Ambasada e Iranit djeg dokumentat, përveç borderosë së mercenarëve
Ultimatumi është deri nesër. Stafi duhet të largohet nga Shqipëria.
E ndërsa orët kalojnë, diplomatët iranianë në ambasadën iraniane në Tiranë duket se po vazhdojnë përgatitjet për të lënë Shqipërinë para mesditës së të enjtes.
Një makinë tip “Audi” hyn dhe del shpesh herë nga ambasada, por nuk është e qartë nëse ka persona që hyjnë apo dalin nga godina.
Ndërkohë, pak më parë, një makinë transporti ka sjellë një fuçi, ku do të digjen dokumentet që ndodhen në zyrat e ambasadës.
Në ambientet e jashtme të ambasadës u panë dhe forca të policisë, por pasi u përballën me portën e mbyllur me dryn, janë larguar sërish.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot vendimin ekstrem të qeverisë shqiptare, duke ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, vendim që pason sulmin kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.
Rama tha se ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë.
Lajmi ka bërë jehonë në mediet ndërkombëtare, ndërkohë fuqitë e mëdha si SHBA dhe Britania kanë mbështetur Shqipërinë.