Për Luizën, policen me gjarpër në qafë, vajzat me shami dhe mentalitetin e mini-maksi fundeve
Edona Llukaçaj
Ashtu si çdo shqiptar u gëzova pamasë kur Luiza Gega triumfuese dhe me një rekord të ri kontinental shprehte ngazëllimin e arritjes së saj spektakolare, mbuluar me flamurin kuq e zi. Megjithëse me përkrahje të cunguar dhe besim të paktë në të, ajo ia doli mbanë të na bënte krenarë, si pakkush.
Kjo të bën të mendosh se të pasurit e pamjes që të shkon përshtat e të jetuarit jetën tënde si ta merr mendja – gjithmonë pa i cënuar të drejtën tjetërkujt- për gratë shqiptare është ende privilegj i rezervuar për kampionë të sërës së parë.
Fatkeqësisht, ndryshe nga kur bëhet fjalë për burrat, shumica dërrmuese e femrave në Shqipëri vazhdojnë të vlerësohen dhe gjykohen në bazë të tjera veçorive, por jo për arritjet e veta.
Gjarpri boa dhe fotot provokuese në rrjetet sociale të nënkomisares, tashmë të pezulluar, së policisë së Elbasanit u bënë gjerazi temë diskutimi, pas postimit të saj viral në lidhje me një vrasje të shëmtuar në këtë qytet.
Ndonëse as postimet, as fotot, as veshjet dhe as fjalori i përdorur prej saj nuk janë në shijen time, madje më ngjallin antipati e mëshirë, më bën çudi se në lidhje me zonjën veçse për këto flitet. Pa marrë përsipër të mbroj askënd që potencialisht mund të ketë shkelur kodin e etikës, më bën përshtypje se nuk përmendet karriera e saj relativisht e suksesshme në radhët e policisë, sidomos në krahasim me nivelin e përgjithshëm të punonjësve të këtij organi, që mund të cilësohet një shkallë mbi analfabetizmin dhe afër zeros në komunikim e ligjzbatim.
Përfolja e saj është në kontrast të fortë edhe me sa të rezervuar u treguam ne shqiptarët në lidhje me kolegun e saj mashkull, shkaktarin e tragjedisë së Potamit. I përjashtuar dhe ri-rreshtuar në organet ligjzbatuese me një varg pikëpyetjesh, jeta personale apo imazhi i tij nuk u përfolën. Vështirë të përcaktohet nëse do kishte qenë njëjtë nëse vdekja e 9-vjeçares do vinte nga manovrat e krisura të ndonjë gruaje që trembej se po i lageshin veshjet familjarëve.
Vëmendja e panevojshme që i kushtohet pamjes së grave, imazhit që ato zgjedhin për vete, dhe jo arritjeve të tyre si individë është edhe në thelbin e diskutimit për shaminë. Edhe pse jo drejtpërdrejt një çështje brenda Republikës së Shqipërisë, as këtu nuk munguan prononcimet pro e kundër mbulesës së grave në zyra publike dhe shkolla. Me siguri sepse të përjashtuarat nga këto të drejta e mundësi, pikërisht prej kësaj zgjedhjeje, nuk mungojnë as këtej kufirit.
E në vend të demonizimit apo idilizimit të një numri të caktuar femrash prej një zgjedhjeje thellësisht personale, do ishte fort e udhës të hidhej dritë mbi se si look-u i zgjedhur i tyre ndikoka në cilësinë e punës së këtyre zonjave.
Si pedagoge e plot të rejave premtuese me shami, të ma shpjegojë dikush se si mosdukja e flokëve mund të ketë raport të zhdrejtë me nxënien. Apo edhe se si bindjet fetare të shprehura hapur pengojnë arritjet apo cënojnë atdhedashurinë, kur në mesin e atyre që i jemi mirënjohës për ekzistencën tonë si komb, spikasin klerikë të të tre feve.
Gjykimi primitiv i një femre bazuar në pamje, në sesi i ka shkrepur t’i buzëqeshë vetes në pasqyrë është edhe më problematik në një vend ku gjysma e kabinetit qeveritar përbëhet prej grave e ku edhe kryeparlamentarja është grua.
Por teksa përfshirja e tyre shitet si sukses dhe tregues i stadit tonë të zhvillimit, performanca e femrave, përveç atyre që shpallen kampione europiane, matet me “nën-” apo “mbi-” veshje.
Këto gra me pushtet që japin këshilla amvisash me shuarjen e dritave kur nuk duhen, apo pastrimin e kondicionerëve, nuk kanë bërë asgjë për shuarjen dhe pastrimin e këtij mentaliteti. Medet, ndoshta sepse arritja e tyre është veçse një imazh i prerë në përmasat e duhura për të mbulur burracakërinë fjalamane e mungesën e suksesit fshehuri pas mini a maxifundeve të grave./gazeta dita