Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler viziton Pogradecin

Ambasadori i Izraelit në Tiranë z. Noah Gal Gendler vizitoi sot Pogradecin.
“Përpara na presin projekte të shumta në fushat e turizmit, inovacionit dhe kulturës” u shpreh z. Gendler. Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Bashkisë z. Ilir Xhakolli, Ambasadori u njoh me Pogradecin, historinë e tij, traditat, kulturën etj, si dhe projektet e zbatuara apo ato që do të zbatohen në të ardhmen. Z. Xhakolli i prezantoi edhe vizionin e Tij për të ardhmen e Pogradecit duke u fokusuar më së shumti tek turizmi dhe agroturizmi, sektorë të cilët rritin ndjeshëm edhe ekonominë e banorëve. Z. Xhakolli shprehu interesin dhe gatishmërinë për të shtuar bashkëpunimin me Izraelin në disa fusha e për t’i konkretizuar në një të ardhme sa më të afërt.
Në kuadër të kësaj vizite u çel edhe ekspozita fotografike “Jeruzalemi nuk është thjesht një qytet”.
Kjo Ekspozitë është një përmbledhje e rreth 100 fotografive të autorit Dmitry Brickman, që tregojnë gamën e gjerë të trashëgimive fetare dhe kulturore të Qytetit të Jeruzalemit. Fotot janë shkrepur në Jeruzalemin e Vjetër. Ekspozohen portrete njerëzish të kulturave dhe feve të ndryshme me nëntekstin “Jeruzalemi janë njerëzit, të cilët janë pjesë e këtij Qyteti”, njerëz të përkatësive të ndryshme kulturore dhe fetare. Jeruzalemi dallon për këtë bashkëekzistencë dhe bashkëjetesë kulturash dhe besimesh fetare. Fotot pasqyrojnë momente meditimi dhe lutjeje me nëntekstin “Të gjithë luten sipas mënyrës së tyre, por të gjithë luten si qenie humane për të njëjtën gjë”. Pra Jeruzalemi janë njerëzit që e përbëjnë këtë qytet! “Jeruzalemi nuk është thjesht një qytet”.
Please follow and like us: