Albspirit

Media/News/Publishing

Zhvillime dramatike për pushtet/Skenarët e Putinit nuk do të mund të realizohen

Zhvillime dramatike për pushtet / Skenarët e Putinit nuk do të mund të realizohen

Nga sulmet ndaj shtetit të Kosovës, tek sulmi ndaj pushtetit!

Idriz Morina, Bota sot

Ditët me zhvillime dramatike në jetën e shqiptarëve s’kanë të ndalur. Ende pa u përmbyllur çështja e rrezikut për një konflikt, sindikalistët zgjodhën ta fusin vendin drejt një drame tjetër, thuajse për ata Kosova nuk ekzistonte dhe se vërtetë e kanë mitizuar emrin arsimtar!

Ndërkohë, vendosmëria e institucioneve tona, çoi në një zhvillim të vogël, por normal, që Serbia ta respektojë një prej marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në vitin 2011 (të cilën çështje e shtjelluam në një shkrim paraprak).

Pra, sërish asgjë e re, por pak normalitet, i cili për pak kohë i bëri zyrtarët e lartë të shtetit serb të prekin me këmbë në tokë, jashtë politikave dhe ideologjive shkatërrimtare e antishqiptare.

Ndërsa, sindikalistët vazhduan me jonormalitetin e filluar. Ndalimin e arsimit, tamam, si pazarxhinj, pasi kërkuan 100 euro, dhe qeveria u ofroi gjysmën e tyre, tash po presin ‘ndërmjetësimin’, që ata ta fitojnë edhe gjysmën e asaj, që e pretendojnë! Me këtë përfundon, ‘çmitizimi’ i arsimtarit! Roli prej shenjtori (të dikurshëm) kthehet në një ikonë pazari!

Ajo mungesa e etikës, që sot nuk po respektohet, as në rastin e grevës, që të paktën në javën e dytë të mos humbej mësimi, por të vazhdonte parashtrimi i kërkesave, po i shoqëron, të diplomuarit në këto shkolla, edhe kur po bëhen zotër në drejtësi, mjekësi dhe në çdo fushë!

Pra, është e padiskutueshme, që Jashari dhe të tjerët nuk përfaqësojnë më vlera, as nuk përfaqësojnë mitin për arsimtarin apo shkollën, por thjesht mbetjet e sjelljes arbitrare të shoqërisë sonë, e cila kulmoi veçanërisht me sjelljet e pushtetarëve, që në emër të luftës përmbysin rendin e vlerave. Pjesë e këtij sistemi përmbysës është organizimi i grevës.

Por, pjesë e kësaj sjellje arbitrare, të shoqërisë sonë të traumatizuar nga pushtimet e gjata, nga ai osman, serb etj., të kombinuara me sistemin totalitarist dhe paksa edhe me një sjellje tradicionale, të refuzimit të pushtetit, janë edhe shumë sjellje dhe vendime të pushtetit aktual.

Në pak dikastere nuk ka raste të mospërjashtimit apo largimit arbitrar nga puna, në emër të një fajësie kolektive, të cilat më pas po rezultojnë me kthim në punë dhe përfitime ekonomike, pa punuar, të të larguarve. Përballë kësaj, po nga sjellja arbitrare, ka raste të shkeljes flagrante të të drejtave civile, ku vendimet e formës së prerë (absolute) nuk ekzekutohen, krejtësisht në mënyrë arbitrare, madje sipas frymëmarrjes së SHIK-ut!

Lëvizje, që u japin shpresë mbështetësve të ndryshimit të Qeverisë

Në këtë dramacitet të ngjarjeve, që prodhojnë gjendje habie e hamendësime të pafundme, vjen si një thënie epike, pohimi i Ramush Haradinajt, se ‘as që e ka në mendje rrëzimin e Qeverisë’.

“Besoni unë s’jam tu punu me rrëzu Kurtin, nëse do të kisha punu edhe e kishim rrëzu tani. Jam t’u i dhanë përparësi të madhe përmbylljes së një agjende të aleatëve tanë të sigurisë. Njëherë për njëherë është mirë me kry marrëveshjen”, ka deklaruar Haradinaj në Pressing.

Madje, ai e bën si punë të kryer rrëzimin e Qeverisë, por thjesht, se kjo nuk po ndodhë meqë ai nuk po e dëshiron këtë!

Sigurisht se motivi patriotik nuk është mbizotërues, sepse këtë e ka argumentuar në disa raste viteve të fundit, përfshirë votimi gjatë qeverisjes së tij, i demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën çështje ishte kryeprotagonist në organizimin e kundërshtimeve.

Gjatë ditës, kur pritej që deputetët të Listës Guxo të merrnin përgjegjësi, në Kuvendin e parë Zgjedhor, deputetja e saj, Doarsa Kica-Xhelili, e lëshoi partinë, për t’iu bashkuar LDK-së. Kjo riktheu vëmendjen e opinionit, të mbështetësve të opozitës dhe të një pjese të saj, që të thurin, hamendësimin e radhës, se rrëzimi i qeverisë Kurti po afron, dhe se një qeveri e re është në prag.

 Në këtë kontekst mund të shpjegohet, ‘urtësia’ e heshtjes së Ramushit, i cili pra, po shpreson, që ndoshta Albin Kurti, do t’ia shtrijë dorën, dhe ta merrë atë në koalicion, edhe pse thuajse është opsioni më i pamundur!

Ndërsa, mbështetësit e alternativave të tjera, po shushurijnë, se me greva, protesta dhe bllokime të tjera, do t’ia dalin t’i ndryshojnë proceset, veçanërisht ata që nuk po mund të mësohen të jetojnë pa pushtet!

Trysni për marrëveshje!

Ndërkohë, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, ka sjellur mesazhin, me të cilin ka provokuar ushtrimin e trysnisë mbi institucionet shqiptare, që ta pranojnë, përkatësisht ta krijojnë një asociacion të komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Kris Hill, “palët janë pajtuar të flasin, për çështjen e të ardhmes së komunitetit serb në Kosovë”, ndërsa e ka përmendur ekzistimin e një marrëveshje për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Kritikave të presidentit slloven për moszbatim të marrëveshjes së asociacionit, duke e pasur parasysh, edhe vendimin e gjyqësorit, i është kundërpërgjigjur presidentja Vjosa Osmani, e cila ka theksuar, se Serbia ka një listë të gjatë marrëveshjesh që nuk i ka zbatuar, për dallim nga Kosova, që vetëm një me arsye kushtetuese, që s’po e zbaton.

“Lista e marrëveshjeve që Serbia s’i ka zbatuar është e gjatë. Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale në Kosovë, jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, por përkundrazi vazhdon t’i fuqizojë ato”, ka thënë sot Presidentja.

Ajo ia ka kujtuar me të drejtë Sllovenisë dhe BE-së, se Serbia, jo vetëm që nuk i ka shuar strukturat paralele në Kosovë, sipas marrëveshjes së Brukselit, por përkundrazi i ka fuqizuar, dhe se ato po i kërcënojnë qytetarët serbë, madje “po i mbajnë peng në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit”.

Me këtë dëshmohet përpjekja e qartë e Kosovës dhe mbështetësve të saj, se skenarët e Putinit më nuk do të mund të ekzekutohen në Kosovë!

Please follow and like us: