Albspirit

Media/News/Publishing

Kosovë, vazhdojnë protestat kundër dhunës ndaj gruas

Grupe qytetarësh u mblodhën në protestën e tretë më radhë të hënën pas publikimit të rastit të përdhunimit të një vajze 11 vjeçe në Prishtinë. Protestuesit thonë se janë të shqetësuar për shkallën e ultë të sigurisë së grave e vajzave në vend dhe të zhgënjyer me trajtimin rasteve të dhunës ndaj tyre nga ana e autoriteteve.

“Kërkesat tona janë këto: legalizimi i përdorimit dhe shpërndarja e gazit irritues, shkarkimi i zyrtarëve policorë përgjegjës për përdhunimin e të miturës, krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në polici. Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale”, tha Fjolla Muçaj.

“Ndonëse tash të gjithë kriminelët të cilët abuzuan me vajzën 11 vjeçare janë arrestuar, kjo situatë neve nuk na jep qetësi e siguri. Përkundrazi duke parë se si të gjitha hallkat shtetërore dështojnë në trajtim, mbrojtje dhe rehabilitim të të mbijetuarave të dhunës seksuale, kjo na jep sinjale se të gjitha jemi të pasigurta e lehtësisht mund të riviktimizohemi e përdhunohemi sërish”, tha Bjeshkë Guri.

11 persona, tre prej të cilëve të mitur, tashmë ndodhen në paraburgim. Pesë janë të dyshuar për përdhunimin e të miturës me 27 gusht në një park të kryeqytetit. Ndërsa gjashtë të tjerë të dyshuar për trafikimin dhe përdhunimin e saj në muajin qershor të këtij viti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha të hënën se hetimet e deritashme tregojnë që ndaj të miturës janë kryer jo vetëm dy, po disa raste të përdhunimit në një periudhë mbi një vjeçare. Ai tha se janë duke u kryer hetime për të kuptuar të gjithë përgjegjësit, përfshirë brenda institucioneve të Kosovës, të cilët garantoi se do të vihen para përgjegjësisë maksimale.

“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse, për të mbrojtur këtë të mitur, dhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikim të të gjithë dhunuesve, pasi të gjithë nuk janë të arrestuar”, tha ai.

Disa protestues penguan të hënën edhe një konferencë për media në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e cila u thirr për të sqaruar veprimet e këtij institucioni mbi rastin e vajzës 11 vjeçe.

Kryesuesi i këtij institucioni, Albert Zogaj, tha më pas se Gjykata përgjegjëse e ka trajtuar rastin e të miturës me urgjencë.

“Çdo rast është i ndjeshëm por ky rast është prej rasteve më të ndjeshme edhe në këndvështrimin e Këshillit Gjyqësor. Por ne theksuam që një gjyqtar nuk është as polic e as prokuror, ne kemi një çështje që është paraqitur tash së fundmi në gjykatë dhe gjykata e ka trajtuar në kohë urgjente. A ka nevojë për një reflektim të përgjithshëm të politikës ndëshkuese në Kosovë? Patjetër që ka, jemi të gjithë të vetdijshëm”, tha ai.

Zoti Zogaj theksoi se të gjithë gjyqtarët për të cilët kuptohet se kanë treguar neglizhencë në raste të ngjashme si ky i fundit, do të vihen para përgjegjësisë. Ai tha se vetëm në vitin e fundit 3 gjyqtarëve u janë ulur postet duke thënë se kjo dëshmon vullnetin për trajtimin e shkeljeve të mundshme nga sistemi gjyqësor.

“123 gjyqtarë aktiv punojnë në fushën penale në të gjitha gjykatat dhe departamentet si ai për të mitur, për krime të rënda dhe departamentin e përgjithshëm. 40 për qind e rasteve kanë të bëjnë me të miturit dhe gjykohen në Kosovë, besoni në departamentin për te mitur nga 9 gjyqtarë, respektivisht 11 gjytarë. Unë shtroj një pyetje a mjaftojnë këta gjyqtarë për të trajtuar 40 për qind të rasteve. Përgjigja është e thjeshtë – jo, por përse nuk ka më shumë? Sepse nuk ka buxhet dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Në buxhetin e vitit 2022, vetëm 9 pozita janë lejuar për gjyqtarë dhe ato për gjykatën komerciale”, tha ai.

Laureta Ulaj, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një konferencë të ndarë për media, arsyetoi të hënën vonesën në trajtimin e rastit të qershorit. Ajo tha se prokurori kishte urdhëruar që nga 24 qershori ekzaminimin e telefonit të së miturës, në bazë të të cilit janë gjetur të dyshuarit, por se raporti i Agjencisë për Forenzikë është vonuar.

“Derisa ne treguam kronologjinë e ngjarjes dhe thamë se e dëmtuara është dërguar në strehimore, aty ka qëndruar rreth një muaj. Ndërsa me datën 21 korrik me kërkesë të familjes ajo është liruar nga strehimorja dhe të njejtit kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre. Lidhur me keto veprime me një shtator të këtij viti ka marrë raportin nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë lidhur me ekzaminimin e telefonit të të dëmtuarës”, tha ajo.

Reagimet nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial pasojnë komentet e një dite më parë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët kritikuan sistemin e drejtësisë dhe kërkuan dorëheqjen e prokurorit të prokurorisë Themelore në Prishtinë për siç thuhet reagimin e vonuar në rastin e përdhunimit të së miturës.

Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës, ka nxitur reagime të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilët tërheqin vërejtjen për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallën e ulët të ndëshkueshmërisë ndaj tyre.

Please follow and like us: