Albspirit

Media/News/Publishing

Escobar nga Beogradi: Harrojeni narrativën “Kosova është Serbi”!

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas përfundimit të vizitës në Kosovë dhe Serbi, ka thënë se mendon se fillimi i një përmirësimi të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është në horizont.

Komentet Escobar i bëri në një konferencë me gazetarë në Beograd, teksa bëri thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura mes dy vendeve, ndërsa shtoi se shpreson që Kosova dhe Serbia deri më 1 shtator të gjejnë një zgjidhje për mospajtimet rreth përdorimit të dokumenteve personale dhe targave të makinave.

Më duhet të them se takimi i presidentit Vuçiç me kryeministrin Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe paqësor. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të bisedimeve në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borej dhe z. Lajçak”, tha ai.

Escobar tha se ata e inkurajuan Prishtinën që të jetë më konstruktive dhe fleksibile dhe se e sheh se ka vullnet për këtë. Ai ndër të tjera shtoi se askush nuk duhet të humbë jetën për shkak të targave dhe se të dyja palët duhet të fokusohen në zgjidhjet europiane.

Mendoj se duhet të harrojmë narrativën se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Europë. Gjatë vizitës sime në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, kam krijuar përshtypjen se të gjitha palët janë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje paqësore të kësaj krize. Dhe ky është mesazhi që do t’i dërgoj Uashingtonit: besoj se të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do t’i mundësojë popullit të Kosovës të jetojë në paqe”, theksoi ai.

Escobar tashmë ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit në veri të Kosovës, ndërsa i pyetur nëse vërtet ka potencial për konflikt, ai tha se shpreson se nuk do të ketë.

Shpresoj që njerëzit të kuptojnë se askush nuk duhet të vdesë apo të lëndohet për shkak të targave. Por, pavarësisht se për çfarë shpresojmë, ne jemi duke punuar në të njëjtën kohë për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe në pjesën tjetër të rajonit. KFOR-i është prezent, EULEX-i është i pranishëm, ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me të dyja qeveritë dhe po mundohemi t’i zgjidhim të gjitha çështjet e kontestuara, para se të krijohet një situatë që mund të përshkallëzojë në konflikt”, shtoi ai./ Blic

Please follow and like us: