Prof. Bardhosh Gaçe: Muza poetike e Selaudin R. Gumës
Prof. Bardhosh Gaçe
Kuptimi metaforik i një vëllimi me vjersha, i cili ka shtegtuar në mendjen dhe buzët e poetit, si një motiv brilant kënge, nën titullin “Ligjërimet e pyllit”, më tepër nënkupton blerimin shpirtëror të krijuesit Selaudin R. Guma, muza e të cilit ka pirë sa në gurrat e traditës së poezisë popullore, po aq edhe në kulturën e fituar nga poezia moderne bashkëkohore.
Tepelena, mbi të cilën varen vetëm një grusht yjesh, me Vjosën që përkund ninulla e këngë trimërie, ka rritur një plejadë të tërë poetësh e shkrimtarësh që kanë lënë gjurmë në artin tonë poetik.
Mjaft krijues në Shqipëri kanë botuar disa përmbledhje, por edhe me një vëllim poetik si “Ligjërimet e pyllit”, Selaudin R. Guma na dëshmon se është një poet i veçantë, me shpirt të ndjeshëm, me mendim të thellë, por edhe sqimëtar.
Edhe pse jeta e tij qerthullon në ndërtimin e urave mbi lumenjtë shqiptarë, bota e tij poetike ka ditur të shpërfaqet në ndërtimin e urave midis njerëzve, duke çelur në shpirtin e tyre buzëqeshje, gëzime dhe çaste të lumtura.
Mbi të gjitha vendlindja në Luzat dhe dashuria njerëzore e kanë ndjekur poetin në tërë shtigjet e jetës dhe ai, tashmë në një moshë të pjekur, këtë përsiatje lirike e filozofike ia dhuron kohës, si një mesazh të relievit shpirtëror shqiptar, por edhe si një polifoni të zërit të tij brilant.
Vlorë, 17 gusht 2022.