Fuqia e Imazhit – Vizualiteti si “magnet” i vëmendjes sonë!
Fuqia e Imazhit – Vizualiteti si “magnet” i vëmendjes sonë!
S. Guraziu – Ars Poetica, 2020 [ vështrim eseistik – fotoja, “ekspozim i dyfishtë”: Enrique Meseguer, 2020 ]
(…pa imazhet dhe grafikat revistat do na ishin grumbuj tekstesh, faqesh germatike të monotonisë, tragjedia vetë… do ishin njësoj si ato revistat e “mërzitshme” të akademisë – nëse t’i lexonim tekstet e stërgjata të tyre kjo do interpretohej se vullnetarisht e kemi “zgjedhur” kënaqësinë më të vështirë…)
[ Kërkimi i kënaqësisë së vështirë ]
Imazhet janë gjithmonë më efektive sesa thjesht fjalët e shkruara, kjo dihet ndoshta që nga parahistoria. S’thuhet kot “1 foto flet sa 1000 fjalë”. Imazhet na e “vjedhin” vëmendjen aq lehtësisht. Imazhet dhe vizualiteti janë diç si “magnet” i vëmendjes sonë.
Këtë “sekret” të vockël sot e përdorin mediatikët anembanë botës për t’na “vjedhur” vëmendjen. Duke na shpërqendruar e joshur me trille simpatike, me grafikat e bukura, me spikeret e bukura, me prezentatorë të bukur, me vizëllima, me një milion xingla-mingla, me estetikat e me detajet më të bukura që u shkrep mendja.
Natyrisht, s’e kemi fjalën për taktikat e Playboy. Këta patjetër, fare haptas i ftojnë bukuroshet e botës t’i shpalosin bukurinë dhe estetikat e “lakoreve”. Sepse u duhet për ta “ushqyer” imagjinatën, shijen estetike të miliona meshkujve aneskaj 50 shteteve të ShBA, e ndoshta dhe të mbarë botës. S’e kemi idenë për rrjetin distributiv të tyre, ndoshta Playboy “lexohet” dhe nga marsianët e gjelbër, atje larg në Mars.
S’e patëm fjalën për ta, imazhet e Playboy janë diç tjetër, “kategori” tjetër, përafërsisht si deti, si oqeni i thellë, këso gjërash marramendëse janë kategori në vete. Taktika e tyre redaksionale mbase do cilësohej një lloj “ekstremizmi” i vjedhjes së vëmendjes. Nëse kihet parasysh që fuqia e imazheve të Playboy është e paarritshme, sikur ashtu tinëz ia themi “who cares” le të jetë, mirë që është. Kontributi i Playboy (për pasurimin dhe zbukurimin e imagjinatës mashkullore) padyshim mund të paralelizohet me kontributin e “Big Bang”, dmth. për nisjen dhe zgjerimin e universit : )
La ta lëmë estetikën e faqeve të Playboy rehat. Pa imazhet, revistat e fashion-izmit, të ekstravagancës, të stileve, të glamurozitetit do ishin grumbuj tekstesh, faqesh germatike të monotonisë. Tragjedia vetë… do ishin njësoj si revistat e “mërzitshme” të akademisë, e keni parasysh : )
Nëse t’i lexonim tekstet e stërgjata të tyre, kjo do interpretohej se vullnetarisht e kemi “zgjedhur” kënaqësinë më të vështirë. Pa na shtyrë kush, thjesht me pasionin tonë, me “etjen për dituri”. Meqë as akademikët s’i detyron kush, apo jo. Ky qe diç si parafrazim i thënies së Harold Bloom, i cili parafrazim nëse nevoja mund t’thuhet dhe ndryshe, psh. nëse kërkon kënaqësi të vështirë thjesht lexo : ) Gjithsesi, Bloom pakashumë qe shprehur si vijon:
[ cit. ]
“…ne zhytemi, thellohemi në leximin për arsye të ndryshme, shumica e arsyeve të njohura janë: (ndonjëherë – shën. im) mjaft njerëz s’ia dalim t’i njohim mjaftueshëm thellë; (herë tjetër – shën. im) duhet ta njohim veten më mirë; (tjetër herë – shën. im) kërkojmë ta njohim jo vetëm veten e të tjerët, por dhe mënyrat se si gjërat janë. Megjithatë, motivi më i fortë, më autentik për lexim të thelluar është kërkimi i një kënaqësie të vështirë”.
[ fcit. ]
E si t’thuhet më saktë dhe më bukur e “vërteta” rreth leximit e thellimit? Paçka se njeriu ashtu-kështu është unikal. Intelekti jonë shpesh thuase i tejkalon vetë parapritjet e veta, thuase i kapërcen vetë kapacitetet e “intelektit” : ) Vallë a nuk është vetëm njeriu qenia që ka “nerva” për t’u marrë me një silos prej germash. Nuk ngopet as me germnajat e paskajshme prej 500, 700, 800, 900, shpesh 1400 faqesh. Dhe atë panumër sosh, me biblioteka të tëra mbushur plot.
Andaj “kërkimi i kënaqësisë së vështirë” le që i ngopur me saktësinë, tingëllon madje dhe poetikisht – mjaftueshëm saktë e bukur e pati thënë Bloom.
[ Gjithçka e jetës sonë “ushqehet” me diçka ]
Njerëzit priren për “ushqim vizual”, i konsumojnë imazhet, pamjet tërheqëse, gjithë jetën. Që nga momenti kur i hapin sytë, foshnjat thuase e “përthithin” botën vizuelisht. Vëmendja jonë tërhiqet më lehtë nga imazhet (sidomos nëse “fuqizuar” me dimensionin estetik) sesa thjesht nga një grup fjalësh. Madje dhe leximi sikur na “konvertohet” në imazhe. Edhe vetë ëndrrat janë imazhe.
Pozicionuar vs. germave, në pëzgjedhjen tonë vizualiteti do ishte përherë favorit. Sidomos, siç e thamë, vizualiteti i ngopur estetik – thuase assnjë “ligj” s’e sfidon këtë fakt. Prandaj dhe i ngulfasim gjërat (reklamat psh) me vizëllimat, me sintetikat, me shkëlqimet, me hiper-bukurinë fals. Prandaj dhe i kemi seleksionizmat, diskriminimet gjithandej. Nëse t’na duhej një sekretareshë, ndër dhjetra të intervistuarat padyshim do ta zgjidhnim më të bukurën. Gjoja sikur ajo thjesht “qëlloi” e pajisur me mençurinë e me të gjitha që na duheshin.
Për hir të “estetikave” sikur jemi në gjendje t’i shkelim një gamë tjerash atribute. Ndoshta dhe vetë inteligjencën e mençurinë. Sa jemi në gjendje t’ia pranojmë vetes, çështje tjetër kjo. Dimensioni estetik është skajshmërisht problematik. Diç e pakuptueshme na joshë, diç e panjohur dhe e fuqishme si vetë gravitacioni misterioz. Në këtë kontekst, në përpjestim të “zhdrejtë” me të drejtën tonë, ndoshta as Nënë Tereza (si sekretareshë) s’do kishte shans para Klaudia Schiffer : )
Vallë ç’do bënin showbiz-revistat, i gjithë universi i botës “rozë” pa fotot akull të yjeve, pa fustanet e stilizuara, pa reklamat e buzëkuqëve, pa reklamat e një milion luksoziteteve tjera! Pa imazhet e grafikat sikur s’do ishin “askund”, qëkur e dimë fort mirë se i gjithë “shkëlqimi” vizualitetit i takon, e fare pak ose hiç germave.
Pa imazhet e pa stilistikat sikur do ishte katastrofa vetë, torturë kataklizmike për trurin tonë. S’është shaka me këso gjëra, uria për argëtimin s’ngopet tek ashtu. Do ishte diç si “entertainment tragedy”. Përndryshe industritë a la hollivudeske do kishin dështuar me kohë. Kurrë s’do hapeshin as “disneyland”, as “wonderland”, as “tomorrowland”, s’do kishte ndoshta asgjë me “…land”. S’do habitej kush nëse t’mos ekzistonte Switzerland as England. E lidhur me “vitae”, çështje vitale për vetë jetën, duhet ushqyer ëndrrat, gjithçka e jetës sonë “ushqehet” me diçka.
Sipas “Biomed Central” një përqindje e madhe e trurit të njeriut i përkushtohet përpunimit vizual. Preferenca jonë për imazhet qëndron në njohjen dhe aftësinë tonë për t’ua kushtuar vëmendjen e “duhur”. Dhe gjithashtu, sipas “Science Daily”, një studim tjetër na flet se vëmendja vizuale ndikon në aktivitetin e disa qelizave specifike të trurit. Studimi tregon se vëmendja jonë e rrit efikasitetin e sinjalizimit në korteksin cerebral të trurit, e po ashtu e rrit dhe raportin e sinjalit ndaj “margjinales” zhurmuese.
Dhe jemi dëshmitarë kahdo që rrotullohemi, sot në botën tonë të bujshme (më tepër se kurrë ndonjëherë) ky fakt i fuqishëm me imazhet përdoret ekstensivisht për qëllimet reklamatike dhe për një milion qëllime tjera. Sipas “Retool Marketing” një imazh është më i gjallë sesa një grup fjalësh, më i “gjallë” fjalë për fjalë, e edhe figurativisht – thonë ata.
Dhe vetë Arti (si “kryedega” e gjithçkaje) e përdor këtë pushtet. E dimë psh. një fotograf gjithmonë përpiqet ta ngjallë emocionin, një ndjenjë të vërtetë tek shikuesit (tek konsumuesit e artit të tij, ndjenjë që i lidh ata me fotografinë). Çdo fotograf (si artist) dëshiron që shikuesit ta vendosin veten mendërisht “brenda fotos”. Ose të paktën, të ndihen sikur janë në të njëjtën “hapësirë” ku ata e kanë fokusuar shikimin (e që dtth. mendjen).
[ Revistat “dinamike” të globalizmit ]
Afërmendsh, askush s’e mohon fuqinë e imazheve, sikur dhe as të fjalëve. Fuqia e imazheve është e jashtëzakonshme, qoftë dhe vetëm si “pako memologjike”. Le t’themi se motivi (përthekues) i të gjitha qëllimeve të reklamacionit modern (marketingut) i lehtë për t’u kuptuar, e edhe i justifikueshëm. Mirëpo në rastin e “temave” komplekse, veçanërisht në botën e sotme të turbullt, duke patur në dispozicion mjete aq të fuqishme (Internet, iPhone, panumër media sociale etj), aq shumë gjëra na serviren me këmbëngulje dhe me shpejtësinë e dritës. Fatkeqësisht, shpesh nuk arrijmë ta identifikojmë çështjen ose temën e paraqitur dhe as qëllimin (pretendimin) e autorëve prapa tyre.
Sot ka vegla aq të avancuara, ne vetë kurrë dëgjuar për to, për neve mund t’jenë komplekse sa vetë marramendja, por jo për të gjithë. Me fuqinë e AI sot mund t’jesh minator i cilësdo miniere “big data” (si shembull). Ose aq e lehtë të krijohet cilado video “deep fake”. Videoja është imazh, asgjë tjetër por një slajd imazhesh. Kufizimi mund t’jetë vetëm imagjinata e autorëve prapa tyre dhe shterpësia e ideve, asgjë tjetër. Na serviren gjëra të cilat s’do kishim ditur “as t’i konceptojmë, as si t’i merrnim me mend”, do thoshte autori Jake Rowland. Qëllimet dhe motivet e tyre për vizitorët ordinerë ngelin prore “efemere”.
[ cit. ]
“…vijat mes faktit dhe fiksionit, mes dokumentit faktik dhe falsifikatit, mes të “vërtetes” dhe të “rremes” kurrë s’kanë qenë kaq të “rrëshqitshme” dhe të vështira për t’i zbuluar. Manipulimi i informacionit dhe i imazhit në Internet, sidomos nëpërmjet medias sociale dhe në mediat digjitale në përgjithësi, po përdoret në mënyra të papara për ta shtrembëruar perceptimin tonë për botën (dhe për ndikimin në politikën). Digjitalja është duke e influencuar botën reale (fizike) me një ritëm të përshpejtuar dhe haptazi – sikur dhe në mënyra të tjera, të cilat ne ndoshta as që mund t’i marrim me mend.” – (Jake Rowland – Wired, 2018)
[ fcit. ]
S’kishte si të ndodhte ndryshe, një pjesë e madhe e produkteve të tilla vizuale janë me qëllime të paqarta. Për t’mos thënë me qëllime kot, me qëllime të “errëta” (manipulative – ndoshta kot, sa për ta shtrembëruar perceptimin tonë për botën), ose dhe pa qëllime specifike, totalisht të paqëllimta etj, qëkur s’e kemi as vetë idenë. E qartë se nuk janë të ashtuquajtura “edukative” dhe as “argëtuese”. Lënë përshtypjen kryekëput si pseudo-qasje, vërtiten rreth pseudo-shkencave dhe gjërave të panjohura. I përziejnë faktet e njohura (numra, të dhëna shkencore, diagrame, ndoshta dhe formula ajnshtajniane etj.), krijojnë mish-mash me falsitete, me gënjeshtra të fabrikuara ad hoc, me paragjykime, me hipoteza, herë të bardha e herë të zeza, përcjellur me lloj-lloj “teorish konspirative” etj.
Në kohën tonë të bujshme, ngjeshur me asete të pashtershme multimediale, përveç që na vërshojnë me miliona reklamash, paralelisht (thuase nga askund) na serviren dhe panumër video-teori dhe infografikash të tilla. Të gjitha i vërtitë AI-makineria e Google, pra më keq sesa Google t’na ishte një revistë statike super-gjigante – më keq, sepse është dinamike.
Google, Facebook e të ngjashme janë revistat dinamike të globalizmit, janë “syri” i majës së Piramidës. Me kuadriljona foto të Internetit, me po aq video… të gjitha janë imazhe, e patëm fjalën për “fuqinë e imazhit”, që nga rreshti i parë. Herë lajme fals (fake news), herë “konspiracione”, herë kurse të pafajshme makiazhi prej çupërlinash, e herë marrëzirash. Sepse janë vetë “kova e ujit”, është supozuar të “ushqehen” nga makinat reklamatike, të ngelin gjallë pikërisht nga reklamat.
Prezantimi i psedo-shkencave dhe paketimi i tyre me nivel të lartë estetik kurrë s’ka qenë më i lehtë. Me miliona “autorë” të përtej-xhamit, me grafikat dhe imazhet (qofshin paketuar si video, apo ndryshe), me “pjatën” e tyre përmbajtësore thuase përsiasin:
videografikisht mund ta mbroj çdo hipotezë konspirative (që dëgjoj a që ma shkrep mendja), para akëcilës “katedrale” internetike, do pëshpëris në “sytë-veshët” e audiencës arien e përkryer vizuale, pëshpërima ime e ëmbël padyshim do t’i argëtojë, nëse jo atëherë sëpaku do t’i hutojë, duhet vjedhur vëmendjen e tyre me çdo kusht, sepse sa më shumë vizitorë aq më shumë minuta, aq më shumë “lajka”, aq më shumë centë, sa më shumë centë aq më shumë karamele të ëmbla : )