Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: Në galaktikën e hipokrizisë!

Që Rama, Veliaj & Co do e përdornin politikisht fitoren e superkampiones Luiza Gega këtë e dinte edhe bufi! Që kushdo të ishte në pushtet do të bënte të njëjtën gjë, këtë nuk e vë në diskutim as bufi! Që në çdo vend të botës, sigurisht në forma më të sofistikuara, e bëjnë të gjithë ata që rastisin në pushtet, nuk e vë në diskutim as bufi! Por, ju lutem na kurseni megahipokrizinë se plagë në zemër e paskeni harresën ndaj Luiza Gegës&Taulant Stërmasit se nëse do të ishte ndryshe kjo histeria e hipokrizisë ndaj kujdesit dhe përkujdesjes për Luiza Gegën duhet të ishte kryefjalë një vit para europianit apo botërorëve nonstop, dhe jo njëlloj si Rama, por nga kahu tjetër. Sportistët, artistët shkencëtarët kanë nevojë për suport moral dhe material gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm pasi me sakrifica të panumërta njerëzore kanë arritur majat. Dhe më besoni që ky status u drejtohet më së shumti reagimeve të disa kolegëve gazetarë të cilët kanë hapësira pafund mediatiatike apo edhe pozicione drejtuese në TV, por që nuk janë ndjerë asnjëherë më parë për fatin e kushtet e stërvitjes së Gegës apo shumë sportistëve të tjerë, para se të bëhen të mëdhenj. Prandaj, le të kërkojmë ndjesë njëherë për indiferencën tonë në tërësi dhe pastaj, pa asnjë kompleks, të kryqëzojmë këdo shtetar që në mënyrë kriminale kanë lënë pas dore sportet dhe artet si dimensione që shpalosin krenarisht vitalitetin e kombit shqiptar. Histeria e hipokrizisë nuk është mënyra e duhur për të larë mëkatet, por vetëm veprim a la Pons Pilat! Mirënjohje pa fund Luiza Gegës, tranjerit Stërmasi dhe çdo sportisti apo artisti shqiptar që kanë refuzuar oferta marramendëse dhe kanë përfaqësuar denjësisht shqiptarët dhe Shqipërinë me sakrifica ferri. Unë, dhe besoj shumë shqiptarë, ju kërkojmë ndjesë që nuk ju gjendemi atëhere kur keni nevojë! Përunjësisht ndjesë! Zoti ju bekoftë!
Please follow and like us: