Albspirit

Media/News/Publishing

Raporti zyrtar rreth “Rastit da Vinçi” (Zgjidhja e Enigmës)!

1 – foto-dokumentet nga filmi “Ever After”, 1998, materiale kyç të investigimit për zgjidhjen “enigmatike”
2 – detaj nga vizatimi i Leonardo da Vinçit (1452-1519) – “Ski me të cilat mund të ecësh në ujë”, ~1480 (në kuadër të vëllimit “Codex Atlanticus” – Biblioteca Ambrosiana, Milano)

 

Raporti zyrtar rreth “Rastit da Vinçi” (Zgjidhja e Enigmës)!
sguraziu – ap, 2020 (+ appendix, rasti jozyrtar i “biçikletës” së Ajnshtajnit)

Sipas “teorisë origjinale” da Vinçi qe nisur me pandoflat mbi ujë për t’i zënë garat e Olimpiadës së Londrës. Mirëpo siduket s’pati vajtur puna mbarë. O do i jenë prishur pandoflat, o do jetë mbytur në Atlantik, o do e ketë kullufitur ndonjë peshkaqen i uritur. Sidoqoftë, na pamundësohet tutje me spekulimet. Çfarëdo diç spekulative t’ia shtonim teorisë, të gjitha shtojcat do klasifikoheshin “shtojca konspirative”.

Atëbotë (para 1 dekade) meqë Olimpiada ishte në prag, ndërsa da Vinçi askund, pati humbur pa shenjë e pa gjurmë, ia patëm kushtuar një diç si “Eulogji” të vonuar 500-vjeçare. Sipas nesh dëm i madh që s’ia doli të vinte. Kushedi sa medalje do i kishin takuar. Patjetër se bëhej kampion i shumfishtë i “ecjes mbi ujë”, e gjithë Londra, mbarë Evropa do mahnitej.

***
Shkenca na thotë sëpaku nja 1200 specie të ndryshme mund t’ecin mbi ujë. Lloj-lloj insektesh munden, disa lloje hardhucash po ashtu etj… ja që kjo s’na duket aq interesante. Me gjasë as da Vinçit s’i bënte përshtypje që insektet munden. I pati përvjelur mëngët, pati shkrir mend, donte dhe ai vetë. Thuase donte të “shtyhej” me Jezusin, apo ta sfidonte (pasi kuptohet, ky i fundit pa problem mundej, ashtu e vërtetojne Librat e Shenjtë, hyjnorët munden gjithçka).

Se mbi ujë mund t’na ecin Superman-i, Posejdoni, Akuaman-i etj. këso të ngjashëm, edhe për këta e dimë. Heronjtë e Hollivudit munden panumër gjëra të pamundura. Mirëpo t’ia dilte mbi ujë dhe da Vinçi, kjo do ishte mrekullia vetë, O do bëhej mrekulli, o do ngelej marrëzi, o thjesht hiperbolë metaforike për t’u lidhur me mrekullinë e Jezu Krishtit, dikur në lashtësi.

Humoreska jonë pretendon pa spekulime, por t’jetë e ngjashme me qasjet investiguese të gazetave serioze. Ja pse do t’i investigojmë disa foto-dokumente fiksionale filmike (respektivisht, nga filmi “Ever After”, 1998). Foto-materialet e shfaqin se si da Vinçi ecën me nallanet e drunjëta mbi ujë, mbase duke e testuar shpikjen e vet. E qartë se pakëz me vonesë, sidoqoftë më mirë të testohet vonë sesa kurrë.

Për hir të saktësisë shkencore, duhet theksuar se “pandoflat” (si lundërza, ose nallanet) do duhej t’ishin “ski me të cilat mund të ecet në ujë”, si shpikje origjinale e da Vinçit. Gjithsesi, as me nallane s’prish punë. Psh. të ngjashme janë dhe ato “klompet” holandeze, Ideja i pati shkrepur rreth v. 1480, dhe vizatimi do i takonte fletores voluminoze “Codex Atlanticus”. Sëkëndejmi mund të konkludohet se qe vonuar rrumbullak nja 500 vjet për t’i testuar “pandoflat e ujit”.

Konkluzioni Përmbyllës

Fotot na sugjerojnë (e sidomos videoja) se shpikja e para 500 viteve nuk ishte fare pa “potencial”, pati rezultuar t’jetë mjaft funksionale. Mirëpo, bazuar në raportin teknik rreth specifikave të modelit, pilot-testuesi assesi s’do bënte të hutohej dhe të ndalej. Madje as për t’u çlodhur. Sepcifikat teknike sugjerojnë se pandoflat e ujit (ose këpucë-lundërzat) funksionojnë mirëfilli vetëm gjatë modusit “mobile”. Patjetër duhej t’vazhdohet me hapat, mundësisht duke shpejtuar, duke u ngutur sadopak, s’do bënte ndalje në vend.

Jo vetëm që e kërkojnë ligjet e fizikës, ato të oqeanit patjetër. Përndryshe nëse të ndalej, nëse të vonohej në një vend, personi testues (në këtë rast da Vinçi) do mund të fundosej. Pakashumë njësoj siç janë përcaktuar kushtet dhe për biçikletën. Nëse t’mos i jepnim me pedalizimin as biçikleta s’do funksiononte, sakaq do rrëzoheshim. E pati kuptuar këtë dhe Ajnshtajni, si shkencëtar i madh kushedi saherë do jetë rrëzuar.

Appendix 1 – Rasti (jozyrtar) i Ajnshtajnit

Ajnshtajnit i pëlqente biçikleta, mirëpo (disa dëshmi kalimtarësh të rastit, që janë gjetur sëfundi thonë se) i tërthuroheshin sa këmbët sa pandoflat. I pëlqente dhe violina, as për violinën s’pati lindur i ditur. Pa ushtrime e pa stërvitje s’ka si mësohen gjërat. Teorikisht Ajnshtajni e dinte se biçikleta ndihmon për ruajtjen e ekuilibrit të mendjes, e edhe të zemrës (dmth. të trupit komplet). Tekefundit ashtu pandehte ai. Sidoqoftë, në praktikë që ditën e parë siduket e pati kuptuar – jo dhe aq e lehtë me çikletat, më lehtë e thënë sesa e bërë.

Për fat të keq mungojnë statistikat e testeve çiklistike të Ajnshtajnit. Ai vetë i pati fshehur, i pati zhdukur, kishte dëshirë t’mos dihen. Andaj shkenca s’di diç definitivisht, s’ka të dhëna sa herë mund t’jetë rrëzuar. Mirëpo ka ca elemente e detaje që thuren “tërthorazi” me rastin e tij. Ai e pati ujdisur një lloj “analogjie”, një diç si thënie të mençur se gjoja jeta na qenka njësoj si biçikleta. Nëse nuk i jep sadopak me pedalet thjesht rrëzohesh, s’ke si e ruan ekuilibrin.

Sipas opinioneve të kolegjiumit investigues, pikërisht këtu na del lepuri nga mënga. Kemi arsye të dyshojmë lidhur me fshehjen e shifrave. Askush si fsheh notat e mira, s’i fsheh kush “dhjetëshet”. Le t’jetë e saktë për të dobëtat, ama pse duhet fshehur krenaria!

Kështu që Ajnshtajni do e ketë patur një arsye të madhe. Unanimisht kolegjiumi pajtohet me supozimin se gjunjët e bërrylat mund t’i ketë patur plot plagë, gjakosur, gjithandej gërvishtje. Meqë atëbotë s’kishte helmeta për çiklistët, ndoshta dhe kokën të enjtur e gunga-gunga.

Dhe pra ja pse do i ketë fshehur statistikat. Sepse ishte i dobët. Anise pa shifrat e sakta s’kemi si ta “vulosim” për shkencën, megjithatë sikur dimë mjaftueshëm nga vetë thënia e tij “jeta = biçikleta”. Tutje jemi të privuar nga spekulimet, por as kosovarët s’e ruajnë kot njëfarë urtesie “mos e vet se t’kallxon vetë” : )

Appendix 2 – Teoria Origjinale

Da Vinçi në Olimpiadë
S. Guraziu, 2012

Miku im i “mbathi” nallanet e veta,
në fakt u hipi lundërzave të drunjëta,
si pandofla të çuditshme… shpikur
nga ai vetë – punoi gjatë, pa pushim
shkriu mend, panumër skicash e faqesh
në Codex Atlanticus – dhe vrapon
si i marrë mbi syprinën e detit,
fillimisht e humbi orientimin, u nis
gabim kah Bosfori, por u këndell,
e ndërroi kursin… tani ndodhet
diku afër ngushticës së Gjibraltarit –
ka vendosur t’jetë garues zyrtar
në Olimpiadën e Londrës.

Sot e humbëm kontaktin, iPhone
i vet mund t’i ketë rënë në ujë, por
në emailin e fundit m’shkruante:
pse ti s’merr pjesë n’festivale kurrë,
as në gara, në olimpiada… nisu pra,
mbathi ato nallanet holandeze,
bjeri i qetë La Manshit, dil andej
dhe më prit, mos ki frikë, në një kanal
të ngushtë nuk mbytesh dot,
si delfin, as zbathur, as me not…
pa le që “klompet” janë të njohura
në gjithë botën, ndoshta ia del,
triumfon, bëhesh “i parë”, kampion
i ecjes mbi ujë, por dhe pas meje
nëse ngelesh, një medaljon i fildishtë,
o çfarëdo qoftë, padyshim të takon.

Please follow and like us: