Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Idrizllari: A kemi realisht media të lirë në Shqipëri?

 

Në foto është një biznesmen-pronar i një media që po drekon me krerët e Qeverisë aktuale, në ambjentin e resortit të tij privat.

Kur drejtuesit e medias “hanë e pinë” me pushtetin, nuk mund të kemi një media të lirë, por thjesht një media që përdoret për të kapur “afera”.

Abuzohet shpesh me termin “liri e medias”.

Media e lirë është një komponent thelbësor i demokracisë, sepse informon dhe ndërgjegjëson shoqërinë në marrjen e vendimeve publike.

Qëllimi i medias së lirë është të sigurojë që njerëzit të jenë të lirë në shpërndarjen e informacioneve të pamanipuluara, ose që nuk janë në shërbim të një personi apo interesi të caktuar.

Detyra e medias është të investigojë njerëzit e pushtetit, veçanërisht qeverinë, të shtroj pyetje të vështira (që nuk i dëshirojnë), duke u përpjekur të zbuloj se çfarë ndodh realisht në sistemin institucional, pavarësisht nga pasojat politike dhe trysnia e pushtetit.

A kemi realisht media të lirë në Shqipëri?

A i intereson vërtet medias si instrument i komunikimit e drejta e lirisë së shprehjes, lirisë së mendimit për të hulumtuar dhe dhënë informacione transparente, objektive, pa ndërhyrjen e autoriteteve të pushtetit, apo interesave okulte?

Praktikisht, e vërteta është kaq evidente, sado që opinionbërësit i deformojnë faktet, apo i anashkalojnë ato.

E vërteta është se Pushteti bashkepunon me Median.

Pikërisht me këtë qëllim, si një instrument biznesi, filloi licensimi i mediave.

#Pushteti & #Media janë bërë për njeri-tjetrin, për të mbajtur njeri – tjetrin.

Kush i kanë mediat?

Biznesmenë që promovojnë pushtetet në këmbim të privilegjeve dhe përfitimeve publike nga paratë e taksapaguesve shqiptarë (nëpërmjet garave fiktive të tenderave, lejeve të ndërtimit, evazionit dhe shmangjes tatimore… etj).

Nëse mediat do të ishin vërtet fitimprurëse të pavarura dhe zbatuese të detyrimeve ligjore, atëhere do të zinte vërtet vend termi “liri e medias” mbi misionin e tyre për një shoqëri demokratike, ku liria e mendimit dhe e fjalës është e rëndësishme në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Si  të tilla, ato do t’i rezistonin çdo shantazhi të autoriteteve të pushtetit.

Por, realisht, mediat janë në rol biznesi me pushtetin (sigurisht ka edhe përjashtime).

Prej këtej buron gjithë e keqja, e cila ka “kënetëzuar” gazetarinë e mirëfilltë dhe lirinë e saj, duke ndikuar në goditjen e demokracisë dhe favorizimin e korrupsionit qeveritar, edhe më tej politikës…

Kjo është e vërteta. Pikë.

Please follow and like us: