Fuga sqaron statujën e Stalinit në vilën qeveritare
Një statujë bronxi e Josif Stalin vështron mbi një rrugë të populluar të Tiranës nga brenda murit të një vile qeveritare – dikur shtëpi e ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu në lagjen e ish-Bllokut. Po aty gjendet një makinë Zis dhe një statujë e Leninit. Statujat u hoqën nga sheshet e Tiranës pas lëvizjeve anti-komuniste të vitit 1990 dhe qëndronin prej vitesh në oborrin e pasmë të Galerisë së Arteve. Ato u zhvendosën që aty për shkak të rikonstruksionit të godinës. Disa portale shkruajnë se ekspozimi i tyre në ieh-vilën e Mehmet Shehut ka pasoja sensitive te viktimat e komunizmit. Por Endri Fuga, drejtor i Agjencisë për Mediat dhe Komunikimin thotë se ekspozimi i statujave të Stalinit dhe Leninit në ambientet e vilës qeveritare është pjesë e një instalacioni dhe se mbi një vepër arti nuk duhet gjykuar me syzet e politikës.