Sulmi i Metës ndaj SPAK, Yuri Kim: Kërcënimet ndaj drejtësisë s’duhet të pranohen më si normale nga një vend i NATO
Etiketimi nga ana e Ilir Metës për kreun e SPAK Arben Krajën si ‘Spurdhjaku i partisë’ si përgjigje të hetimit që SPAK ka nisur ndaj tij për lobimin me kompani offshore ka sjellë reagimin e ambasadores amerikane Yuri Kim.
Në një postim në Twitter, Kim dënon qëndrimin e Ilir Metës teksa shprehet se kërcënimet dhe nxitjet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen më si “normale”.
Për ambasadoren kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, thekson Yuri Kim.
“Kërcënimet dhe nxitjet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe/ose të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar, mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja amerikane.
SPAK i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetëdeklarimit të Ilir Metës lidhur me kallëzimin e bërë nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka akuzuar Metën për fshehje pasurie dhe korrupsion dhe pastrim parash. Kallëzimi u bë pasi gazeta austriake “Kronen Zeitung”publikoi një artikull sipas së cilës Ilir Meta për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë. Vetë Ilir Meta reagoi duke sulmuar kreun e SPAK, Arben Krajën si ‘Spurdhjaku i partisë’.
/rtsh.al/