“Mjegull”, dokumentari që sjell dhimbjen për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë
Pas më shumë se 20 viteve, mbi 1600 persona ende janë të zhdukur në Kosovë
Më shumë se 20 vjet pas konfliktit të armatosur në Kosovë, familjet e mbi 1600 personave të zhdukur janë ende në kërkim të të dashurve të tyre. Pas çdo personi të zhdukur qëndrojnë familje që vuajnë nga ankthi dhe mosdija për fatin e të dashurve të tyre dhe që përballen me pasojat e shumta të kësaj në jetën e tyre. Për çdo person të zhdukur, ka njerëz të panumërt të cilëve ata u mungojnë.
Për t’i nderuar familjet e personave të zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) këtë vit ka bashkëpunuar me komunitetin artistik të Kosovës për ta prodhuar një dokumentar ku rrëfehen historitë dhe përshkruhet jeta aktuale e tri familjeve me përkatësi të ndryshme etnike, anëtarët e të cilave janë zhdukur.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë, z. Agim Gashi, tha: “KNKK i çmon përpjekjet e bëra nga autoritetet në gërmimin e disa varrezave të supozuara në kërkim të eshtrave të njerëzve të zhdukur dhe i inkurajon ato që ta përshpejtojnë procesin aty ku është e mundur. Bashkëpunimi me të gjithë akterët e përfshirë është kyç për arritjen e rezultateve. Si në të kaluarën, ashtu edhe këtë vit, i bëjmë thirrje shoqërisë në përgjithësi dhe autoriteteve që të mendojnë sërish se çfarë mund të bëjnë më shumë për t’u ndihmuar familjeve të personave të zhdukur”.
Megjithatë, është mbështetja dhe bashkëndjesia e shoqërisë ajo që është tejet e rëndësishme për t’u ndihmuar familjarëve të personave të zhdukur që ta përballojnë dhimbjen. Prandaj, është momenti i fundit që kushdo që mund të ketë informata që mund të çojnë në zgjidhjen e cilitdo rast të ndonjë personi të zhdukur që t’i ofrojë ato. Koha nuk e shëron agoninë e familjeve të të zhdukurve, por vetëm përgjigjet.
Link: https://www.facebook.com/KryqiKuqIKosovesRedCrossOfKosova/videos/1541772152947415/