Gjobvënie për bisedën ‘hot’ në Snapchat, dënohet 15-vjeçarja
Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund shqyrtimit të një rasti “gjobëvenieje” në Tiranë, që ka si protagoniste një të mitur 15-vjeçare. E reja është shpallur fajtore për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” ndaj një djali 8 vjet me të madh në moshë, të cilin e shantazhoi përmes një bisede intime në rrjetin social Snapchat.
E pandehura minorene me iniciale E. K. u dënua me 1 vit burg, por nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pasi në përfundim gjykata vendosi lënien e saj në Shërbim Prove për një periudhë 16-mujore. Referuar vendimit të gjykatës, në shtator të vitit të kaluar, ka filluar një komunikim në Instagram me 23-vjeçarin, që futi më pas në kurth. Në kallëzimin e tij, i riu ka treguar se biseda është zhvendosur në rrjetin social Snapchat dhe ka pasur natyre të ngacmimeve seksuale.
Sipas tij, gjithçka është ndërprerë kur bashkëbiseduesja i ka thënë se ishte 15 vjeç. Por disa orë më vonë, nga e njëjta adresë atij i ka shkruar një person që i është prezantuar si vëllai i të miturës. Duke i thënë se ishte punonjës policie, ai i ka kërkuar 10 mijë lekë të rinj, në këmbim të mosdenincimit të tij për “ngacmim seksual” ndaj të motrës së mitur.