Sadik Bejko: LAMTUMIRA
Varrimi i tim eti në fshatin Velabisht, Berat.
Një mesore grurë u korr
ende pa i rënë qumështi në kalli-
pa drapër, vetiu i tharë, ti në arkëmort.
Kërcenj bosh dhëmbësh qumështi
kafshonin këmbët, heshtjen me gozhdë
mbërthyer fort, tek shkojmë me arkëmort.
U kthye së prapthi një vllajë gruri,
ura e blertë e barit epej e ngrihej-
bën rrugë pa gjurmë tej ai në arkëmort.
Pasditja me manushaqe hijesh
mbyllte sytë, vërshonte, ngutej
dyndej me turmën me arkëmort.
Toka ashpër u kafshua nga njeriu,
i hodhi tej mbulesat,
të përqafojë ty, në arkëmort.
Andej-këndej pemët në atë shesh, fëmijët supeve,
fytyrë sëndisura, përcillnin nga larg,
të palëvizura një arkëmort.
Thnegla, merimanga nga gojë lulesh
me lëngje e fije endnin savanin,
savanin trëng të ri mbi arkëmort.
Mos ki rëndë nga unë, o i vdekuri im atë,
i pari po të gjuaj me plisa dheu: ik,
mos na u kthe më me kalin arkëmort.
Please follow and like us: