Ramiz Lushaj: Dr. Guri Durollari, “ariu polar i politikës shqiptare”
Dr. Guri Durollari, “ariu polar i politikës shqiptare”, ndrroi jetë në këto ditë gushti të vapës politike ndërballkanike
Të dielen e tretë të gushtit 2022 dr. Guri Durollari iku në amshim, përtej Atlantikut, në shtetin Nju Xhersi të Amerikës, në në moshë 83 vjeçare, duke jetnue një gjysëm shekulli në Amerikë, duke pasë të tijët mbi 3 mijë frymë në lidhje farefisnore ndërveti që jetojnë e kontribuojnë në Amerikë.
Dr. Guri Durollari rrjedh nga një familje atdhetare nga Pogradeci që ka dhanë kontribute për kombin, si në kohën e Zogut, në vitet e Luftës Antifashiste dhe në proçeset demokratike në Shqipëri, në luftën e Kosovës (edhe djali i tij, Rrapushi-ushtarak shqiptaro-amerikan) etj.
Baba i tij, Rrapush Durollari, u vra nga pushtuesit italianë në prill 1939 në anë të fushës të Domosdovës në Prrenjas, duke e lanë jetimë, bashkë me dy motrat. Edhe daja i tij, Muharrem Hudenishti vritet në prill 1939 në Tiranë nga fashistët italianë. Në shtëpinë e tij prindërore e të dajëve të tij gjatë Luftës Antifashiste u zhvillua Kongresi i Dunicës (për Lëvizjen Monarkiste), u (ri)ngrit çeta nacionaliste që kreu aksione në Resnig, Qafë Thanë etj., i shpëtojnë nga fashistët 6 oficerë anglezë, etj.
Komunizmi iu mori prona e pasuri, i shpalli “kulakë” etj., çka e detyroi nanën e tij Demire Durollari (Hudenishti) të arratiset për në Maqedoni me fëmijët e saj, kur, asokohe, më 14 gusht 1949, Guri ishte veç 9 vjeç.
Gjatë qëndrimit në Maqedoni Guri Durollari burgoset në burgun e Idrizovës nga sllavo-maqedonasit, pasi në bibliotekën e shkollës kishte vizatue Flamurin Kombëtar Shqiptar. Po kështu ia burgosin edhe një nga dhëndrrat e tij, Bexhetin, për të vetmin fakt se përshendeti shqiptarçe, si monarkist, si zogist, me dorë në zemër.
Në vitin 1969 shkëputen nga Maqedonia (në Federatën Socialiste Jugosllave) dhe pas një tranziti në Itali mbrrijnë emigrantë në Amerikë, në Botën e Re, Tokën e Premtuar, Vendin e ëndrrave, mundësive e realiteteve të mëdha.
Ai kishte dy Zonja të Mëdha në jetën e tij. Të paren, Nanëmadhen 115 vjeçare Demire Durollari- nanën e vet, që hyri në enciklopedi botërore si një nga femrat ma jetëgjata të globit, e cila ishte elitare me sakrificat, traditat e virtytet e saj, në kulturën e saj, mesazhet e saj në masmediat shqiptare e të huaja, duke pasë letërkëmbim edhe me Presidentin Amerikan Xhorxh W. Bush para 15 vitesh, më 2004. Të dyten, Nedime Durollarin- bashkëshorten e tij, të përkushtueme pas tij gjatë gjithë jetës, saqë e ndoqi nga pas dhe jetuan e kontribuan bashkarisht edhe në Shqipëri për mbi një dekadë për Shqipërinë Etnike, për Kauzen Mbretërore, për tokën e popullin shqiptar.
Dr. Guro Durollari është veprimtar politik qysh në emigracion në SHBA, si një nga drejtuesit e Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL), dhe pas Kongresit të XII-të (i dyti në Atdhe) më 29-30 maj 1993 u zgjodh Kryetar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Tiranë, duke u rizgjedh edhe në Kongresin XIII (21 nëntor 1996) deri më12 prill 1998, në Kongresin XIV të PLL.
Dr. Guri Durollari ishte mjaft popullor ndër shqiptarët, pasi ishte një qëndrestar i gurtë në atribute të tij si një ndër liderët e Monarkisë Shqiptare, si kryetar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Atdhe (1993-1998), si deputet në Kuvendin e Shqipërisë (1997-2001, një nder dy deputetët e PLL-së), dhe në kontributet për mbajtjen e Referendumit për Mbretërinë (1997, e manipuluar nga shteti e të huajt fitorja e tij); riardhjen e Mbretit Leka i Parë e Familjes Mbretërore Shqiptare në Shqipëri (2002), ringritjen e Legalitetit (1993) nga mërgimi i gjatë në një parti parlamentare shqiptare, (1997), si Kryetar i Partisë Monarkiste Demokrate Shqiptare (në dekadat e para të shekullit të ri, si Antar i Akademisë Monarkiste Shqiptare (prej 2005)
Dr. Guri Durollari ka kontribute të veçanta si monarkist, si lider politik i PLL, për kauzen monarkiste në Shqipëri, veçanarisht në kohën e rebelimit komunist të vitit 1997, kur erdhi Mbreti Leka I në atdhe dhe zhvilloi fushatën për referendumin. Shprehja e tij kur zbriti në Aeroportin e Rinasit “Paqe, Bashkim, Vllaznim!” do të bëhej moto e fushatës së referendumit, ndërsa për legalistët tashmë ajo thënie është pjesë integrale e filozofisë politike, së bashku me atë të Mbretit Zog “Atdheu mbi të gjitha”!
Dr. Guri Durollari, si shqiptaro-amerikan gjysëm shekullor, si lider politik shumë dekador, me lidhjet e kontributet e tij vetjake e familjare, ka meritat të veçanta edhe në forcimin e miqësisë e të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke punuar si misionar politik shqiptar e qytetar amerikan, duke shkruar e kumtuar për Amerikën, duke dërguar edhe delegacione shqiptare deri në Kongresin Amerikan, etj.
Dr. Guri Durollarin, shtypi i Tiranës (maj 1996) gjatë kohës që drejtonte Partinë “Lëvizja e Legalitetit” në Atdhe, e pati cilësuar edhe “Ariu polar i politikës”. Diku, dikur, në shpeshti, i thoshja: “Dr. Guri ban politikë edhe me gomat e makinës”.
Dr. Guri Rrapush Durollari ishte e mbetet një nga besnikët e mëdhenj e të përjetshëm të Mbretit Leka e Familjes Mbretërore Shqiptare, i Monarkisë Shqiptare, një nga antarët e parlamentarizmit shqiptar të Demokracisë (paçka se Kuvendi i Shqipërisë nuk e tha një fjalë të vetme për vdekjen e tij), një nga antikomunistët shqiptar prej nga lindja tek vdekja e tij; një nga mjekët e njohur të stomatologjisë ndër shqiptarët e mërgimtarët në treshtetshin amerikan; një nga liderët partiak të pluralizmit e demokracisë shqiptare postkomuniste; një nga politikanët që kontribuoi politikisht e realizoi praktikisht për herë të parë një Referendum Popullor për Formën e Regjimit në Shqipëri; një nga liderët partiakë që arriti të jetë pjesë e koalicioneve elektorale deri parlamentare të së Djathtës Shqiptare (të cilat nuk ia përmendën as emrin pas ditë-vdekjes së tij, një shqiptaro-amerikan që punoi për Shqipërinë sikurse për Amerikën dhe për Ameriken sikurse për Shqipërinë, për të sjellë Pluralizmin e Demokracinë në Shqipëri, për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan.