Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Ardian Elezi: Dita e kujtesës europiane si reflektim për politikën shqiptare

23 Gusht,  Ribbon Black Day, dita e Kujtesës Europiane dhe dënimit të krimeve totalitare, të komunizmit, ditë paqe, rezistence, proteste, inspirimi dhe frymëzimi.

Jam i nderuar që si zv-president i Unionit, si ish i përndjekur politik dhe si angazhuar e protoganist i dhjetorit të 90 të moderoj dhe drejtoj këtë aktivitet kombëtar sot ditën e kujtesës europiane të krimeve staliniste, komuniste, fashiste e naziste, në nderim të mbi 6000 shqiptarëve të vrare dhe të zhdukur kufomat.

E ku ma mirë se në Shkodrën e martirizuar mund t’i nderosh shqiptarët që përballuan diktaturën staliniste. Shkodra e qëndresës antikomuniste ka nderin sot të nderoi ditën e kujteses siç është dita e shiritit të zi 23 gushti, dita europiane e kujtesës.

Ne sot këtu nga Shkodra u drejtohemi bashkëvuajtësve tanë, të mbrojmë kujtesën e kombit.

Politika postkomuniste ka përdorur harresën ndaj krimit komunist, nuk i dënoi krimet e diktatorit Enver Hoxha, prandaj sot thirrja jonë është të mbrojmë kauzën tone, të denojmë krimet e komunizmit, të ndërtojmë parcelën kombëtare të Kujtesës në Tiranë në nderim të mbi 6000 shqiptarëve të zhdukur.

Sot, Dita e Shiritit të Zi Black Ribbon day përkujton viktimat e stalinizmit dhe nazizmit dhe, në përgjithësi, të gjithë ata që vdiqën, vuajtën ose humbën jetën nën regjimet totalitare dhe autoritare.

Është një ditë solidariteti në nderim të të gjithë viktimave të regjimit komunist si dhe atyre totalitare e autoritare kudo që janë e në çdo vend dhe kohë që shfaqen.

Një respekt dhe përulje për to si dhe familjet e tyre që i mbijetuan atij kalvarit ku u desh të përballen me dhunë shtetërore, burgosje, internime, tortura, depersonalizim, cenim dinjiteti dhe personaliteti dhe me të gjithë format e represiont shtetëror.

Kjo është një ditë me vokacion rajonal dhe global për të gjithë vendet e botës që nga Europa, Azia, Afrika, Amerika Latine, ku shiritat e zinj vihen gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet shëndetësore për varfërine, problemet ekonomike sociale ndaj diskrimimit, tortures, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, të shfaqjeve ekstremiste dhe terroriste, cenimit të sovranitetit arbitrar të një shteti, agresionit dhe aneksimit dhe pushtimit të tij, etj.

Dita e Shiritit te Zi shihet si një simbol universal i kujtesës ndaj çdo tragjedie njerëzore, dramë, fatkeqësie, që trondisin ndërgjegjen botërore, cenojne vlerat dhe drejtat njerëzore.

Si e tillë ajo merr një dimension dhe vlerë universale proteste ndaj regjimeve arbitrare dhe totalitare.

Duhet të dënohen krimet e komunizmit si dhe përhapja/promovimi i propogandës dhe simboleve të komunizmit, që ngjallin ende urrejtjen klasore, perçajnë vendin, nxisin ekstremitet, diskriminim,  intolerancën, fyerjen; të mësohet brezi i ri se liria dhe demokracia janë të brishta, që ato  kanë një çmim që lidhet me sakrificat e vuajtjet e një brezi dhe disa breza që u sakrifikuan dhe u ballafaquan me mizoritë e regjimit brutal komunist.

Pikërisht në simbolikën e kësaj dite kujtese, përkujtimi, vlerësimi dhe ngritja e memorialit në nderim të tyre është një detyrë e mision që duhet të përmbushet, për të treguar afirmimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë ndaj rrisqeve dhe kërcënimeve që vijnë nga mos dënimi i krimeve të komunizmit në mënyrë që ato nuk do të përserisin dhe nuk do të cenojnë të ardhmen tonë.

Kjo është një ditë proteste gjithashtu për të tërhequr vëmendjen ndaj çdo sjellje arbitrariteti te çdo pushteti në çdo kohe dhe regjim totalitar që nëpërkëmb të drejtat themelore të njeriut.

Ndërkohë që BE promovoi ditën e sotme si ditë kujtese në nderim të viktimave të regjimeve nazifashishte dhe komuniste si dhe regjimeve totalitare dhe ekstremizmit, nga ana tjetër ne si shoqëri përpiqemi dhe luftojmë për mbijetesën e sotme, situatën alert e ish të burgosureve dhe përndjekurve politikë, ku po ballafaqohemi me të shkuarën e cila na kërcënon për t’u përsëritur në forma të ndryshme të evokimit të saj përmes simboleve të komunizmit, kujtimeve të ish krerëve, drejtues kriminalë të diktaturës së komunizimit, me ringjalljen e frymës së Enverizimit që është rritur dhe inkuarajuar së fundi  si pasojë e mos ndëshkueshmërisë, mos hetimit të krimeve të komunizmit, mungesës e drejtësisë, me një vakum ligjesh në këtë drejtim.

Kërkohet një refleksion mbarë shoqëror ndaj të kaluarës komuniste, të thyhet muri i heshtjes dhe marrëveshja politike për mos trazimin e së kaluarës komuniste ku aktorë dhe faktorë shtetërore, politikë, akademikë, shoqërisë civile, grupe të interesit të jenë të përfshira në këtë debat, ku inspiruesit e këtyre nismave dhe angazhimeve duhet të jenë së pari pa përjashtim të gjithë deputetët së bashku  të PD-së dhe veëanërisht ato që vijnë nga kjo kategori sociale dhe politike.

(Pjesë nga fjala e mbajtur në konferencën e organizuar në biblotekën ‘Marlin Baleti’ Shkodër, 23 gusht 2022).

 

Please follow and like us: