Lirohet nga paraburgimi Thoma Gëllçi
Gjykata e Posaçme pranoi sot kërkesën e avokatit mbrojtës të ish drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllci dhe vendosi lirimin e tij për shkak të mbarimit të afateve të dënimit. Ndërsa avokati i tij mbrojtës, Dorian Matlija shprehet se ndryshe nga sa është raportuar në disa media, Gëllci prezumohet i pafajshëm. Ai thotë se Gjykata e Posaçme e shkallës së parë nuk e ka zbardhur vendimin dhe pse kanë kaluar tre muaj, ndërsa njofton se gjyqi do të vijojë në shkallë të tjera.
Reagimi i plotë i avokatit të Gëllcit:
1. Thoma Gëllci nuk u lirua nga burgu, por nga paraburgimi. Ai vazhdon ende të prezumohet i pafajshëm dhe është i bindur që ky do të jetë rezultati final i gjyqit ndaj tij. Ajo që përfundoi sot ishte koha e paraburgimit dhe do vijojë gjyqin në gjendje të lirë.
2. Thoma Gëllci nuk është akuzuar asnjëherë për shkelje të barazisë së shtetasve në tendera apo ankande publike. Lajmi në disa media është i pavërtetë.
3. Gjykata e Posacme e shkallës se parë nuk ka zbardhur ende as vendimin e saj, megjithëse kanë kaluar pothuajse tre muaj. Askush nuk di se çfarë gjykata do shkruajë aty, por një gjë është e sigurtë, që gjykata nuk pati kohë fizike për të lexuar dosjen. Ne që e lexuam dosjen do e vazhdojmë gjyqin në shkallët e tjera dhe jemi ende larg një vendimi final.
8 tetor 2021, lajmi i arrestimit
Arrestohet ish- drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi dhe 3 ish-zyrtarë të këtij televizioni. Në një njoftim për media, SPAK bën me dije se Gëllçi akuzohet për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrëse në tendera apo ankande publike”. Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë rreth 87 milionë lekë të reja (86.908 550 00) të zhvilluar në datën 9 nëntor të 2018 nga RTSH.
Në këtë tender janë konstatuar shkelje ligjore nga 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët gjithashtu kanë rënë në pranga. Të tre vartësit e Gëllçit, A.M, E.M, J.T, akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet ka rezultuar se krahas tyre edhe Gëllçi në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, ka shpërdoruar detyrën në këtë proçedurë prokurimi.
“Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal. Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal. SPAK e ka regjistruar proçedimin penal në datën 28 shkurt të 2020. Pas hetimeve u vërtetuan akuzat për shkelje në këtë tender dhe mbrëmjen e sotme SPAK ka bërë arrestimin e tyre, pasi GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg’. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gëllçi e mori detyrën si drejtor i përgjithshëm i RTSH në 6 Maj 2016 kurse më 21 maj të këtij viti u lirua nga ky post. Vendimi u bë i ditur nga vetë RTSH, e cila në një kronikë të përgatitur atëherë deklaroi se atij i kishte mbaruar mandati i qëndrimit në detyrë. Këshilli Drejtuesi i RTSH votoi me 8 vota pro shkarkimin e Gëllçit, ndërkohë që drejtimi i televizionit i ka kaluar zv.drejtorit Martin Leka. Fillimisht Gëllçi ka punuar si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni” dhe më pas në gazetën “Zëri i Populli”, të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor. Ai është themelues i gazetës “24 orë”. Po ashtu ai ka punuar në struktura të larta të qeverisë Meta në detyrën e drejtorit të Departamentit të Informacionit./Abcnews.al