Durim Taçi: SHTËPIA MARKARIAN…
Shënime mbi një libër që fillon me një lindje fëmije dhe mbaron me një vdekje prindi. Se kështu duhet të ndodhë: prindi bën fëmijën dhe fëmija bën prindin. E kam fjalën për librin “Shtëpia te Selvia”, me autore Anisa Markarian, botuar 2 muaj më parë nga “Çabej”. Mënyra e të shkruarit të tij – e një natyre transautobiografike, (jo një rrëfim i mirfilltë letrar që ndjek e plazmon një histori të vetme), na përcjell një normalitet që trondit ku estetizimi i së përditshmes krijon çuditërisht tension. Recetat, gatimet, ritualet e festave fetare sjellin suspansë. E kush do ta besonte?! Por, lexoni librin! Nuk lëshohet nga dora gjer në faqen e fundit.
Ngjarjet zhvillohen në Tiranë, nën hijen dhe gjelbërimin e një peme emri i së cilës u bë i përveçëm: Selvia. Përcaktim hapësinor, një vend i shënuar mirë në hartën e vetëdijes së Tiranës. Një pikë referimi për të gjithë, kryeqytetas e provincialë, të cilët mësyjnë aty mbase vetëm për një ditë, por gjithmonë edhe me shpresën që të nguliten. Tirana në vitet ’30, Tirana në diktaturë, Tirana e sotme – qyteti ku duan të jetojnë të gjithë shqiptarët, madje edhe ata tiranas që e braktisin dhe marrin rrugën e mërgimit.
Autori i këtyre radhëve ka një histori personale që lidhet me “Shtëpinë te Selvia”. I ftuar nga miku im, Markaré Markarian, kam banuar në atë shtëpi në vitin e trazuar 1991 duke përjetuar së bashku me pjesëtarët e familjes së nderuar ndryshimet politike në Shqipëri.
Në libër përshkruhen 18 vjet (1962 – 1980), aq sa vetë koha që i duhet njeriut të edukohet e të bëhet gati të dalë në jetë. Zakonisht, historitë me shtëpi kanë prirjen të jenë me strukturë centrifugale: dilet nga shtëpia – kështu fillon çdo ngjarje. Jashtë mureve të saj heroi gjen aventurën, mentorin që e këshillon, ndeshet me të keqen, triumfon dhe kthehet i ndryshuar në vatrën e tij. Jo, këtu kemi të bëjmë me një version tjetër. Askush s’ka dëshirë të dalë nga shtëpia, sepse ajo është e vetëmjaftueshme. Mbron, rrit, rindez kujtimet, bëhet një bërthamë rreth së cilës vërtitet bota. Pikërisht pasi bota jashtë, Shqipëria e periudhës së diktaturës, është armiqësore. Shtëpinë e mësyjnë për t’i zhvatur ndonjë copë; banorët e saj mblidhen në një skutë e aty vazhdojnë të ruajnë identitetin dhe kulturën duke e lënë derën të hapur.
Veçanërisht shkruesin e këtyre radhëve e prek një detaj nga libri: një grua, e cila ka ardhur në Tiranë si delegate e Kongresit të Grave, caktohet të qëndrojë disa ditë në Shtëpinë Markarian. Ndodh që, asaj, mikpritja, edukata dhe kultura i ngacmojnë botëkuptimin komunist. Pasi largohet, i kallëzon në organet e Pushtetit Popullor si ‘”mikroborgjezë”. Me një fjalë, armiq të barazitizmit mjeran në të cilin ishte zhytur Shqipëria e atyre viteve.
Isha 26 vjeç kur bujta në atë shtëpi me iluzionet e një Rastinjaku që vjen nga provinca në Parisin tonë, Tiranën. Më lëshuan dhomën më të mirë, me bibliotekë të pasur, makinë shkrimi e një pamje të gjallë nga rruga që të çonte te Pazari i Ri. Aty kam shkruar librin tim të parë. Kam njohur nga afër zonjën Evdhoqia Markarian dhe Anisën, duke ndenjur gjithë kohën me mikun tim Markaré. Të dy vinim nga mësimdhënia në Fan të Mirditës, ku na kishin emëruar fill pas përfundimit të studimeve të larta. Mungonte i zoti i shtëpisë, Agop Markarian, ndarë nga jeta më 15 gusht 1980, të cilin do ta gjeni si protagonist në radhët e këtij libri, nga faqja e parë deri tek e fundit.
Anisa Markarian është një figurë e njohur e kinemasë shqiptare, aktore e skenariste, por pak thuhet që ajo është edhe një prozatore e njohur tek e cila stili, përkushtimi ndaj përdorimit të gjuhës, merr përmasa gati maniakale. Pasurinë e saj leksikore, përdorimin e zhdërvjellët të frazës, gjuhën figurative do ta vini re edhe më shumë në këtë libër. Njësoj si familja Markarian hapte derën për miqtë, Anisa – trashëgimtare e saj tani në letërsi, di ta mbajë të hapur derën e tekstit, të shkruajë e të thurë një rrjetë rrëfimi ku lexuesi mund të përfshihet përmes ballafaqimit të përvojës së tij.
Përdorimi i vetës së parë në rrëfim rëndom thekson subjektivitetin, por këtu më shumë forcon dhe mpreh vrojtimin, gati neutral, që bëhet edhe këndshikimi i lexuesit mbi ngjarjet në fjalë.
Gjithashtu, këtu vjen e freskët një e shkruar femërore, jo feministe, për të krijuar shkollë apo për t’iu kundërvënë të shkruarës patriarkaliste që dominon njerëzimin prej pesë mijë vjetësh, me të mirat e me të këqijat e veta. Është një e shkruar që habit me faktin se si pasivja dominon e zbeh aktiven, pritja veprimin, inteligjenca emotive atë racionale, dashuria forcën. Një e shkruar femërore që përcjell mirësi.
Please follow and like us: