Albspirit

Media/News/Publishing

Charles III shpallet edhe zyrtarisht mbret

Charles III është shpallur të shtunën edhe zyrtarisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II më 8 shtator.

Ceremonia është mbajtur në Pallatin Shën James në Londër.

“Jam krejtësisht i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat e përgjegjësitë e sovranitetit që janë tani mbi mua”, ka thënë mbreti Charles III përgjatë ceremonisë.

Pas përfundimit të ceremonisë, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 200 persona, lajmi për mbretin e ri i është kumtuar publikut nga ballkoni.

Më pas kanë luajtur trumbetat dhe është lëshuar himni kombëtar.

Flamujt, që kanë qenë në gjysmë-shtizë, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II, janë ngritur sërish lart, pas takimit të të ashtuquajturit Këshill i Aderimit.

Në një prej vendimeve të para, mbreti ka vendosur që dita e varrosjes së Mbreterëshës Elizabeta II, të jetë ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse data e saktë nuk dihet ende.

Përgjatë ditës, mbreti pritet të marrë edhe vendime tjera, para se flamujt të kthehen sërish në gjysmë-shtizë të dielën.

Ky njoftim vjen pasi mbreti është zotuar se do të ndjekë rrugën e “nënës së tij të dashur” për t’i shërbyer kombit.

Ai i ka bërë këto deklarata, në një fjalim emocional më 9 shtator.

Përgjatë fjalimit televiziv, ai e ka kujtuar dashurinë dhe humorin e mirë të nënës së tij, e cila ka qenë në fron për 70 vjet.

Charles është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit mblidhet sa më shpejt që është e mundur për të shpallur pasardhësin.

Në këtë takim, mbreti ka mbajtur një fjalim për vdekjen e mbretëreshës dhe më pas është betuar për të mbrojtur Kishën e Skocisë – sepse në Skoci pushteti ndahet në mes të kishës dhe shtetit.

Në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë Camilla, gruaja e Charlesit, dhe djali i tij William, princi i ri i Uellsit.

Të premten, Charles është takuar me turmat që janë mbledhur jashtë Pallatit Backingham në Londër.

Njerëzit janë dëgjuar duke bërtitur, “Zot, ruaje mbretin”!

Përgjatë fjalimit të së premtes, mbreti e ka pranuar se jeta e tij tani ka ndryshuar, duke thënë se nuk do të mund të japë më “aq shumë energji” në bamirësi dhe çështje që ka mbështetur teksa ka qenë në pritje të fronit.

Monarku 73-vjeçar ka thënë se shpreson që, pavarësisht dhimbjes së popullit britanik për vdekjen e mbretëreshës, njerëzit në Mbretëri të Bashkuar dhe Komonuelth “do ta kujtojnë atë dhe do të marrin fuqi nga drita e shembullit të saj”.

Please follow and like us: