Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Endrit Shabani: Rama bën mirë të hesht për Hysenbelliun

Ka dy versione të asaj që po ndodh në bizneset e Hysenbelliut.

Versioni i parë është i kompanisë, e cila shprehet se ka zbatuar ligjin dhe qeveria po abuzon me pushtetin.

Duke patur parasysh që kemi të bëjmë me një media, kuptohet që kjo vjen si ndëshkim për daljen nga linja editoriale e vendosur nga komiteti qendror i partisë.

Në këtë pikë mesazhi është i qartë edhe për të tjerët: liria për të folur është e garantuar, por jo liria pas të folurit.

Si akt, fadromat janë “shkopi” për mediat dhe gazetarët e tjerë, të cilët nuk duhet të harrojnë forcën brutale që ka mëria e pushtetit. Prandaj duhet të bëjnë kujdes për të mos e mërzitur “Zeusin”, se ndryshe ai lëshon rrufe nga maja e Olimpit.

Versioni i dytë, është ai i qeverisë, e cila pretendon se po mbron interesin publik përballë një biznesmeni që paska shkelur ligjin.

Nëse kjo është e vërtetë, një gjë e tillë e inkriminon edhe më tepër Edi Ramën.

Ai nuk ka ardhur në pushtet dje, por në 2013.

Pra, Rama po na thotë se për 9 vite qeveria e tij ka lejuar një biznesmen të ndërtojë pa leje, të zaptojë hapësira publike, të përdorë godina shtetërore pa paguar qiranë dhe të bëjë evazion fiskal dhe kontrabandë.

Rama po na thotë që për 9 vite teksa taksistët arrestoheshin se nuk lëshonin fature, Irfani nuk paguante taksa?

Për 9 vite që muratorët dergjeshin burgjeve se riparonin çatitë e shtëpive, Irfani ndërtonte pa leje?

Për 9 vite ku prindër me fëmijë nxirreshin prej shtëpive e hidheshin në rrugë, Irfani përdorte pa pagesë godina shtetërore?

Pse tani?! Pse me Irfanin?!

Me këtë justifikim Rama po pranon se për 9 vite ka shpërdoruar detyrën për të blerë një media.

Kështuqë Rama po pranon se i përdor paratë tona si “karrotë” për të blerë median, ndërsa pushtetin publik si “shkop” për t’u mbyllur gojën.

Në fund ne humbasim dy herë: Një herë prej shpërdorimit të parave dhe pushtetit publik; dhe një herë prej mungesës së medias së pavarur, që të na informojë pa patur interes apo frikë nga pushteti.

Nëse kjo është e vërtetë, nuk ka asnjë gjasë që ky të jetë një rast i izoluar. Prandaj qeveria duhet të na thotë sa dhe cilët pronarë mediash po përfitojnë nga pasuria publike? Po atyre përse nuk iu shkojnë fadromat?

Pra, ka dy versione të kësaj historie dhe në të dyja rastet Rama do bëj mirë të hesht…

Please follow and like us: