Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Fillimi i fundit, leximi kronologjik i Fron Nahzit

Një artikull brenda pak orësh ka krijuar një perceptim të ri mbi fakte të njohura. Por ‘lajmësi’ merr rëndësi në kontekst.

 

Fron Nahzi, Drejtori i parë i Fondacionit Soros në Shqipëri ka publikuar në BIRN një shkrim të ashpër për qasjen e Ramës ndaj Ballkanit të Hapur në nivel rajonal dhe rrëshqitjen drejt autokracisë në nivel lokal*.

Për Nahzin në nivel rajonal: ‘Vuçiç e përdor Ramën si ushtar për të çuar përpara interesat serbe’ dhe se ‘të dy kanë të përbashkëta pjesë nga e njëjta lojë e shpifur’.

Për Nahzin në nivel lokal: ‘Nën drejtimin e Ramës… vëzhguesit e brendshëm e të jashtëm e kanë akuzuar qeverinë e tij për korrupsion, klientelizëm dhe intimidim të gazetarëve e kritikëve’.

Asgjë e re në këto konstatime nga çfarë gazetarë e analistë larg aerosolit propagandistik të shtypit në vend kanë radhitur si fakte përmbi opinionet prej vitesh. Raportet e DASH, BE, TIA, Reporterëve pa Kufij, Bankës Botërore, Freedom House etj kanë përsëritur vetveten më shumë se dy herë, pavarësisht qesëndisjes me ‘copy paste’ që u ka bërë Rama.

E reja qendron tek fakti se:

-kjo gjë po thuhet nga Fron Nahzi dhe

-përcaktimi i Ramës si ‘ushtar’ i Vuçiç në nismën për Ballkanin e Hapur, që ‘i shërben Rusisë e Serbisë’ (e deklaruar fort edhe nga opozita shqiptare qysh herët).

Ngjan i vonuar Nahzi në këto konstatime, sepse kjo nismë prej tij konsiderohej e besueshme në janar të vitit 2022 në një shkrim për BIRN**: ‘Rajoni është shumë më i stabilizuar, siç e demonstron edhe nisma e Ballkanit të Hapur, që lidh Shqipërinë, Serbinë e Maqedoninë e Veriut’.

Çfarë ka ndryshuar në bindjen e Nahzit qyshse nga janari? Lufta mes Rusisë e Ukrainës nisur zyrtarisht në shkurt?

Këtu është e vështirë të mendohet se autori ka abstraguar në analizë nga rreziku real i saj kur prej muajsh ziente një përshkallëzim konflikti mes dy vendeve. Por është e lehtë të kuptohet se Ballkani i Hapur si nismë qe përkrahur para se të imagjinohej se ç’përmasë do të merrte konflikti dhe se Vuçiç s’do mbante premtimet ndaj Perëndimit.

Dhe qysh nga janari e gjer më sot, konflikti Rusi-Ukrainë u përshkallëzua, ‘Ballkani i Hapur’ nuk u zgjerua me shtete të tjera, Vuçiç ia doli të rrijë me një këmbë mbi Perëndim e një mbi Rusi (siç vëren Nahzi), Berisha mori PD-në dhe thirri 7 korrikun, Ilir Meta zbriti në politikën aktive, aferat korruptive të qeverisjes u bënë kapicë (përfshirë inceneratorët e përmendur nga vetë Nahzi në një artiku** të datës 20 janar për BIRN).

Nëse konstatimi i dështimit të Ballkanit të Hapur u pranua dje publikisht prej një prej zërave të rëndësishëm të Fondacionit Soros, pikënisja e kritikave të forta ndaj Ramës daton ca më herët.

Le të ndjekim kronologjinë e vetë ideve të Nahzit.

Sipas një artikulli të tij të janarit 2022**, paralajmërimi për Ramën ka qenë i qartë dhe ca më i hershëm, se: ‘Vetëm lufta kundër korrupsionit, respektimi i shtetit të së drejtës dhe ligjit brenda partisë së tij dhe përtej linjave partiake mund të vijojnë t’i japin mbështetjen nga Ëashingtoni e Brukseli si këto 9 vite’.

Por në një tjetër artikull, edhe të mëhershëm të datës 9 Dhjetor 2021***, Nahzi për BIRN do të shkruante: ‘SHBA ka mbajtur një qëndrim të zëshëm në luftën kundra korrupsionit [përhapur masivisht në të gjitha degët e qeverisjes] duke ushtruar presion të barabartë në të gjitha partitë dhe politikanët e çdo ane. Dështimi për ta bërë këtë do të gërryejë ndikimin e Uashingtonit në vend’.

Madje Nahzi shkon më tej në të njëjtin artikull** duke kujtuar se si raportet e DASH e kanë bërë të qartë se: ‘Rama për më tepër është përpjekur të ushtrojë presion politik dhe ekonomik direkt dhe indirekt në media, përfshirë kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve që synojnë të investigojnë krimin dhe korrupsionin’.

Mirëpo vetë Nahzi e pranon se ky lloj presioni amerikan nuk ka bërë punë, sepse Rama ka ditur ta balancojë me garancira diplomatike, si p.sh strehimin e të liruarve të Guantanamos, të muxhahedinëve (opozita iraniane), të afganëve të larguar prej rivendosjes së regjimit taleban. Dhe kjo theksohej nga Nahzi qysh në dhjetor të 2021**-shit.

Si shpjegohen këto kritika të ashpra ndaj Ramës? Kur ende besohej se Ballkani i Hapur po funksiononte dhe Rama mbronte interesat amerikane?

Na vjen në ndihmë vetë Nahzi këtu kur përforcon në përfundim të artikullit të 9 dhjetorit***, duke sjellë në vëmendje vizitën e pritshme të Escobar në Tiranë se ky i fundit ‘duhet të dyfishojë kritikat e Departamentit të Shtetit dhe t’ia bëjë të qartë Ramës se do të përballet me pasoja për mungesën e luftës së vërtetë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo do të solidonte pozitën e Shqipërisë në rajon, nëpërmjet forcimit të shtetit ligjor’.

Çfarë pasojash? Po paralajmërohej Rama fort për korrupsionin, krimin e organizuar që prej vitesh sipas raporteve të vetë DASH qe prezent në vend?

Në një lexim të kujdesshëm kuptohet qartë edhe pakënaqësia ndaj paaftësisë për të nxjerrë akuza konkrete për korrupsion ndaj Berishës pas përcaktimit ‘non grata’ nga SHBA. Këtu gishti drejtohet tek Rama, por dimë se asnjë akuzë konkrete e bazuar në prova nuk është komunikuar nga asnjë institucion amerikan e britanik, që dizenjuan përcaktimin në zanafillë.

Mesa duket kjo patate e nxehtë mbeti në duart e Ramës dhe do t’i faturohet atij, pavarësisht se kush e ideoi, ndoshta edhe për interesa të jetësimit të projektit të Ballkanit të Hapur. Çfarë tymi po nuhatej nga mbështetësit e dikurshëm të flaktë të Ramës?

Duke i kërkuar rezultate në luftën kundër korrupsionit, presioni fillimisht synonte edhe gjetjen e fakteve për ‘non grata’-n. Por dinamikat ndryshuan. Pse?

-Dështimi me Vuccicc për ta kthyer kah Perëndimi. Dhe këtu i ekspozuari i madh qe Rama dhe ata që e mbështetën.

-Me shpërthimin e aferave dhe skandaleve qeverisëse, presioni në emër të korrupsionit nuk mund të bëhet vetëm ndaj Berishës e opozitës, pa djegur në fillim të faktuarit, qeverisjen 9 vjeçare.

Dhe kur Ballkani i Hapur dështoi sepse Rama di të bëjë vetëm ‘ushtarin e bindur’ dhe ‘Vuccicc e përdori’ sipas Nahzit, atëherë kjo karakteristikë nuk i pi dot më ujë as me bindjen e verbër ndaj politikës së jashtme amerikane. Të paktën këtë thotë Fron Nahzi, zëri më përfaqësues, Drejtori i parë i Fondacionit Soros në Shqipëri.

A po i faturohen Ramës dështimet e një politike amerikane në rajon, që funksionon gjithsesi me rryma e qëndrime të ndryshme brenda saj?

Si po ndryshojnë balancat politike në qendrat kryesore vendim-marrëse në Uashington e Bruksel?

A do të jetë ky fillimi i betejës për dënimin e korrupsionit të faktuar?

Apo profecia vetpermbushëse e Ramës kur deklaroi në Bruksel përpara Von Der Leyen në konferencën e parë ndërqeveritare se ky është ‘fillimi i fundit’?

* Fron Nahzi | Balkan Insight

** Berisha’s Antics Are Useful Distraction for Albanian Govt’s Failures | Balkan Insight

*** It’s Time Washington Made Albania Take Corruption Warnings Seriously | Balkan Insight

Please follow and like us: