Albspirit

Media/News/Publishing

Viti akademik 2022- 2023, mbështetja financiare për studentët, publikohen kriteret, kush mund të aplikojë, shuma që përfitohet

Studentët shtetas shqiptarë që regjistrohen në vitin akademik 2022-2023 në institucionet e arsimit të lartë publik, të cilët plotësojnë kriteret për mbështetje financiare, duhet të aplikojnë deri në 30 janar 2023 për të përfituar nga kjo mbështetje. Kjo përcaktohet në udhëzimin më të fundit të ministres së Arsimit, Evis Kushi. Mbështetjen financiare e përfitojnë ata studentë të shkëlqyer që do të ndjekin programet e studimit, që përbëjnë prioritet kombëtar në institucionet publike të arsimit të lartë

Kriteret

Për secilin prej kërkesave për financim të paraqitura nga  studentët, që janë pranuar në një institucion publik të   arsimit  të lartë, aplikojnë kandidatët që përmbushin kriteret si më poshtë:

a) studentët me notë mesatare që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare 10.00;

b) studentët që në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të Maturës Shtetërore janë vlerësuar me jo më pak se nota e shkallëzuar 9.5–10.00;

c) studentët fitues, të njërit prej tri çmimeve të para në olimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar, me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, pavarësisht notës mesatare, kur pranohet në programe studimi, që lidhen me lëndën/disiplinat ku ka fituar çmimin;

d) studentët që kanë zgjedhur një prej programeve të studimit që përbëjnë prioritet kombëtar dhe që ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare, jo më pak se 8,5.

Aplikimi

Studentët që duan të përfitojnë nga mbështetja financiare  duhet të aplikojnë me dokumentacionin provues, të noterizuar ose original, si më poshtë:

a) kërkesën për aplikim;

b) diploma dhe certifikata e Maturës Shtetërore;

c) vërtetim nga institucioni i arsimit të lartë publik që është pranuar në një program studimi;

d) certifikatën e fitimit të olimpiadës.

Përzgjedhja

Për përzgjedhjen e të gjithë kandidatëve dhe ndjekjen e  ecurisë së tyre gjatë studimeve, ministri përgjegjës për  arsimin cakton strukturën përkatëse për ndjekjen e procedurave të përzgjedhjes.

Ministria përgjegjëse për arsimin merr informacion zyrtar   nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar dhe institucionet  publike të arsimit të lartë për vërtetimin e kritereve të sipërpërmendura.

Për vitet në vijim, pas vitit akademik 2022–2023, MAS do  të marrë konfirmim nga IAL-të publike për notën mesatare të studentëve përfitues, brenda datës 30 tetor. Ky informacion do të verifikohet në raport me dokumentacionin   e përcjellë nga vetë studentët përfitues, të cilët duhet të depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, listën e notave, si dhe vërtetimin për shlyerjen e të gjithë  detyrimeve  të  vitit  paraardhës.

Kush përfiton bursën

Bursa financiare u jepet studentëve përfitues çdo muaj, në  llogarinë bankare të deklaruar nga studentët, në bankat e   nivelit të dytë, pas konfirmimit të frekuentimit të programit  përkatës të studimit te struktura përgjegjëse për ndjekjen e ecurisë së studentëve gjatë studimeve, brenda datës 5 të çdo muaji.

MAS-i, pas marrjes së konfirmimeve përkatëse, harton listën përfundimtare, me të gjithë studentët përfitues. Lista përfundimtare me të gjithë përfituesit i përcillet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe IAL-ve publike, për nënshkrimin e  marrëveshjes me studentët përfitues, brenda datës 30 nëntor, pasi të jenë njoftuar edhe studentët përfitues.

Kopje zyrtare e marrëveshjeve të nënshkruara, jo më vonë  se dy ditë nga data e nënshkrimit, i përcillen çdo IAL-je publike, të cilat kanë studentë përfitues të këtij fondi. Pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe mes përfituesit të financimit ose përfaqësuesit ligjor të tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe institucionit të  arsimit të lartë publik, brenda datës 15 të çdo muaji, IAL-të publike duhet të kryejnë veprimet, të cilat janë përcaktuar në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet palëve.

Masa e financimit nuk mund të tejkalojë nivelin e pagës minimale të përcaktuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, në momentin e financimit të studentit dhe vlera e saj duhet të përcaktohet në marrëveshje.

Studentët të cilët mund të kenë kryer pagesën e tarifës së   shkollimit pranë IAL-së përkatëse, menjëherë, pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe, IAL-ja duhet të   bëjë rimbursimin e tarifës së paguar nga këta studentë.

Fondet për mbështetjen financiare të studentëve, sipas këtij udhëzimi, përballohen nga buxheti i ministrisë së  Arsimit dhe Sportit që i akordohet IAL-ve publike. /a.meta

/rtsh.al/

Please follow and like us: