Albspirit

Media/News/Publishing

Fitimet e liderëve të teknologjisë

Epoka e artë e kompanive të mëdha teknologjike mund të ketë mbaruar. Gjigantët e teknologjisë amerikane po përballen me kufij të rritjes

 

Në botën dixhitale, ligjet e fizikës mund të pezullohen sipas dëshirës së një programuesi. Po kështu, arkitektët e korporatave teknologjike duket se kanë qenë të aftë të sfidojnë gravitetin ekonomik, shkruan The Economist.

Që nga viti 2005, pjesa dixhitale e PBB-së amerikane është rritur me një të tretën, duke arritur në 10%.

Oligopoli teknologjik i Amerikës – Meta, Alphabet, Amazon, Microsoft dhe Apple (shkurt, grupi MAAMA) ka pasur rritje edhe më të shpejtë. Të ardhurat dhe fitimet e MAAMA-s janë rritur me gati 20% në vit, gjatë dekadës së fundit, ndërsa Amerika ka arritur një rritje nominale vjetore të PBB-së prej më pak se 4%.

Covid-19 mund të ketë kufizuar jetët fizike, por ka pasuruar ato dixhitale, duke pasuruar edhe teknologjinë e madhe, si kurrë më parë.

Këtë vit, gjendja ka qenë më e vështirë. Indeksi NASDAQ i teknologjisë është ulur me një të katërtën që nga janari, më shumë se tregu i gjerë i aksioneve të Amerikës. Kompanitë më të vogla teknologjike janë rritur gjithashtu më ngadalë, për shkak të rënies së të ardhurave dhe normave të larta të interesit.

Edhe kompanitë gjigante të teknologjisë, pavarësisht se gjenerojnë shumë para, po ndiejnë realitetin e zymtë. Më 26 korrik, Alphabet raportoi rritjen më të ngadaltë të shitjeve tremujore që nga muajt e parë të pandemisë.

Çmimi i aksioneve të saj u rrit, por jo mjaftueshëm për të kompensuar për rëniet e fundit. Një ditë më vonë, Meta tha se shitjet e saj ranë në bazë vjetore, për herë të parë në histori.

Titanët e teknologjisë të Amerikës papritmas duhet të përballen me forcat që kanë rrënuar prej kohësh CEO-t e ekonomisë së vjetër: zinxhirët e dëmtuar të furnizimit, proteksionizmi, mungesat e punëtorëve dhe konkurrenca. Për grupin MAAMA, këto kufizime janë risi. Dhe shefat e tyre duhet të mësohen me këtë.

Një kufi është gjeografia, e cila shpesh harrohet në botën e zinxhirëve të furnizimit global të pandërprerë dhe hapësirës kibernetike pa kufij. Përderisa gjigantët e teknologjisë tregtojnë pjesë fizike në vend të bajteve dixhitale, ata po përjetojnë dhimbjen e ndërprerjeve të furnizimit.

Në prill, Apple paralajmëroi se të ardhurat e kompanisë do të ishin 4-8 miliardë dollarë më të ulëta se sa pritej në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimit në Kinë, ku fabrikat mbyllen sa herë që shfaqet një rast i ri Covid-19.

Edhe Amazon ka pësuar kosto shtesë, sepse, ashtu si shitësit konvencionalë me pakicë, si Walmart, vlerësoi gabimisht se çfarë donin blerësit dhe kur.

Barrierat po shfaqen gjithashtu online, pasi vende të ndryshme, si anëtarë të Bashkimit Europian apo India, po ruajnë me rreptësi të dhënat e qytetarëve të tyre. Ky është një shqetësim për Alphabet, Meta dhe Microsoft, të cilët, të paktën jashtë Kinës, nuk po përballeshin me shumë pengesa për shitjen e shërbimeve të tyre dixhitale.

Një kufi tjetër ka të bëjë me talentin. Kompanitë e teknologjisë nuk janë mësuar të kërkojnë vetë programuesit më të mirë. Megjithatë, tani kompanitë e mëdha teknologjike po hasin vështirësi në rekrutimin e punonjësve. Një arsye është madhësia e fuqisë punëtore kolektive të grupit MAAMA, e cila është rritur gati shtatëfish në dhjetë vitet e fundit, në 2.2 milionë.

Sa më e madhe të jetë lista e pagave, aq më e vështirë është të rimbushet ajo, e aq më tepër të zgjerohet. Kompanitë e mëdha teknologjike po përballen gjithashtu me konkurrencë më të ashpër nga industri të tjera, të cilat këto ditë po bëhen gjithnjë e më tërheqëse, duke sfiduar firmat e mëdha.

Kufiri tjetër janë tregjet e MAAMA-s. Ndërsa biznese si tregtia elektronike po u kthehen ritmeve të rritjes para Covid-19, pandemia nuk duket se përfaqëson më fillimin e një epoke dixhitalizimi të pafund, por ndryshime të njëpasnjëshme. Siç tregojnë Alphabet dhe Meta, reklamat dixhitale, që dikur konsideroheshin imune ndaj ciklit të biznesit, mund të kthehen po aq prociklike sa ato offline.

Qofshin reklamat në internet apo blerjet online, cloud apo celularët smartphone, tregjet e teknologjisë janë më të pjekura dhe tregjet e pjekura rriten më ngadalë, veçanërisht kur ato nuk po shpërfillen më nga rregullatorët.

Në shumë fusha, marzhet e larta të fitimit të kompanive të mëdha, po bien. Amazon, për shembull, po investon shumë në biznesin e reklamave, çka është edhe pika e fortë e Alphabet. Ndërkohë, Alphabet po shpenzon me miliarda për të zënë një terren në cloud, një fushë ku operon edhe Amazon.

 

MAAMA mia, a mund të rriten përsëri?

Gjigantët e teknologjisë mund të krijojnë ende magjinë e tyre që shtrembëron realitetin. Blerja prej 3.9 miliardë dollarësh nga Amazon e One Medical, ofrues amerikan i kujdesit shëndetësor, është përpjekja më e fundit e MAAMA për të pushtuar një nga tregjet e fundit të padixhitalizuara.

Ata mund të krijojnë edhe një herë një treg krejtësisht të ri, siç bëri Apple me ekonominë e aplikacioneve të iPhone dhe shpreson ta bëjë përsëri me realitetin virtual. Megjithatë, derisa të ndodhë kjo, epoka e lulëzimit të firmave të mëdha teknologjike, ka të ngjarë të ketë mbaruar./revista monitor

Please follow and like us: