Albspirit

Media/News/Publishing

Putin nuk do të marrë pjesë në varrimin e Gorbaçovit

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në varrimin e ish-liderit sovjetik, Mikhail Gorbaçov, për shkak të agjendës së ngjeshur, tha Kremlini më 1 shtator. “Ceremonia e lamtumirës dhe varrimi do të mbahen më 3 shtator, por fatkeqësisht agjenda e ngjeshur nuk e lejon presidentin që të marrë pjesë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Peskov tha se Putin ka bërë nderimet e tij për Gorbachevin në spital, ku ai vdiq të martën në moshën 91-vjeçare. Në televizionin shtetëror rus u shfaqën pamje të Putinit duke vendosur një buqetë me trëndafila pranë arkivolit të Gorbaçovit. Më pas, presidenti rus mbajti një minutë heshtje. Ceremonia e varrimit të Gorbaçovit do të mbahet të shtunën në Sallën e Kolonave në Moskë, që historikisht është përdorur për ceremoni mortore të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe të Joseph Stalin më 1953. Pas ceremonisë, trupi i pajetë i Gorbaçovit do të varroset në varrezën Novodeviçi në Moskë, pranë varrit të gruas së tij, Raisa, e cila vdiq më 1999. Peskov tha se do të ketë “elemente të funeralit shtetëror” për Gorbaçovin, përfshirë edhe Gardës e Nderit. Sipas tij, ceremonia mortore do të organizohet me ndihmën e shtetit. Gorbachev më 1985 mori udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik dhe ishte i njohur për afrimin e tij me Perëndimin. Ai ishte bërë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike dhe de fakto lider i vendit në moshën 54-vjeçare./REL

Please follow and like us: