Albspirit

Media/News/Publishing

Gjashtë muaj nga nisja e sulmit rus në Ukrainë

Janë bërë gjashtë muaj që nga nisja e agresionit rus kundër Ukrainës. Sulmi rus është kthyer në konfliktin më të rëndë të armatosur në Evropë në dekada. Mijëra civilë dhe ushtarë ka të ngjarë të jenë vrarë. Miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi ose janë zhvendosur brenda vendit. Fabrika, spitale, ura, shkolla dhe banesa janë shkatërruar.

Prania ushtarake ruse në Bjellorusi, pranë kufirit me Ukrainën, ishte një shenjë e hershme se kërcënimet e Presidentit rus Putin për pushtimin e Ukrainës mund të materializoheshin:

“Rusia po kryente një stërvitje ushtarake në Bjellorusi, kështu që kishte frikë se prania e trupave ruse kaq pranë kufirit ukrainas, në veri, nuk ishte thjesht një stërvitje ushtarake. Situata duhej parë brenda kontekstit më të gjerë të asaj që ndodhte. Për vite me radhë, Ukraina kishte bashkëpunuar me NATO-n dhe ekzistonte mundësia që të anëtarësohej në aleancën ushtarake”, shpjegon Dr. Marina Miron, studiuese e çështjeve të mbrojtjes në Kolegjin King në Londër.

Kur Rusia nisi sulmin më 24 shkurt, ajo kishte shpresuar ta pushtonte vendin brenda disa ditësh apo javësh.

Por, konflikti nuk ka marrë fund as pas gjashtë muajsh duke u kthyer në një luftë shkatrrimtare, pa fund në horizont, dhe me pak suksese në fushën e betejës.

Megjithatë, duket e vështirë që Rusia të humbasë kontrollin e rajoneve që ka vënë nën kontroll deri tani.

“Rusia e nënvlerësoi armikun. Sigurisht, ata nuk prisnin kaq shumë ndihmë nga NATO,” thotë zonja Miron.

Fillimisht forcat ruse arritën me lehtësi deri te periferia e kryeqytetit, Kiev. Por, shumë shpejtë përparimi i autokolonës me tanke ruse u bllokua. Trupat ruse, që ishin bërë objektiv i lehtë për t’u goditur, u tërhoqën, duke lënë pas një mori civilësh të vrarë.

Rusia ndryshoi strategji, duke e zhvendosur vëmendjen tek rajoni industrial lindor i Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska po luftonin kundër forcave ukrainase që nga viti 2014.

Rusia ka vënë në kontroll pjesë të konsiderueshme të territorit rreth gadishullit të Krimesë, që Moska e aneksoi tetë vjet më parë. Pas marrjes së qytetit Mariupol, Ukraina humbi qasjen në Detin Azov.

Pavarësisht sulmeve të rënda ajrore, trupat ruse kanë bërë pak përparime, gjë që vë në pah numrin e pamjaftueshëm të trupave ruse, por edhe rezistencën ukrainase.

Rusia humbi kohët e fundit qindra trupa dhe dhjetra mjete luftarake ndprsa u përpoq të kalonte një lumë.

Në vend të një fushate masive, Kremlini po kryen sulme të vogla taktike, që synojnë të rrethojnë forcat ukrainase. Beteja në Donbas po zhvillohet kryesisht si betejë artilerie.

“Pasi panë rezistencën e fortë dhe fakti që nuk po i arrijnë qëllimet e tyre fillestare operacionale, forcat ruse janë tërhequr në Donbas. Moska gjithashtu kanë njohur pavarësinë e Donejeckut dhe Luhanskut. Rusia u mbështet edhe te forcat atje, ose te banorët atje sepse nuk kishin forca të mjaftueshme, dhe duke qenë se kjo që po bëjnë, sipas tyre, është operacion special ushtarak, jo luftë, do të thotë se nuk mund të mobilizojnë gjithë popullsinë”, thotë zonja Miron.

Ukraina vazhdon të marrë armë nga perëndimi, duke përfshirë artileri të rëndë dhe dronë amerikanë, tanket nga Polonia dhe mjete të tjera të rënda që dërgohen menjëherë në luftim.

Përpjekjet diplomatike nuk kanë munguar gjithashtu. Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara mundësoi nisjen e anijeve të para me grurë nga Ukraina drejt tregjeve për të lehtësuar krizë në rritje të urisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy priti javën e kaluar zotin Erdogan dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres larg vijave të frontit, në qytetin perëndimor të Lvivit, ku përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës do të jenë gjithashtu në axhendë.

Të dyja palët po godasin njera tjetrën me artileri. Ukraina duket se po sulmon depot dhe pozicionet kundërshtare në gadishullin e pushtuar të Krimesë, ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmet ndaj qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv.

Kyle Haynes nga Universiteti “Perdue” në Indiana të SHBA-së, nuk pret fund të shpejtë të luftës.

“Rusia beson se mundësia për të kufizuar dërgesat e gazit në Evropë do t’u japë atyre përparësi dhe ndoshta do ta detyrojë NATO-n ta nxisë Ukrainën të pranojë një zgjidhje. Ukraina, nga ana tjetër, mendon se forcat ruse nuk do të duan të luftojnë në dimër, ndërsa forcat ukrainase janë më të motivuara pasi e mbrojnë atdheun e tyre”, thotë zoti Haynes dhe shton:

“Pra, unë nuk shoh një fund të kësaj lufte”./voa

Please follow and like us: