Ndue Ukaj: Relievi poetik i Nurie Emrullait
Shkrimtari J. L. Borges tek eseu “Poezia” thotë “ne e ndjejmë poezinë, ashtu sikurse e ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë aromën e maleve apo thellësinë e detit”. Duke e lexuar poezinë e Nuries – ose më mirë të them – duke e shijuar atë, më kujtohet Borgesi dhe mendimet e tij për poezinë. Në fakt, sa herë ndodhem përballë qenies së poezisë, horizonteve që hap ajo, hamendem nëse duhet apo jo të flitet për të.
Por ja që është zakon i vjetër që ndonjëherë të themi diçka për leximet, përshtypjet, qoftë edhe për t’i shërbyer konceptit antik të ndërmjetësimit.
Relievi poetik i Nuries është një botë e madhe, me ngjyra të shumta, ku ajo hedh shikimin dhe kundron jetën dhe të njëjtën e shpalos përballë lexuesve, duke qëndruar në këmbë të lodhura, në të cilat jetojnë shpirtëra të shumtë, dëshira zhuritëse e plagë të kohës, por edhe të historisë. Këto vëzhgime poetike, ajo i përpunon përmes gjuhës e figurës, dhe duke i lidhë fort mendimin e figurën.
Dhe merita e madhe poetëve u takon ngaqë ata kanë guximin që shumë ndjesi, trandje shpirtërore, trazime, ëndrra, gjakime, të vërteta të heshtura, t’i nxjerrin nga skutat e errëta të shpirtit dhe t’i hedhin në dritë lakuriq, që bota t’i sheh dhe të mësojë nga to. Dhe, mënyra sesi ata e bëjnë këtë është e bukur, madje edhe kur subjekti i poezisë është i mbushur me trishtim, në orët moderne të Perëndive, kur:
“Ne nuk e dimë në sa metra katror jetohet këtu?
Në sa metra katror vdiset, e dimë.
Dhe poetja e shkund lexuesin, sepse i dëfton se:
“Secili e ka një vend të humbur në botë,
Secilin e gjen në fund ai”.
Dhe poetja e ka gjetë rrugën si shkohet e gjallë vdekjes në një kohë të pagëzuar moderne, kur ëndërrimtarë për dashurinë janë vetëm ca të thinjur.
Ka humbë kaq shumë njeriu?
Në poezinë “Udhëtar”, poetja ka dëshirë të udhëtojë dhe lutet nga forcat supreme ta çojnë atje:
“Të shkoj atje,
ku gjallë është dashuria,
dhe veç prej saj çelin frutet,
e jo nga frika mos vjeshtohen degët vetëm”.
Në këto trajektore jete, ku tjetërsimi ngjan të jetë ngarendje e botës bashkëkohore, poetja flet për të pathënat e një jete ose të jetës, shqetësohet për vlera fisnike e superiore, që lartësojnë shpirtin dhe botën e bëjnë më humane. Dhe vëzhgimet e saj janë të mbrehta, vargjet goditëse, siç ngjet te poezia “Karantinë”:
“Kam frikë mos bota merr rrugën e gabuar,
gjithë nocionet e dashurisë janë vjetruar”.
Nëse poetët janë legjislatorë të panjohur të botës sonë, siç thotë Percy Bysshe Shelley, atëherë shqetësimet e poetes tingëllojnë si kambana alarmi, siç janë poezitë e kujtesës apo ato mbijetesës, ngaqë siç dëfton poezia:
“Kur e tashmja bredh këndej,
pihen barnat e vetmisë,
të dehur nga liria, robërinë të gjithë harrojnë”.
(Fati i mbijetesës)
Ose:
“Lëngun e ditëve të vetmisë e pimë në gota uji.
Nuk zbrazet asnjëherë.
Jemi mësuar të themi: mjafton! pas dy-tri gllënjkave.
(Mbamendje)
Dhe kjo mbase ngjet ngaqë:
“Gjithë ditën mësojmë të harrojmë kush jemi.
në të tjerë njerëz zhysim kokën,
në të tjera realitete fusim këmbët”.
E, përballë këtyre realiteteve, ku tkurrja shpirtërore është e madhe, te poezia e bukur “Aureolë” poetja kërkon vetë dhe i kërkon tjetrit të zhvishet për të treguar jehonën e shpirtit, meqë:
“Botës varja,
bota është miope,
bota s’do t’ia di për ne, as për zë e shpirt.
Gjaku është ujë për të e trupi zgavër”.
Poetja nuk i frikësohet rritjes dhe këtë ia kërkon edhe lexuesit të saj, njëkohësisht për t’i dëftuar se urrejtjen dhe dashurinë gjuha di t’i ndajë dhe si një kronikane që depërton skutave të errëta të jetës, ajo ia shpalos botës veten, autoportretin, gjakimet, dëshirat, dhimbjet, nëpër orët e vona të pritjes e ikjes, në kohën e lumturisë apo në çastet e trishtimit dhe gjithçka e mbështjell me gjuhë të bukur, varg të qartë dhe kulturë letrare.
Poezia e Nuries transmeton energji, thnegla dashurish dhe ndërton një kështjellë plot dritë, jetë, gjallëri e dashuri për veten e universalen, për veten e të tjerët, në të cilat raporte, poezia shpaloset e bukur, e hijshme, plot jetë dhe dashuri./exlibris