Shkup: Drita e Gonxhes nuk shuhet asnjëherë
Vasiliev Nini: Nënë Tereza
Me rastin e 112 vjetorit të lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës zhvillohet manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes” i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
“Nënë Tereza nuk ishte vetëm një bëmirëse, siç perceptohet gabimisht në një pjesë të opinionit publik, por ajo parasëgjithash ishte patentuese e një sistemi të veçantë të sjelljes dhe qasjes ndaj çështjeve të mprehta shpirtërore që askush tjetër nuk i trajtonte dhe nuk i njihte më mirë se ajo”.
ITSHKSH është rrekur ta trajtojë figurën e Nënës Terezës në një plan pak a shumë më të thelluar, duke nxjerrë nga thesari i saj shpirtëror e njerëzor margaritarët më të çmuar, me të cilët ajo stolisi veten dhe më shumë të tjerët. Ajo mbi të gjitha stolisi nocionin njeri në skëterrën e lakmive të pakufishme, është shprehur Skënder Asani.
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se nuk është e rëndësishme sa është një popull i madh, por çfarë vlera të mëdha kultivon duke aluduar se Nëna Tereza i takonte një populli të vogël, siç janë shqiptarët, por bëri emrin e madh në botë me veprën e saj.
“Një komb nuk çmohet për nga numri i personaliteteve të mëdha që ka në gjirin e vet, por çmohet për nga mënyra se si i trajton dhe kujton ato. Ne përkujtojmë dhe nderojmë Gonxhen në mënyrën më të bukur në vendlindjen e saj”, ka thënë Grubi.
Përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ka theksuar se Nëna Tereza nuk është vetëm e madhe, as nuk është vetëm bamirëse dhe vetëm humane. Ajo është imitimi më i mirë i njerëzores në botë. “Prandaj, atë nuk duhet vetëm ta madhërojmë, por duhet edhe ta imitojmë”, ka thënë Don Lush Gjergji.
Kreyetari i Shoqatës “Shkupjania Nëna Terezë”, Dimçe Petrushevski, vlerëson se ne të gjithë duhet ta ndjekim shembullin e dashurisë që e reflektonte Nëna Terezë.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht të 1910 në Shkup, por me “shtëpi” në gjithë botën. Jetën ajo ua dedikoi të gjithë njerëzve që ishin në nevojë.