Etleva Gerbi Mançe: Një ëndërr bëhet realitet!
Qyteti i Brühlit, që ndodhet midis Kölnit dhe Bonit, është një qytezë e vogël, por që ofron shumë. Ka një pallat mbretëror, jo çdo qytet ka një të tillë, ka Phantasialandin, një nga parqet më të medhaja në Gjermani dhe Europë, ka gjithashtu si çdo qytet një infrastrukturë të mirë, por mbi të gjitha ka një komunitet shqiptar të mrekullueshëm, qe vinë nga të gjitha trojet shqiptare dhe prej gati 30 vjetësh Brühli është bërë për ta si një vendlindje e dytë. Ata janë si një familje e madhe shqiptare, që mirëpresin çdo shqiptar që vjen në këtë qytet, dhe janë për njeri-tjetrin aty, në ditë të mira dhe të vështira. Rrallë herë ndodh që ata që kanë ardhur e të kenë banuar një herë në këtë qytet e të largohen prej tij.
Ishte pikërisht ky komunitet, familja Ukuqi, Kastrati, Dernjani, Bakolli, Buzhala, Qorraj, Latifi etj. që nuk e lanë asnjëherë në harresë, dhe me kujtonin herë pas here, se kur do hapet shkolla shqipe, e kur do bëhet edhe Brühli me një Shkollë Shqipe.
Për të gjithë ata, që sot janë vetë prindër dhe sollen fëmijët e tyre në shkollën shqipe, për të gjithe ata që ndër vite bënë përpjekje për të hapur një shkollë shqipe në Brühl, për të gjithë ish nxënësit që për vite të tëra udhëtonin deri në Wesseling për të mësuar gjuhën shqipe, për të gjithë atë familjen e madhe të komunitetit shqiptar në Brühl, më 22.08.2022 u hap zyrtarisht Shkolla Shqipe.
Askush nuk e mendonte që në këto kohë të vështira pas një pandemie të gjatë do të realizohej ky projekt. Pati takime dhe diskutime, u bisedua disa herë me institucionet përkatëse e gjithë infarstruktuara, dita, shkolla edhe orari, dhe u mundua të arrinim më të mirën, si për nxënësit ashtu edhe për prindërit. Ky është një proçes i gjatë dhe jo i lehtë, mbasi dëshira dhe vullneti për të mësuar gjuhën shqipe nuk i ka munguar asnjëherë këtij komuniteti, por kjo duhej aprovuar e miratuar edhe në rrugë institucionale.
Dhe kur gjerat arrihen me vështirësi bëhen edhe më të bukura, jetojnë edhe më gjatë, kështu që për të gjithë ne, edhe për brezat që do të vinë kjo ditë do të mbetet një ditë historike.
Lira, Riad, Matis, Kron, Emonda, Majlinda, Enisa, Loresa, Megi, Emiljano, Mollza, Sumila etj. kishin edhe më shumë emocine se mësuesja, por ata në fund të ditës së parë të tyre të shkollës shqipe dolën nga klasa të kënaqur e duke buzëqeshur. Jo ne çdo qytet ka një shkolle shqipe, madje kjo është tashmë një privilegj, kështu që aty ku ka është e mira që rreth saj të mblidhen sa më shumë fëmijë.
Tani e tutje për të gjithë fëmijët e këtij qyteti, por edhe për brezat e ardhshme do të ketë një derë të hapur ku nuk do të mësojnë vetëm të lexojnë dhe shkruajnë gjuhën shqipe, atë gjuhe që na bashkon të gjithëve, por do të mësojnë për historinë e popullit shqiptar, kulturën do ta mësojnë nëpërmjet këngëve dhe valleve tona të bukuara.
Shkolla shqipe është një derë e hapur jo vetëm për nxënesit, por do të jetë institucioni ku do mbledhi rreth saj të gjithë komunitetin shqiptar. Mësimi i gjuhës shqipe është rruga e integrimit me identitet të çdo shqipatri apo fëmije që lind, rritet apo do të jetoj në këtë qytet.
Ja kisha borxh Brühlit, qytetit që tash e 30 -vjet është bërë vendlindja ime e dytë!