Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: PIQERASI I HERSHËM DHE VILLA BADESSA

Sipas të dhënave të reja historike.

Nuk është për t’u shprehur publikisht, por sapo botova librin me karakter letraro-historik:  PIQERASIOTËT”, i yshtur nga një ndjenjë e lartë dashurie e besnikërie njerëzore, po edhe nga bashkëshortja ime, e mbiquajtur prej Qirjako Çanit “ARËZA” (dhe kështu i mbeti!), i shpreha asaj edhe ‘frikën’ time se këtë libër nuk do ma pëlqejë i gjithë fshati, po gjysma e tij dhe gjysma tjetër jo! Sepse, në libër gjithçka është shprehur përmes hulumtimeve historike, jo të plota, po edhe të letërsisë, nisur nga mbresat e vështrimet e mia si shkrimtar e gazetar. Si rrjedhojë, ata që nuk do të më kuptojnë, ka shumë mundësi që t’i kem ‘armiq’ për tërë jetën! Dhe kështu do të ndodhte me të vërtetë, kur gjithkush nga bashkëfshatarët e mi kërkonin mes rreshtave emrat e tyre, të gjyshërve e të stërgjyshërve, madje edhe fotografitë, që unë mezi i merrja me aparatin tim nga varrezat e fshatit. Këtyre personave, të cilëve nuk dua t’ua përmend emrat, i pata edhe ndër të afërmit e mi, njëri prej të cilëve më tha: “Mirupafshim edhe me ty në varrezat e Shtodhërit”…

Sepse “më le jashtë fotografisë nënën time kapedane”. “Ky libër nuk bën, – tha një tjetër, – sepse ky M. Gj., më shumë shkruan për veten, sesa për fshanë”, sikur unë të isha një “banor i KOZMOSIT”. Ndërsa tjetri më “gostiti” me një bacë në sheshin e “Shën Thanasit”, para kishës, për të mos e përmendur dhe shprehjen e një qejfmbetësi tjetër se: “Ti duhesh varur tek ulliri i kishës së Piqerasit si Myslim Çorrin, kaçakun e hershëm të fshatit”! Që të më merrte lemeria! Dhe ja tani, më ka “hipur në kokë” që të botoj edhe pjesën e dytë të këtij libri, që poeti-fabulist e shkrimtari i “Thesarit” piqerasiot, Vasil Gjivogli e ka quajtur “PIQERASIOTËT, një libër dinjitoz për të gjithë ne, për vendlindjen, shkruar bukur e me elegancë… dhe I përafrohet më tepër romanit historik…

Mirëpo, këtu kishte edhe “ustallarë mbi ustallarë”, të cilët jo vetëm që po më “linçonin”, por edhe u nxitën të shkruajnë inatçe edhe dy-tre “libra” të tjerë po me këtë titull (!?). Ndërkohë që kishte “aguar një ditë prej ditësh” edhe mundësia, që çdo shqiptar, me pesë para në xhep, mund të “botonte” edhe “libra”, sa për të thënë që “di edhe ai të shkruaj e të thotë diçka”, sikundër kërkonte edhe ai labi, pas inaugurimit të monumentit të pavarësisë në Vlorë, duke pare nëpër basorelievet e poshtme, me orë të tëra se “ku jam edhe unë këtu”!? E

megjithatë, në qetësinë time të këtyre viteve, nisur edhe nga pozicioni i mallkuar i një kritiku, të cilëve, filozofi dhe poeti romak Seneka u thoshte: “Mos kritikoni! Me kritikat tuaja drejtuar të tjerëve, s’bëni gjë tjetër, veçse shtoni numrin e armiqve”, mendoja, se, ky libër, ashtu si çdo hulumtim në histori, po edhe si krijim letrar, edhe pse është një kontribut modest, duhet ta pranojmë se nuk është fort i “kulluar”, apo si një “qiell i qëruar”…

Ndaj më bredhëriti mendja gjithandej, për të shkruar e botuar libërthin e dytë, më të plotësuar, sikundër i ka hije një piqerasioti të moshuar, që kërkon t’i mbetet fshatit diçka më e plotë e më e saktë… E ja, ku më del përpara një historian i vërtetë, Lutfi Alia!

Mik e dashamirës i imi i viteve ’60-të të shekullit të kaluar, në Elbasan, gjatë kohës që ushtroja detyrën e parë si Drejtor e Regjisor i Teatrit “Skampa”. Zoti Lutfi Alia, mjek në atë qytet, që unë (për fatin e mbrapshtë timin) e kisha harruar, i cili jo vetëm që nuk e kishte harruar edhe atë kafe që pinte me mua, “jabanxhiun nga Piqerasi”, së toku me kirurgun “duarartë”, Dr. Perikli Shetin, po më dërgoi nga Italia, me fisnikëri, edhe disa të dhëna të reja historike, plotësuese, për fshatin tim të dashur. Unë e pashë të udhës t’i ripublikojë menjëherë, gjithnjë me lejen e tij, po edhe të meditoj, që t’i trajtojë më gjerësisht edhe në librin e dytë “PIQERASIOTËT”, po mbeta gjallë nga ndonjë “pandemi” tjetër e natyrisht edhe nga inatçorët e fshatit, që duan të më shohin sa më parë “të varur” dhe në “varrezat e Shtodhërit”, për t’u “prehur përgjithmonë” karshi manastirit 500-vjeçar të Kremesovës, ikona kryesore e të cilit (e cilësuar “origjinale” dhe “nga më të veçantat në Europë”), ndodhet në fshatin e ri arbëresh VILLA BADESSA, të themeluar kryesisht nga piqerasiotët që në vitin 1743. Me shpresën e shenjtë, se çoç do kem bërë më mirë deri atëherë…

Profesor Lutfi Alia nuk është vetëm mjek, po edhe një historian i lindur, një i apasionuar i veçantë, si askush tjetër, që ka gjurmuar, hulumtuar e publikuar shumë shkrime historike dritëhedhëse, midis të cilave, dy prej tyre, që hedhin dritë në disa të dhëna të reja edhe për fshatin Piqeras e për Villa Badessa në Itali, me titujt respektivë: “Himariotët në Regjimentin Maqedono-Ilir të Mbretërisë së Napolit 1734-1861”, publikuar më 22.11.2018 dhe “Arbërit nga Piqerasi, themeluesit e Villa Badessa”, publikuar më 29.01.2021.

Historiani Lutfi Alia citon këtu dorëshkrimin e murgut arbëresh, Andrea Filia, të datës 16 qershor 1764, një relacion dërguar Rev. Papës Paolo Parrino, i ruajtur në arkivin e Famullisë së Shën Nikollës të Mezzojusos, i cili dëshmon se: “më 4 mars 1743, ikanakët nga Piqerasi zbarkuan në Pulja me grupimin e madh të himarjotëve, bashkë me familjet e tyre dhe me urdhrin e Mbretit të Napolit u sistemuan në provincën e PeskarësAbrucio”. Po ashtu thuhet se grupimi i 18 familjeve nga Piqerasi, ishin të detyruar të largoheshin nga vendlindja e tyre, pas sulmeve e grabitjeve që kishin pësuar nga banorët e Golëmit të Borshit, si edhe nga turqit që bënin reprezalje për islamizimin e banorëve të krishterë të këtyre anëve. Për sa më sipër, disa oficerë madhorë piqerasiotë, të akomoduar në regjimentin e Napolit, sikundër ishin kapitenët Kosta Qëndro e Mikel De Mikeli, togeri Nikolla Zaho, si edhe nënoficerët Spiro Jovani, Mikel Laze, Kosta Piksio dhe Niko Martini, i kërkuan mbretit Karli III të Napolit, t’i sillnin në Itali familjet piqerasiote të rrezikuara nga barbarët. Dhe madhëria e tij, i cili e vlerësonte lartë trimërinë e besnikërinë e oϐicerëve të tij bregas-piqerasiotë, e miratoi menjëherë ardhjen e tyre, si edhe akordoi 3000 dukatë ari për shpenzimet e udhëtimit…

Piqerasiotët do të largoheshin me dhimbje nga fshati i bukur e i ngritur me duart e tyre, mbi kodrinën më të lartë të Bregut, nga ku shihet i gjithë horizonti detar, gjer përtej në ishujt e Korfuzit, pas 6 ditë e net luftimesh të ashpra, në kufirin e dy fshatrave, midis Piqerasit e Borshit, ku mbetën 27 të vrarë nga ata që sulmuan fshatin, si edhe dy të plagosur nga ana e piqerasiotëve, gjithmonë sipas dëshmive të shkruara nga dora e murgut Andrea Filia. Organizimin e ikjes së tyre, që në natën e fundme të kësaj ndeshje të përgjakshme me armë, e bëri Spiro Andrea nga Piqerasi. Në Lukovë morën dy familje të tjera dhe zbritën në Sarandë, me një varkë të vjetër. Po gjatë kësaj nate, dy vëllezërit piqerasiotë Martini, u ngjitën deri në manastirin e Kremesovës dhe morën me vete ikonën e Shën Mërisë së Kremesovës, me besimin e shenjtë për t’u “ndriçuar udhët detare” nga Saranda në Korfuz, si dhe nga Korfuzi në Brindisi. Të ardhurit perms detit i vendosën në karantinë, meqenëse kishte rënë epidemia e murtajës, që do të vazhdonte deri në vitin 1744, duke qëndruar edhe 11 muaj në Pulja. Ndërsa grupimi i piqerasiotëve do të mbërrinte në Abrucio, më 28 tetor 1743, i përbërë nga 18 familje, me 73 pjesëmarrës. Ata i shoqëronte Demetro Mikeli, Kostandin Vlashi e Gjon Pali. Fillimisht u sistemuan në fshatin Bakuko, mirëpo banorët e fshatit refuzuan që t’i ndanin tokat e tyre me të ardhurit. Në të njëjtën kohë, edhe piqerasiotëve nuk u pëlqeu vendi ku kishin ardhur. Atëherë, sikurse rrëfen Paskuale Kastanja, 25 luftëtarët e kësaj ane në regjimentin maqedono-ilir të Napolit, me në krye kapitenët piqerasiotë Kostandin Vlashi e Pati Gjini, si edhe majorin Demetrio De Mikeli, protestuan përpara mbretit, duke refuzuar edhe rrogat e tyre, me kushtin që Mbreti Burbon t’i sistemonte më së miri familjet e tyre. Në këto rrethana, Karli III urdhëroi vendosjen e tyre në luginën pjellore, përreth lumit Nora, midis Villa Badessa e Pian Di Coccia (Koçia), duke i qetësuar banorët autoktonë se të ardhurve do t’u jepeshin toka të papunuara, po edhe disa toka e kullota të pronësisë mbretërore, prej 320 hektarësh tokë, si dhe bagëti, kafshë pune, vegla bujqësore e troje për të ndërtuar shtëpitë si dhuratë prej madhërisë së tij, në shenjë respekti për trimërinë e luftëtarëve Bregas…

Pra, Villa Badessa u bë tashmë fshati i dytë i piqerasiotëve, ku unë kam shkelur tri herë me të njëjtën nostalgji, mall e dashuri, si në vendlindjen time, jam përkulur para ikonës së Shën Mërisë së Kremesovës, që, sipas legjendës, thuhet se sa shkelën fshatarët e mi këtu, ajo mori vetiu një rëndesë të jashtëzakonshme dhe atje ku e lanë përtokë, kur e ulën nga supet, atje ngritën dhe kishën, e cila mbeti pa çati, pasi, sikundër kemi shpjeguar në librin e parë, nuk u pranua nga vendasit ushtrimi i fesë në ritin ortodoks në këtë vend të fesë katolike. Ndaj edhe u “shartua” besimi i tyre me të dyja ritet bashkë, në një kishë me liturgji të përbashkët, me të dyja gjuhët, me ritin e Pashkëve të Vogla e të Mëdha, me kryqëzimin e ringjalljen e Krishtit, me meshën dygjuhëshe, me skuqjen e vezëve e shpërndarjen e grurit të zier ndër Pashkët tona, sikundër i ka kodifikuar për të ardhurit Koncili i Vatikanit. Gjithmonë sipas të dhënave historike të Lutfi Aliut, komuniteti ALBANEZ në Villa Badessa, u shërbye ϐillimisht nga priftërinjtë e ritit ortodoks, sikundër ishte basiliani Makario Nika nga Piqerasi dhe nga priftërinjtë himarjotë Demetrio Atanasi, Gjon Nika, Spiridon Andrea dhe Mikel Spiro Andrea, të cilët “me zell e dashuri, – shkruan Andrea Filia, – i shërbyen kësaj grigje albanezësh”.

Edhe në Enciklopeditë Italiane (të vjetër e të re), arbëreshët e Villa Badessa, për shumë shekuj ruajtën kulturën etnike, ritin e ortodoksisë, veshjet, doket, artin kulinar dhe, deri  në vitin 1956, ruajtën edhe gjuhën albaneze. Në librin “Piqerasiotët” kemi folur për vizitën që bëri në Villa Badessa piktori anglez Eduard Lir, në vitin 1843, pra pas 100 vjetësh nga themelimi i këtij fshati arbëresh, si edhe për pikturën e tij të njohur në gjininë e peizazhit. Gjithashtu, piktorja dhe shkrimtarja anglosaksone Estell Canzioni, në vitin 1911, vizitoi Abrucion dhe mbresat e saj, së toku me rezultatet e studimeve etnografike i botoi në veprën “Përmes Apenineve dhe trojeve arbërore”, ku ndër të tjera shkruan: “Kishim dëgjuar të flitej për arbëreshët në fushat e Sulmonas. Ata ruanin besime të vjetra të çuditshme, besonin në drekësit (Driadat), në murgarat (shtrigat) dhe fiatazat (zanat). Në të njëjtën kohë, ajo realizoi edhe pikturën në vaj me portretet e dy grave arbëreshe të Villa Badessas, të veshura me rroba të zeza. Edhe shtëpitë i ndërtuan si në Piqeras, mbi një kodrinë të bleruar, me një rrugë kryesore në mes e me godina banimi dykatëshe, shumica e të cilave në dy anët e rrugës. E kam bërë disa herë më këmbë këtë rrugë qendrore e të shtruar me standardet më të mira të ndërtimit, që ndahet hera-herës edhe me disa rrugica anësore më të ngushta, me avllira e me ndonjë mur rrethues, tek-tuk shihje edhe ndonjë çati a mur të rrëzuar nga koha e gjatë e shpërnguljes së tyre, po edhe nga emigrimet e dyta e të treta. Piqerasiotët nuk i mban kurrë vendi, ata janë gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë, veçse asnjëherë nuk rrinë pa u kthyer, pa ndrequr muret, avllitë e çatitë e të parëve të tyre. Piqerasiotët, sikundër e kam shkruar edhe gjetkë, kanë qenë detarë të zotë dhe dikur kishin varkat e anijet e tyre lundruese. Ndaj edhe niveli i tyre i jetesës, po dhe stili e bukuria e ndërtimeve, me ato harqe guri të gdhendura e me ato tavane të brendshme, me zbukurime e disenjo të rralla, nuk i kishte kush në Bregun e Poshtëm…

Më duhet të falënderoj mikun tim, Lutfi Alia, edhe për listën e banorëve të parë shqiptarë të Villa Badessas, të cilët shkuan rishtas në kohë të vështira e krijuan fshatin e ri, sipas informacionit të dukës Montealgre që i dërgoi asokohe markezit Kastiliano, më 15 tetor 1643, ku përfshihen 27 burra, 26 gra dhe 18 fëmijë, si më poshtë vijon: Gjon Duka-23 vjeç, Demetrio Atanasi (Dhjakoni)-30 vjeç, Dhimo Andrea-60 vjeç, Spiro Andrea- 45 vjeç, Gjin Vrana-60 vjeç, Dhimo Gjoka-28 vjeç, Gjin Vrana-35 vjeç, Gjik Gjoka Zhupa-25 vjeç, Martin Lessi-35 vjeç, Mikel Spiri-18 vjeç, Dhimo Varϐi-50 vjeç, Gjok Gjika Guma-35 vjeç, Atanas Dhima-38 vjeç, Mikel Gjini Gjika-30 vjeç, Mikel Gjini Atanasi-30 vjeç, Papa Makario Nika-26 vjeç dhe dy vëllezërit Martini.

Pa përmendur emrat e oficerëve piqerasiotë, që përfshiheshin në regjimentin Maqedono-Ilir të Napolit. Sikundër mund të gjykohet prej kësaj liste autentike, shumica e këtyre familjeve (nisur nga mbiemrat) janë shuar e nuk ekzistojnë më, me përjashtim të familjeve të vjetra: Duka, Vrana, Spiri, Gjini e Nika, që janë edhe në ditët e sotme… Në varrezat e vjetra të Piqerasit nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga varrimet e atyre viteve dhe të mëpastajme, nga vetë shpërngulja e Varrezës përbri burimit të Shtodhërit. Nga më të fundit prej tyre ishte familja e vjehrrit të Alaksandro Lazrit, Jorgo Lleshit, që në listën e mësipërme shkruhet Lessi. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Villa Badessa, kur fillimisht ekzistonte varreza e vogël pas kishës dhe që, dekada më vonë, bëhet shpërngulja për në varrezat e reja, në periferi të fshatit, ku ndodhen dy parcela kryesore, njëra për italianët e tjetra për arbëreshët tanë. Në librin tim “PIQERASIOTËT”, kam hedhur edhe mbresat që më lanë tri vizitat e atjeshme, i shoqëruar nga një pinjoll i familjes Gjoni (të shndërruar në Xhonkarlo). E, kur vajta në varrezat e atjeshme, u ula në gjunjë përbri një varri të vitit 1925, për të lexuar epitafin e shkruar në shqipen e asaj kohe, ku thuhej: “Eja këtu, vajzë, na një çikë bukë, vaj, ujë. (Nga) Tatzot, Bubus, mbi krua”, si një përkushtim njerëzor i dhimbshëm për ikjen nga jeta të vajzës së re Mafalda De Mikeli, nga prindër piqerasiotë. Natyrisht, me mbiemra të transformuar gjatë fenomenit asimilues, po edhe sipas gjuhës e traditës vendase. Pra, sikundër thuhet “sipas vendit dhe kuvendi”…

Vite më vonë, ardhja e një grupimi nga Villa Badessa në Piqerasin e tyre, pikërisht më 08.06.2013, për të kryer njëherazi dhe procesin e binjakëzimit të dy komunave (të Roskanës me  Lukovën), në njëfarë mënyre ishte si kthim vizite, pas vajtjes atje të delegacionit tonë, po edhe si një mall e tejshkuar mallit. Si një brengë, po edhe si një takim me “të panjohurën”, një zbritje nëpër shekuj e histori të hershme. Më së shumti, si një “thirrje gjaku”. Të gjithë pjesëmarrësit, që vizituan fshatin e të parëve të tyre, gati 50 persona, ishin të përmalluar e të mbrujtur me dashuri për vatanin, ngazëlleheshin me gjithçka që shihnin: me shtëpitë e me ajrin, me rrugët e me njerëzit, që i shihnin me vëmendjen e të larguarit nga po ajo vatër zjarri, sikur të kishin zbritur nga një tjetër planet. I shoqëronte Kryetari i Komunës së Roskanës (Rosciano), Alberto Secamiglio, po me ta ishte edhe Profesori Xhonkarlo Ranalli (nga dera e Gjone), me Antonela de Blazzi (Antoneta Vlashi, nga dera e Vlashe)…

Ditën që autobusi i solli në sheshin “Shën Thanasi”, ata zbritën si të hutuar, me vështrimin e shpërndarë gjithandej e unë do të dalloja të tre ata që përmenda më sipër, për t’u përqafuar e uruar mirëseardhjen, pa e ditur aspak se ata do të vinin pikërisht atë ditë, kur edhe vetë sa kisha ardhur nga Athina, duke qenë po aq i hutuar prej një gëzimi të beftë. Mirëpo, dikush më ra lehtë në supe e më tha, se “ata janë të shoqëruar e kanë agjendën e tyre të programuar, të lutemi shumë, bëni pak mënjanë…”, duke më bërë që të largohesha me takt, po jo edha pa u turpëruar (!?)…

Ndërkohë që grupimin e tyre e rreshtuan dhe e drejtuan, për të ndjekur itinerarin e programuar nga administrata e komunës së Lukovës. I vrarë shpirtërisht, do t’i gjeja të nesërmen, tek pinin kafe në tarracën e lokalit të Milit e Bitre e nuk do të ndahesha prej tyre, as kur do të shkonin në Ujëvarën e Borshit e as në Kalanë e Lëkurësit, mbi kodrinën më të lartë në hyrjen e Sarandës…

E kështu, nuk do të ndahesha prej këtij grupimi vëllezërish nga Villa Badessa, as kur do të largoheshin nga Piqerasi i tyre dhe Antoneta Vlashi, që jeton në Gjermani, do të merrte me vete një gur nga ky truall, nga “Sheshi i Vlashe”, ku stërgjyshërit e saj patën shtëpinë e tyre, rrënuar e zhdukur nga shekujt e gjatë, me luftërat e harresën e mërgatës, nga ku ishte e do të mbetej si një shenjë e simbol i metaforës shprehëse, edhe ky gur i rëndë malli e gjaku “të shprishur”, sikundër thoshte De Rada i Madh i Arbrit të përtejdetit….

Shpesh them me vete: “Mos të lëntë Perëndia pa vëllezër të vërtetë të një gjaku dhe pa miq që të duan ca më tepër e që kurrë nuk të braktisin në udhëkryqet e jetës”. Ndër ta, ky Lutfi Alia (që e ka edhe mbiemrin si fqinjët e mi në Piqeras, Alia!), me banim në Itali, në ato rrethana si gjithë ikanakët e tjerë, më shkruan edhe këto fjalë befasuese: “I dashur Miho! Për kuriozitet, këtu në Itali ka shumë familje me origjinë nga Piqerasi, që mbajnë mbiemrin Pichierri (Pikieri) dhe dy prej tyre, motër e vëlla, i kam pasur kolegë pune: Patricia Piqerasi dhe Gjon Piqerasi (Giovanni Pichierri), dy mjekë me karakter e zemërbardhësi piqerasiote”.

Nga veprat e botuara të këtij historiani zemërbardhë e mjeku filantropist: “Eksodi i arbërorëve dhe vendbanimet në Itali”, “Kronika e eksodeve dhe vendbanimet e arbëreshëve në Itali” dhe “Dixit.2”, këta ikanakë piqerasiotë janë më të hershëm se ata të Villa Badessa dhe janë vendosur në komunën Faggiano, në skajin fundor të Italisë, madje në një vijë detare të drejtpërdrejtë me Bunecin e Piqerasit, prej nga niseshin varkarët tanë nëpër detet e Mesdheut…

Thuajse të gjithë ruajtën të njëjtin mbiemër, ndërsa kanë pranuar që fëmijëve të tyre, më së shumti t’u vënë emra si të vendasve, sikundër vërtetohet kjo me pagëzimet e dokumentuara në këtë komunë që në vitin 1663-1664 (Palumbo, Marselio, Canarile, Aramte, Assi, Arianiti, Kiranna, Golemi, Pellikaro etj.). Me mbiemrin Piqerasi! Madje, edhe në librin e martesave të viteve 1637-1670 verifikohet e njëjta gjë: që Demetrio Muzaka nga Piqerasi martohet me arbëreshen piqerasiote Adriana Panikia.

Kjo dukuri e ikanakëve nga Piqerasi vërteton edhe një herë, se sa të lidhur e krenarë janë të parët tanë me njëri-tjetrin, se si “mbillet” përjetësisht, nëpër shekuj, kultura dhe DASHURIA e tyre për vendlindjen, që mbeti në shpirtin e tyre të artë…

Shkruar në Athinë, në maj 2022, sipas gjurmimeve historike të Lutfi Alias.

Lutfi Alia: Arbërit nga Piqerasi, themeluesit e Villa Badessa

 

Please follow and like us: