Ilir Levonja: Floriani dhe modeli i suksesit
Florian Markun e priti Edi Rama dhe kësisoj nuk ia vlen te adhurojmë më. Nga ana tjetër një trajneri kombëtar i ka mbetur qejfi, madje e quan boksier Instagrami, jo boksier kombëtar. Në Lushnje e shpalli Qytetar Nderi Taulanti, ndaj harram e pastë. Janë disa nga vulgaritetet tona nga ku e kemi të pa mundur t’i shpëtojmë politizimit. Madje diku lexon se iks politikan po përfiton nga fama e Luiza Gegës apo Florian Markut. Eshtë fare e thjeshtë, e njëjta gjë do të ndodhte po të ishte kryeministër edhe dikush tjetër nga e djathta, apo nga tërësia pa identitet politik e karvanit të mini partive shqiptare. Mos e trasmetoni mërinë karshi Ramës, Berishës a Ilir Metës tek një sportist a djalë emigrant, i cili ka arritur aty ku është përmes punës së tij. Sot shqiptarë të suksesshëm gjen në mbarë botën. Deri në rangje të larta. Ju kujtohet kur një vajzë nga familje emigrantësh shqiptarë zgjidhej në majin e 2019, eurodeputete në Suedi. Emri i saj është Arba Kokalari, ne të gjithë u krenuam. Ashtu siç ka misionarë të tjerë që bëjnë kaq shumë për shqiptarët emigrantë, komunitetin etj., madje edhe për vendin amë, si Marko Kepi në Amerikë që mblodhi fonde e ndërtoi shtëpi për të dëmtuarit e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Për të mos u futur më thellë edhe tek ata fëmijë emigrantësh që marrin medalje me flamuj të Greqisë, Italisë apo ndonjë shteti tjetër. Nuk kanë tradhtuar vendin, shtetin amë, përkundrazi e kanë nderuar atë. Se i kanë thënë botës që shqiptarët nuk janë shpellarë por mëtues të vlerave njerëzore. Çdo kryeministër shqiptar si majtas dhe djathtas do vepronte po njësoj siç veproi Rama. Merrni rastin e Florianit, një djalë familje emigrantësh nga Lushnja. Sot në Londër, aty ku kinematë a produksioni i kinematografisë kanë në qendër mafian shqiptare me shtëpitë e barit. Turpi ynë kombëtar. Bash aty ai shpallet kampion. Le t’i referohemi emrit të tij të ringut se sa shtëpive të barit. Eshtë në vazhdën e vlerave me të mira shqiptare, një përpjekje heronjsh që kanë lënë tokën e tyre dhe i janë adresuar botës së madhe. Kurse atij trajneri kombëtar që nuk e quan dot boksier a sportist kombëtar një të tillë që nuk kalon nga duart e tij, është mangësi formimi për ‘të, jo për sportistin. Në përgjithësi është në kulturën tonë show politik. Sigurisht Rama nul bën përjashtim. Por kjo nuk ka domethënien se Floriani është Rama a Erion Veliaj. Ftesës nga vendi amë nuk bën krim t’i përgjigjesh. Kjo jo për hatër të hirearkisë politike, por për ata qytetarë që të ndjekin fizikisht e shpirtërisht kudo. Ai është sportisti që ka ngritur një profil fituesi. Këtë shikoni. Bota njeh plot modele. Madje ka shtete të lodhura nga politika dhe lufta civile, nga ekonomia e dobët dhe ikja e përjetshme. Por ka mes tyre edhe simbole që kanë ofruar gjithçka sipërore nga vetvetja për të përmisuar emrin e qytetit dhe vendit të origjinës. Përshembull sot Filipinet i njohin më shumë nga titujt e Meni Pakajos se nga krimet e Ferdinand Markos. Meni Pakojo i kthente fitimet në shtëpi për të pastrehët. Ferdinand Marko internonte, burgoste, vriste. Ne na duhen modelet e mira pavarsisht se sa përfiton politika.