Albspirit

Media/News/Publishing

Prangosja e supermashtruesit Faruk sjell në Tiranë zyrtarë të lartë të Turqisë

Një delegacion i nivelit të lartë i policisë turke ka mbërritur në Tiranë, për t’i shprehur Policisë së Shtetit falenderimet për kapjen e shtetasit shumë të kërkuar, prej muajsh, nga shteti turk, Faruk Fatih Özer. Delegacioni turk kryesohej nga Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, njëkohësisht edhe Drejtor i Departamentit të Krimit të Organizuar, Resul Holoğlu.

Përfaqësuesit e policisë turke u pritën në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.

Holoğlu, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë turke dhe të Ministrit të Brendshëm turk, i shprehu Vocajt, falenderimet dhe vlerësimet për policinë shqiptare, për realizimin me sukses të operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit.

Përfaqësuesit e Policisë turke vlerësuan punën e shkëlqyer të FAST Albania, të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe të DVP Elbasan e DVP Vlorë, për finalizimin e këtij operacioni.

Ata kanë falënderuar strukturat e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, për shkëmbimin e shpejtë të informacioneve për këtë operacion.

“Vocaj theksoi faktin se policia shqiptare ka qenë e angazhuar maksimalisht për kapjen e të shumëkërkuarit, duke zhvilluar shumë kërkime, në disa qarqe të vendit. Po ashtu, Vocaj evidentoi bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen e dhënë nga Policia turke, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë, duke e cilësuar si një kontribut mjaft të çmuar dhe të vlefshëm për Policinë e Shtetit. Në vijim të takimit, ai theksoi nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në fushën e shkëmbimit të përvojës dhe eksperiencave, sidomos me Policinë Kriminale.”,- thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.

Edhe përfaqësuesit e policisë turke vlerësuan bashkëpunimin dypalësh dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe mbështetjen për Policinë shqiptare.

Gjatë operacionit “Brain”, të zhvilluar nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, më datë 30 gusht, u kap në Himarë, 28-vjeçari turk, Faruk Fatih Özer, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. /rtsh.al/

Please follow and like us: