Fadil Sahiti: JETA NË LABIRINTHET E FRANZ KAFKËS
Ata që kanë lexuar tregimet e Franz Kafkës e dinë se pothuajse të gjitha ndodhin në një atmosferë labirintike… Procesi, Metamorfoza, Një Ligjëratë Akademike… janë histori për labirintet e jetës së njeriut. Në labirint jeton edhe protagonisti i Kështjellës, të cilin shkrimtari e quan “K”, identiteti i të cilit duket më “labirintiku” se vetë ngjarja.
Ngjarja zhvillohet në një fshat diku në Evropë, me një peizazh dimëror, i çuditshëm, i banuar nga njerëz të çuditshëm… në të cilin duket sikur koha ka ndalur, ku të gjitha ngjarjet zhvillohen në errësirë. K., personazhi pa emër, beson se është emëruar të punojë si gjeometër, por një ditë Kryeplaku i fshatit i thotë se emërimi i tij është një keqkuptim i madh, fshati s’ka nevojë për gjeometër!!! Këtu fillon jeta labirintike e K-së, i cili fillon betejën e tij me pushtetin e fshatit. Situata bëhet edhe më bizare kur kupton se qeveria ka caktuar dy ndihmës, Arturin dhe Jereminë, që nuk janë gjë tjetër veçse spiunë të qeverisë. Për të sqaruar (jo) emërimin e tij, K. përpiqet të takojë Klammin, një pushtetar i Kalasë që respektohet gjerësisht nga fshatarët, por që rezulton i paarritshëm. Në këtë rrugëtim ai takohet me të dashurën e Klamm, Frieda, me të cilën bën dashuri në natën e parë të takimit.
Në tërësinë e ngjarjeve, më interesantja është ajo që Kafka e quan Mësuesi. Një ditë mësuesi i fshatit shkon dhe e viziton K-në dhe i dërgon një propozim të Kryeplakut për t’u punësuar jo si gjeometër por si shërbëtor apo mirëmbajtës i shkollës. Përmes mësuesit Kafka thumbon njerëzit e dijes të bëhen gjymtyrë, vegëla të pushtetit; që vejnë dijen dhe autoritetin e tyre në shërbim të pushtetit. Mësuesi portretizohet si njeri pa integritet, që ‘masturbon’ nga kënaqësia kur sheh K-në duke i shërbyer.
Si të gjithë tregimet tjera letrare dhe artistike, edhe Kështjella mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që krajatat e K-së për të hyrë në kështjellë për të takuar Klamm-in i krahasojnë me përpjekjet e njeriut për të krijuar lidhje me përtejësinë, me hyjninë. Edwin Muir, një nga përkthyesit më të mirë në anglisht të Kafkës, krajatat e K-së i interpreton si përpjekje të një njeriu për të jetuar jetën e tij sipas vullnetit hyjnor (të përfaqësuar nga kështjella), dhe midis “komunitetit të besimtarëve” (fshatarëve). Kështjella është atje mbi fshat, siç është Zoti mbi njeriun; por edhe pse K. e ndjen praninë e saj (hyjnisë) atje dhe takohet me përfaqësuesit e saj (priftërinjtë?), ai në fakt nuk futet kurrë vetë brenda në Kështjellë. Sartri do të thoshte se përpjekjet për të gjetur lidhjen me zotin janë të kota, sepse edhe nëse Zoti ekziston, ai na ka dënuar që në zanafillë; na ka braktisur për fajin e Adamit dhe Evës.
Si përfundim, Kështjella e Franz Kafkës është një nga ato tregime që të fut në labirinthet e fesë, Zotit, shoqërisë, individit dhe mbi të gjitha të pushtetit që kërkon të kontrollojë fatin e individit. Megjithatë, libri nuk është i lehtë për t’u kuptuar, pasi vetë stili i Kafkës është unik dhe i ndërlikuar. Prandaj, kërkon një gjendje të veçantë psikologjike. Fat i madh që këtë libër e ka shqipëruar një intelektual unik shqiptar, që nuk jeton më, Ardian Klosi.
Please follow and like us: