideStory” ua sqaronte shqiptarëve se z. Balla ka doktoruar “cumlaude”, që do t’thotë me vlerësim maksimal, ndërsa doktoratura e tij është plagjiatura më ordinere, si shembull i padenjësisë. Si mund t’na përfaqësojnë njerëz të tillë në BE, kur pakashumë njëri nga konfliktet në BE ka t’bëjë dhe me pronësinë intelektuale – habitej atëbotë redaksia e “InsideStory” !
Taulant Balla doktoraturën e vet e ka “mbrojtur” në v. 2015, i gjithë kapitulli 5 është plagjiaturë. Ai do e vidhte mençurinë nga një punim shkencor (i Qendrës për Kërkime Politike Evropiane në Bruksel), kuptohet se do ketë qenë ndonjë “punim shkencor”, pasi nëpër të tillë artikuj ka mençurira, jo gjithandej. Ky material ishte botuar në v. 2009 dhe natyrisht se mbrohej nga e drejta autoriale.
Madje, për të qenë ironia akoma më “ironike”, kapitulli i 5-të përfshin propozime për reformimin e sistemeve vendimmarrëse të vetë BE-së.
Shih pra, shkëlqesi-zotësia e tij, plagjiatori Balla i shet mend dhe vetë Evropës, se mos vetëm Shqipërisë. “Institucione më efikase të BE-së – Instrumentet më të mira rregullatore kanë ndihmuar gjithmonë në forcimin e përgjegjësisë së komisionit në lidhje me grupet e interesit” – ka shkruar gjoja Balla dikur në “doktoraturën” e vet.
Si mrekulli e llojit të vet, ka mjaft gjëra interesante kjo histori, psh. bazuar në CV-në e tij – na rrëfente “InsideStory” – Balla i kreu studimet e larta në “Alexander University, Joan Kuza”, në Lasi të Rumanisë. Gjatë studimeve ka patur miqësi me një student rumun të quajtur Viktor Ponta. Ky i fundit më vonë na u bë (aq i madh, imagjino) Kryeministër i Rumanisë. Ashtu si Balla, edhe “shoku” i tij Ponta ka mbrojtur doktoraturë. Vetëm se në v. 2014 u zbulua që mençuria e Pontas ishte plagjiaturë. Ky lajm qe përhapur aneskaj Evropës dhe ish-Kryeministri rumun Ponta s’kishte kah ia mbante por ta dorëzonte diplomën, e cila e qartë që s’ishte “diplomë” përnjëmend. Të dy shokë shkolle, të dy njerëz me pushtet politik dhe të dy me doktoraturë-plagjiaturë.
[ https://youtu.be/qUfB4wBv46I ]