Albspirit

Media/News/Publishing

Biden godet ashpër trampistët, mercenarët, ekstremistët dhe konspiracionistët

Presidenti Joe Biden paralajmëroi të enjten se mbështetësit ekstremistë të ish-presidentit Donald Trump përbëjnë një kërcënim serioz për demokracinë amerikane. Ndërkohë, zoti Trump është duke u hetuar për mënyrën se si ka trajtuar dokumentet sekrete të mbrojtjes kombëtare. Ekspertët thonë se bota po e ndjek me interes këtë zhvillim.

Presidenti Joe Biden përdori një ton shumë më të ashpër në fjalimin e tij këtë javë, duke thënë se ai beson se ish-presidenti Donald Trump dhe mbështetësit e tij përfaqësojnë një ekstremizëm që kërcënon Amerikën. Presidenti Biden tha gjithashtu se është lodhur nga gënjeshtra se zgjedhjet e vitit 2020 u “vodhën” ose “u manipuluan”.

“Nuk do të lejoj që vullneti i popullit amerikan të përmbyset nga teori të egra konspiracioni dhe prova të pabaza me pretendime për mashtrim. Nuk mund të rri duarkryq dhe të shoh zgjedhjet në këtë vend të vjedhura nga njerëz që thjesht refuzojnë të pranojnë se kanë humbur”, tha Presidenti Biden.

Ekspertja Cécile Shea, i tha Zërit të Amerikës se ajo beson se Presidenti Biden po sfidon zotin Trump tani, sepse ai po ndjen një ndryshim.

“Mendoj se Presidenti Biden në një farë mënyre po pasqyron atë që ai ndjen se është një qëndrim në ndryshim në një pjesë të shoqërisë sonë. Njerëzit nuk i pëlqejnë prirjet që kanë parë në vitet e fundit. Këta nuk janë domosdoshmërisht njerëz të krahut progresiv, njerëz që do të mbështesnin një kandidat të krahut të majtë, por janë më tepër njerëz që besojnë në drejtësi, të cilët besojnë se Presidenti Trump nuk duhej të dilte nga Shtëpia e Bardhë me dokumente sekrete”, thotë ekspertja Cécile Shea nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale.

Zoti Trump ka mohuar se ka bërë shkelje me marrjen e dokumenteve nga Shtëpia e Bardhë dhe ruajtjen e tyre në shtëpinë e tij në Florida. Ai ka sulmuar FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë, duke thënë se “kontrolli në shtëpinë e tij ishte një sulm tinëzar ndaj demokracisë”. FBI-ja kishte arritur të siguronte një autorizim për të kryer kontroll në banesën e ish-presidentit.

Të enjten, zoti Trump tha se nëse ai kandidon përsëri për president dhe i fiton ato, ai “do të shqyrtojë mundësinë” e ofrimit të faljeve për të gjithë ata që janë dënuar për krime të dhunshme lidhur me sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Publiku ndërkombëtar gjithashtu po i kushton vëmendje refuzimit të ish-presidentit Trump për të kthyer dokumentet e klasifikuara. Ekspertja Shea i tha Zërit të Amerikës se ka dëgjuar reagime të ndryshme për këtë.

“Për miliarda njerëz në botë që nuk jetojnë në një vend ku Ministria e Drejtësisë do të ndihej e fuqishme për të hetuar dhe ndjekur penalisht një ish-president, ata e shikojnë atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara me habi dhe madje zili”, thotë ajo.

Një ekspert, i cili punon në Belgjikë, thotë se shumë evropianë po i ndjekin me ankth zhvillimet në Shtetet e Bashkuara ndërsa zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, ato shtetërore dhe lokale po afrohen.

“Ka interes të madh në përpjekjen për të kuptuar se në cilin drejtim po shkojnë Shtetet e Bashkuara, nëse Trampizmi do të jetojë më gjatë se zoti Trump, siç thonë këtu. Mendoj se udhëheqësit evropianë shpenzuan pjesën më të madhe të kohës gjatë administratës së Presidentit Trump duke u përpjekur ta deshifronin dhe ta kuptonin se si mund të punohej me të në mënyrë më efektive”.

Eksperti i Fondit Gjerman Marshall, Ian Lesser i tha Zërit të Amerikës se mbi të gjitha, aleatët duan të shohim veprime të parashikueshme nga Shtetet e Bashkuara, gjë që sipas tij, nuk ndodhi shpesh gjatë administratës së mëparshme amerikane.

Please follow and like us: