Izet Duraku: KURESHTJA, MALLI APO MALLRAT?
Pas dhjetë vjet ndërprerje të çdo komunikimi njerëzor, vitin e kaluar kaluan qafën e Morinit 50 turistët e parë nga Gjakova. Shih me sy e plas me zemër, ky qytet si dhe qytetet e tjera shqiptare matanë kufirit, është kaq afër e njëkohësisht është edhe sot mjaft i largët. Nuk më harrohet ajo mbrëmje e qershorit të kaluar, kur njerëzve tek përqafoheshin u lageshin faqet me lot. Vëllai nuk e njeh më motrën, daja nuk e ka parë kurrë nipin. A do t’i vijë fundi kësaj ndarje të dhimbshme? Vjet një gjë e tillë dukej mjaft e largët. Tash së fundi shpresat janë këndellur… Ndërkohë qindra turistë të tjerë nga Prizreni, Gjakova, Klina etj, kanë ardhur në Kukës, Tropojë e gjetkë. Veçse ende asnjë grup turistësh nga Tropoja e Kukësi s’kanë kaluar matanë kufirit. Ka munguar interesimi i banorëve të kësaj treve? Aspak. Mbase kjo mund të thuhet për zyrtarët kompetentë që mund ta mundësonin një lëvizje të tillë. Nejse. Pritja ndjell padurim dhe padurimi bën të vetën. Siç dihet tashmë mijëra tropojanë u përpoqën të kalonin kufirin (dhe e kaluan) por u kthyen të indinjuar nga “mikpritja” e milicisë serbe. Ndërkohë kalimet ilegale të kufirit nuk rreshtin as në Kukës. Dy e nga dy ose fill vetëm. Në të shumtën e herës arritën të shkonin atje ku dëshiruan tek të afërmit e zemrës. Dikush te halla, dikush te daja ose kushërinjtë e afërt apo të largët. Një natë, dy net ose më shumë dhe kthehu në shtëpi pa të hyrë gjembi në këmbë. Mjafton të jesh i shpejtë, i kujdesshëm, i guximshëm. Kufiri nuk qenka një gardh rojesh të armatosura. Ç’ka prej tij? Kjo pyetje ngërthen brenda saj kureshtjen njerëzore atje për dije e informacion të ri. Kureshtja e vjetër sa njeriu, i cili në botën e tij nuk mund të pranojë kufijë e pengesa artificiale. E drejta e qarkullimit të lirë është ligjëruar me kohë në dokumentet ndërkombëtare. Së fundi edhe ndër ne. Kur ende pengesat s’janë hequr plotësisht për të realizuar këtë të drejtë njerëzore, janë të kuptueshme kalimet e paligjshme të kufirit. Në rastin konkret ato shpjegohen si me kureshtjen edhe me mallin për njerëzit e afërm. Por në jo pak raste kam konstatuar me keqardhje edhe motive të tjera jo kaq të pastra. Njerëzit kthehen me trasta të ngarkuara në shpinë. Trasta të mbushura me plaçka të dhuruara, nganjëherë të lypura ose për fat të keq edhe të vjedhura. Përmes kufirit ka filluar të lëvizë ilegalisht edhe kontrabanda. Pra s’qenka thjesht malli njerëzor, por mallrat që venë në lëvizje shkelësit e ligjit. Na vjen keq për nderin e humbur, për atë nder që jemi krenar e jemi mburrur para të gjithëve. Natyrisht ai s’ka humbur këto ditë, por pak nga pak nëpër vite në propocion me mburrjet tona që dëshmonin rritjen dhe lartësimin e tij. Paradoks i hidhur! Sidoqoftë s’ka pse ta humbasim tamam. Varfëria gjer në kufijtë e urisë që po pranohet edhe zyrtarisht ka sjellë edhe rrënimin shpirtëror. Ndërkohë këto kalime të paligjshme kufiri, sidoqofshin motivet e autorëve të tyre, kanë filluar të shqetësojnë e brengosin edhe vëllezërit tanë matanë kufirit shtetëror. Me preteksin e spastrimit të zonës kufitare, milicia serbe ka intensifikuar dhunën mbi popullsinë e pafajshme. Bastisje, kontrolle, plaçkitje, rrahje e keqtrajtime. Organizata të alternativës kosovare sipas njoftimeve të radio Kroacisë në gjuhën shqipe, na bëjnë thirrje të mos kalojmë kufirin në mënyrë të paligjshme. Mos t’i japim rast pushtuesit të shtyjë dufin e tij. Kur kemi dashur urtia s’na ka munguar.
Gazeta “Bashkimi”, 26 qershor 1991.
Please follow and like us: