Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një humaniste e madhe ikën nga kjo botë

Një humaniste e madhe ikën nga kjo botë por mbetet në zemrat tona: mjekja pediatre Solange d’Angély që aq shumë e deshi Shqipërinë sa një dokumentar për të unë e titullova «Shqiptarja e Parisit». Janë me mijra shqiptarë e francezë ata që e njohin këtë humaniste të orëve të para për çka dhe Parisi e nderoi me Medaljen e Parisit dhe shteti francez e nderoi me medaljen «Kalorëse e Legjionit të Nderit». Shumë vite më parë kisha nderin t’i dorëzoja në ambasadën shqiptare në Paris medaljen e lartë të Nënë Terezës akorduar nga presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Të shumta kanë qënë udhëtimet e saj drejt Shqipërisë gjatë 40 vjetëve, takimet e shumta pediatrike Franko-Shqiptare që organizonte me kolegët e saj shqiptarë e francezë, udhëtimet për të çuar ndihma në mes të borës në veriun shqiptar në vitet e para të viteve ‘90. Ajo ishte gjithashtu e para shqiptare që kalonte kufirin e Kosovës kur krismat e luftës në Kosovë sapo kishin pushuar.
Gjithë jeta e saj ishte sinonim i dashurisë njerëzore, shëmbull i përkushtimit, gjithnjë me kujdesin për fëmijet shqiptarë që i merrte në shtëpinë e saj në Paris për ti kuruar dhe ndihmuar. Aksionet e saj humanitare ishin të panumurta në kuadrin e shoqatës humanitare që krijoi CEMPEA – për fëmijët e Shqipërisë. Por ajo ishte shumë e afërt gjithashtu me letrarët e artistët shqiptarë, gjithnjë aktive në takimet që organizonte shoqata ALBANIA dhe së fundi Maison d’Albanie. Një zemër e madhe pushoi. Lumturisht dje isha në klinikën e Versajës për ta përshëndetur për herë të fundit. Idhulli i saj ishte Nënë Tereza dhe ajo deshi ti përngjante asaj me përkushtimin ndaj njeriut. Dhe në këtë gjurmë përvijoi ajo këtë rrugë të shenjtë për njeriun. E paharruara Solange porta e së cilës ishte gjithnjë e hapur për shqiptarët…
Please follow and like us: