Albspirit

Media/News/Publishing

Tri krijime të poetit Frederik Reshpja

TESTAMENT
Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt
Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj
në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!
Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin
e trëndafilave.
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,
i mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Po kur të vdes portreti im ka për t‘u shfaqur nëpër gjethe,
se unë kam patur miqësi me çdo dru.
Në stinën kur bien gjethet
do të bien edhe sytë e mi.
Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!
FAT
Unё pёr fatin tim pikёllohem vetё
S’dua tё pikёllohet kush pёr fatin tim
Mё ndjek pas Perёndia e Humbjes
Me mermerin e thyer nё luftёra pa kuptim.
Mirёpo unё jam pagan i vjetёr
Pa kёtё fat tё keq nuk ndjehem mirё
Çdo njeri e ka njё fjalё ku vё kryet
Kam dhe unё pёr prehje dhembjen time.
E ç’do tё preferoja tjetёr pёrveç luftёs
I ndjekur pas nga ky fat budalla?
Vёrtetё qё kam fituar shumё pak nё kёtё jetё
Por humbjet i kam pasur tё mёdha.
S’dua tё trishtohet kush pёr fatin tim
Se pёr fatin tim trishtohem vetё
Mermeri i thyer i Perёndisё sё Humbjes
Tёrё lavdia ime kjo ka pёr tё qenё.
SIDOQOFTË
Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar.
Sidoqoftë, njerëzit do ta shpikin disi një mëngjes,
ashtu siç kanë shpikur detet, yjet, shiun
dhe shumë gjëra që nuk ekzistojnë.
Nata është hija jote
që ti nuk arrite dot ta mbledhësh ende.
Sidoqoftë, unë mund të shkruaj lirika moderne,
po tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë,
si përshembull lumturia.
Apo fëmijë të bukur, shira lulesh e gjëra të tilla,
për të cilat Zanafilla fajëson perëndinë.
Please follow and like us: