Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

KJO MOLLË

Kjo mollë

ka faqet e tua

fustanin tënd të puhisë

edhe sytë e tu me qiell

kapela blerake i ka hije

si ty

është ëmbëlake

siç është buzëqeshja jote

S’do ta lë të bie nga dega

në dorë do ta pres

për

ty.

 

PËR ZGJIMIN E DITËS

 

Në partiturat e gjetheve

zogu i kopshtit

shkruan melodinë

për zgjimin e ditës

Në korin e këngës

të gjithë duhet të këndojnë

të zgjohet dita e qeshur

Nëse dikush bën hile

dielli harron buzëqeshjen.

 

PËR TY

 

Kur ti fle

deti i bie

lirës

për ty

të rritesh

shpejt

e t’i shalosh

kuajt e valëve

me jelet

deri në qiell.

 

NJË DERË ME TRËNDAFILA

 

Një derë me trëndafila të çelur,

një derë e vogël.

Pas saj në krua me kapelë,

rrit buzëqeshje lulesh.

Këtu pi ujë pranvera,

nën hije të blirit pushon

me gugutë.

Nata kur vjen

hëna zbret ngadalë,

me gjyshen qëndisin fustane lulesh

për dasmat e fluturave.

Princat e vjershave vijnë

me mollëkuqet,

bëjnë selfi për Facebook e Instagram.

E dinë të gjithë

këtë derë me trëndafila

ku jeton një gjysh e gjyshe

me violinën magjike.

 

NJË SHALL VALLËZON

 

Një shall vallëzon

krahëve të ullirit,

edhe një gjerdan me yje.

S’i harroi hëna

kur shkoi të fle

i la për mua dhuratë.

Kur të dal sonte në shetitore

pak të dukem hënëz,

pak yllore.

 

Please follow and like us: